Veglat e lashta muzikore dhe roli i tyre në trashëgiminë kulturore

Veglat e lashta muzikore dhe interpretuesit e tyre u shfaqen në teatrin e lashtë të Kalasë së Ulqinit duke përkujtuar shpirtin shekullor të artit popullor. Në këtë kuadër u mbajte edhe simpoziumi kombëtar “Instrumentet klasike të muzikës shqiptare” ku u ravijëzua rëndësia e ruajtjes së kësaj trashëgimie të pasur kulturore.

Studiuesi dhe njohësi i mirë i muzikës shqiptare zoti Zef Çoba thekson rëndësinë e ruajtjes së kësaj tradite

“Ruajtja e traditave pasuron mozaiku e vendeve tona dhe ky mozaik meriton me u ruajtë me kujdesin më të madh nga gjeneratat që vijnë. Zhvillimi i simpoziumit dhe i koncerti ekspozon vlerat e kësaj trashëgimie dhe një farë mënyre është thirrje që të gjithë bashkë të përpiqemi ti ruajmë këto vlera”.

Studiuesi nga Tirana Pirro Miso vë në dukje rrezikimin e veglave muzikore nga muzika e sotme elektronike, e cila gjithnjë, sipas tij, po dominon në skenën muzikore.

“Çështja e instrumenteve tradicionale po ndeshet sot më fuqishëm me një kategori të pestë të instrumenteve muzikorë ku është integruar edhe elektronika. Elektronika ka krijuar disa instrumente të atillë që tentojnë të imitojnë instrumentet popullorë. Këto instrumente nuk kanë arritur të zëvendësojnë atë bukurinë dhe timbrikën e instrumenteve tradicionale popullore”.

Veglat popullore tek shqiptarët në Mal të Zi, sipas këngëtarit të njohur të folklorit, Nikollë Nikprelaj dikur ishin shumë të përhapura, ndërkohë që sot, sipas tij, ato janë duke shkuar drejt zhdukjes.

“Sidomos tek shqiptarët në Mal të Zi rrezikohet më së shumti zhdukja e këtyre instrumenteve, pasi që të paktë ose aspak janë ata që kultivojnë në mënyrë të mirëfilltë këto instrumente”.

Organizatori i kësaj mbrëmjeve, Cafo Boga, kryetar i Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan me seli në New York, vlerëson se në kohën e globalizmit është e domosdoshme ruajtja e këtyre veglave të rëndësishme muzikore.

“Trashëgimia kulturore e jona po zbehet dita ditës nga stuhia e globalizmit, e cila ka përfshi tërë botën e sidomos kombet e vogla. Muzika klasike në kuptimin e vërtetë nuk është vetëm muzika klasike e Europës Perëndimore, por edhe ne si iliro-shqiptarë e kemi muzikën klasike tonën që është muzika burimore.”

Veglat e lashta muzikore tregojnë historinë muzikore të një kombi. Shumë prej këtyre veglave kanë nisur të dalin nga përdorimi çka paraqet një shqetësim për studiues shqiptarë./VoA