Verifikim veprave të artit që u shpëtuan nga trafikimi

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti apeloi sot që të ruajmë të gjithë së bashku trashëgiminë tonë kulturore.

“Dy objekte arkeologjike të periudhës së antikitetit: një reliev funerar dhe një amforë janë sekuestruar nga Drejtoria e Policisë Vendore e Durrësit”, tha ajo.

“Institucione të specializuara të Ministrisë së Kulturës, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i kanë ardhur në ndihmë procesit hetimor, duke kryer verifikimin fizik paraprak të tyre. Tashmë për punohet për vlerësimin e veprave dhe prejardhjen e tyre, në përputhje me Ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe Muzetë”, u shpreh ministrja Margariti.

“Le të jetë ky një moment sensibilizimi. Trashëgiminë tonë kulturore duhet ta ruajmë të gjithë së bashku dhe t’ia përcjellim brezave të rinj”, apeloi ministrja e Kulturës.

Policia e Durrësit finalizoi sot operacionin policor të koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit.

Policia sekuestroi dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Veprat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit, A. V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetitn tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit; A. V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë./atsh