Vështrim për poezinë “Letër poetit në amshim” të Mirishahe Elshanit nga Hajriz Sejdiu

hajriz sejdiu

Vështrim i shkurtër për poezinë “Letër poetit në amshim” shkruar nga poetja Mirishahe Elshani, e cila fitoi çmimin Ragip Sylaj në manifestimin Pranvera Poetike, mbajtur në Therandë, më 31 Maj 2024, organizuar nga Shoqata për Art dhe Kulturë “Elena Gjika”

Nga Hajriz Sejdiu

”Një letër poetit në amshim” është një poezi, e cila edhe pse titullohet letër (si formë epistulare), shkruar poetit në amshim, gjatë leximit të krijon përshtypjen e një dialogu, por që në të vërtetë është një monolog me pyetje shtruar poetit si dhe jep përgjigjet e herëpashershme të folëses-poetes, e cila këtu përgjigjet sikur të ishte vet opusi poetik, vuajtja optimizmi, sakrifica dhe trishtimi i poetit të vdekur.
Poezia “Letër poetit në amshim”, i ka gjithsej 20 vargje dhe të gjitha vargjet janë distikë, përveç dy strofave, që janë tercina. Poezia me strofë distik (strofa e përberë nga dy vargje) ose siç quhet ndryshe vargu elegjiak, është shkruar si një letër-monolog dramatik me nota elegjiake e dalur nga zemra e një poeteje drejtuar po ashtu një poeti, i cili ka shkuar në amshim, por që jeta dhe vepra e tij janë shëmbëllim për poetët tjerë. Folësja- poetja, përmes monologut pyetës i drejtohet poetit, cilido qoftë ai, por që në këtë rast aludohet se mund të jetë poeti i ndjerë Ragip Sylaj.
Në këtë poezi folësja që në distikun e parë e pyet me kurreshtje poetin, përtypjen e heshtjes si pamundësi për të folur dhe shkruar për vetminë e varrit, por jo si heshtje sipas poetes, por si frymim i përhershëm i veprës së tij në mesin tonë. Folëses i intereson gjithashtu se cila është poezia e tij e radhës dhe a është duke e shkruar me gjak edhe atë poezi, sikurse të gjitha poezitë që shkruhen nga poetët.
Sipas folëses, kuptimi i vdekjes nuk është vetëm kthimi në pluhur apo në vetmi varri, sepse shpirti i poetit vazhdon të jetojë sikurse engjëjt në fluturim, por me një përpjekje të përgjakshme, për të krijuar sidomos poezi malli, tani kur poeti veçse është krejt i vetmuar.
Liria e fluturimit drejt vdekjes dhe brengat e jetës, shtrohen si pyetje nga folësja në distikun e dytë dhe ndoshta sa i përket poetëve, folësja edhe ka të drejtë sepse vetëm shpirti i tyre është i lirë në të dyja rastet e sidomos pas vdekjes fizike, ngase edhe kur ikin poetët, brengat i marrin me vete dhe pavarësisht vdekjes, ata janë engjëjt që fluturojnë lirshëm nëpër qiell, duke kënduar herë këngë vaji e herë këngë shprese, pa e kuptuar kurrë se cila u jep krahë atyre, kënga e zhgënjimit apo ajo e optimizmit?!
Në distikun e tretë, përmes antitezave ferr-parajsë dhe dritë-terr, folësja kërkon përgjigjet simbolike dhe poetike se çka e dallon ferrin prej parajsës dhe dritën nga terri dhe cili është kufiri i tyre, që në fakt ky kufi edhe nuk ekziston sidomos për poetët dhe poezinë.
Kur folësja e pyet poetin se çka e ndan dritën prej territ, ajo shtron çështjet ekzistencialiste e poetike për vetminë, jetën, zotin, dashurinë, për natën si amshim-vdekje dhe për ditën si simbol jete. Dhe vazhdon folësja duke i dhënë poezisë ngjyrën e jetës sa hyjnore po aq edhe tokësore sidomos përmes ciklit ditor që është ditë-natë dhe që nuk përfundon kurrë sikurse dhe cikli jetësor tokësor qe është i amshueshëm si vet poeti.
Poetët janë të prirur për vetminë andaj folësja në distikun e katërt e pyet me dhimbje poetin në amshim se ku e ka gjetur vetminë, ku i ka gjetur ngjyrat e saj trishtuese dhe të tmerrshme, sepse vetëm poetët janë ata që gjakojnë vetminë dhe e gjejnë atë në portretizimin e dashurisë. Prandaj gjakimi i tyre vetshkatërrues, qëndron i plotë vetëm në binomin vetmi–dashuri.
Folësja në distikun e pestë vazhdon duke krahasuar pafundësitë e natës dhe të ditës, perëndimin dhe lindjen po ashtu edhe duke e krahasuar atë me njerëzoren ekzistencialiste lindje-vdekje. Sidoqoftë, kudo dhe kurdo që vdes poeti ai do te digjet dhe rilindet sikurse feniksi nga zjarri dhe hiri i tij. Qoftë në breg nate apo breg dite, lindja dhe vdekja e poetit është hyjnore dhe e dhimbshme.
Në distikun e gjashtë, folësja në mënyrë alegorike e pyet poetin për zotin se a është ai i njëjti sikurse ky tek ne dhe a na mbron në të njëjtën mënyrë si këtu dhe si në amshim.
Pastaj folësja vazhdon duke e krahasuar poetin me zotin që udhëton me ëndrra kah dielli, por që në vete bartë edhe dyzimin ose krijesën fizike dhe atë metafizike-shpirtërore, siç është vetë poeti, zot edhe njeri njëkohësisht, jo vetëm në krijimet poetike, por shpesh edhe në jetën e zakonshme. Zoti i folëses – poeti, ai i distikut të shtatë, i ka të gjitha veçoritë e njeriut-poetit si ëndërrimtar, por që i posedon edhe të gjitha ato atribute të një zoti me shenjat dalluese, qofshin ato qiellore-hyjnore apo tokësore-njerëzore.
E gjithë bukuria poetike shpërthen në distikët e parafundit të poezisë “ Letër poetit në amshim” duke njësuar poetin me zotin e pavdekshëm që lartësohet vazhdimisht deri në qiell, jo vetëm si zot por edhe si engjëll i mëkuar nga përjetësia sepse mëkim donë të thotë të thithësh gji jete e qumësht zotërash, atë gji dhe qumësht me të cilin na mëkon nëna dhe atdheu e qe ai mëkim ia jep poetit paqen dhe fuqinë e përjetshme deri në amshim.
N ‘zenit pavdekësie veç zotat lartësohen
Në paqen e përjetshme veç engjëjt mëkohen”

Dhe krejt në fund folësja me dy vargje që ngjajnë si një psalm i bukur hyjnor i drejtohet poetit:
“Me kujtesën e thinjur lë gjuhën e gjallë
Hiri i perëndisë po të shndritë në ballë”.

Poeti i folëses, tani në distikun e fundit është një figurë ,që përveçse lëvroi gjuhën poetike, ai shndërrohet edhe në kujtesë besnike të kësaj gjuhe të thinjur e të vjetër, deri në përjetësi, sepse ai-poeti, është i përndrituri, i përzgjedhuri dhe hiri i perëndisë dhe kjo detyrë, ruajtja e verbit-gjuhës i përket vetëm atij.

Për fund:
Mënyra se si poetët e jetojnë jetën e tyre, frymëzon dhe ndërgjegjëson njerëzit dhe poetët tjerë , që të jetojnë me vetëdije dhe në një mënyrë po aq njerëzore sa edhe hyjnore. Për më tepër, folësja beson se kur këta individë-poetë vdesin, ata lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në jetën e tyre.
Veprat e krijimtarisë poetike janë jetëgjata, megjithatë koha kalon shpejt. Ndërsa zemrat e poetëve mund të jenë të forta dhe të guximshme, ato rrahin si daulle të heshtura brenda trupave të tyre. Në fund të fundit, me çdo rrahje poetike, ata i ofrojnë njerëzit-lexuesit më afër jetës, dashurisë, vuajtjeve dhe vdekjes. Prandaj, këngët-poezitë që krijojnë këto zemra, janë si Himne madhështore drejt fitoreve, por edhe si rendje marathonomaku drejt përjetësisë. Edhe letra e poetes Mirishahe Elshani për poetin në amshim, është një marshim elegjiak, me nota dhe ngjyra jo pesimiste, por thjeshtë me pyetje dhe përgjigje që ngërthejnë në vete një mënyrë komunikimi, si pararendje e vazhdimësisë së jetës poetike edhe pas vdekjes.

Teksti i poezisë
Autore: Mirishahe Elshani
“Letër poetit në amshim”,

Me thuaj poet
Ç’e përtyp atë heshtje në vetminë e varrit
A e shkrove me gjak poezinë e mallit

Kur i mbylle sytë me cilën brengë ike
Me cilën këngë engjëjt fluturojnë të lirë

Çka e ndan ferrin prej parajsës
Çka e ndan dritën prej territ

Me thuaj ku i zbulove ngjyrat e vetmisë
A e pikturove portin e dashurisë

A perëndove përtej bregut të natës
A u linde përtej bregut të ditës

Te lutem më thuaj
A është i njëjti zot që na mbron
Si këtu edhe atje

A udhëton nëpër ëndrra kah dielli
Me shenjat e dheut me shenjat e qiellit

N‘zenit pavdekësie veç zotat lartësohen
Në paqen e përjetshme veç engjëjt mëkohen

Me kujtesën thinjur le gjuhën e gjallë
Hiri perëndisë po të shndrit në ballë.

ObserverKult

Lexo edhe:

E PËRKOHSHMJA DHE E GJITHKOHSHMJA SI ANTITEZË DHE AMBIVALENCË NË POETIKËN E DONIKA DABISHEVCIT