“Vetmia”, poezi nga Emin Z. Emini

vetmia nuk vjen nga mungesa
as nga tepria

është brenda
në shkronjat e emrit të saj
që pëlcasin si kokrra kripe në zjarr

jeton në frymën që del e nuk kthehet
në hapin që nuk të çon askund

pulson në shpirtin e dritës që shuhet
heshtjen e shpon me turjelën e tingullit

vetmia është ajo ditë
kur kujtimi yt nuk të njeh më

është dhe nata që digjet pa fener
klith pa zë
prek pa gishta

në sytë e vetmisë çdo gjë ndodh pa ndodhur
boshi është zemra e saj

në vetmi
ti bëhesh asgjëja që rri pezull
as në tokë as në qiell
me fytyrën e zotit që hesht

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN Z. EMINI: EJA SOT E MË DUAJ