(VIDEO)Eneda Tarifa këndon poezinë e Drita Çomos, poetes që e mori vdekja heret

Drita Çomo u lind më 19 mars 1958 në Tiranë. Prindërit e saj u akuzuan për spiunazh ndaj Partisë se Punës për BRSS.
Nëna e saj, Liri Belishova një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste u internua në Kuç afër Vlores. Më pastaj u internua s♪rish ne Progonat dhe në fund në Cërrik.
E gjitha kjo bashkë me Dritën e cila ishte vetëm 2 vjeçare.
Babai Maqo Çomo udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, u burgos me 30 vite burg.
Në Cerrik Drita mbaroi shkollën e mesme. Por për shkak të kancerit progresiv ajo nuk e dha provimin e maturës. Në moshën 23 vjeçare ajo vdiq në një spital në Tiranë.

Në vitet e fundit të jetës së saj Drita Çomo mbante një ditar, i cili ishte një procesverbal i ngjarjeve që kishin të bënin me qëndrimin në një vend të izolimit. Ajo la gjithashtu dhjetëra poema, të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe magjepsjesh nga rinia.

Krijimet e saj u botuan ne librin me titullin Dritë që vjen nga humnera” .

Këngëtarja Eneda Tarifa ka realizuar këngën “Dashuri siberiane”, një poezi e ndjerë kjo e shkruar nga Drita Çomo.

Kënga është një kompozim i Edmond Rrapit.

“Gjithçka nisi nga Petrit Çomo, vëllai i autores së poezisë, Drita Çomo, e cila nuk jeton më. Emri i saj lidhet me mamanë, Liri Belishova, një familje që u persekutua nga monizmi. Vetë Drita u nda nga jeta në moshe të re, 23 vjeçe, por që la perla. Po të kishte jetuar do ishte padiskutim poetesha më e mirë e kohërave.” – ka deklaruar Eneda.

___________________

Muzika:Edmond Rrapi
Video Produksioni:Pro Video
Produksioni:Shpëtim Saraçi
Teksti: Drita Como
Guitare: Arian Gjici

Drita Çomo: Dashuri Siberiane

Po bie shi… dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt – kaq akull,
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua.
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash,
Të urrej dhe të dua njëkohësisht. Të urrej
për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë,
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë.

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër,
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur,
Dashuria ime siberiane.

Në të tërë qënien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je aq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë.

ObserverKult