Violinisti i njohur, Tedi Papavrami, merr pjesë në festivalin “Sofia Music Weeks”

Violinisti i mirënjohur, Tedi Papavrami do të interpretojë në Festivalin e 52-të Ndërkombëtarë “Sofia Music Weeks”. Koncerti do të zhvillohet sot në “Bulgaria Hall” në Sofje, Bullgari.

Tedi Papavrami lindi në Tiranë në 1971. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8-vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne” të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë Koncertin e parë për violinë të Paganini-t.

Ai ishte shumë i talentuar dhe i ati besonte shumë te talenti i tij. Ky i fundit ishte i vendosur që Tedi të bëhej dikush në jetë. Në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal.

Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës. Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate“ në Pamplona.

Tedi krahas karrierës së tij si violinist ka përkthyer veprat e Ismail Kadaresë pas vdekjes së Jusuf Vrionit në vitin 2002 dhe luan personazhin kryesor në filmin ‘Kronikë provinciale’. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj. Ka interpretuar nën drejtmin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogwood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capriçi” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj.

LEXO EDHE: Raporti sekret i diplomatit nga Vjena: Si na iku dhe u arratis në Budapest, violinisti Arben Spahiu, pasi na tha…