Visar Zhiti: Ditëlindja ime në qeli

edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

Poezi nga Visar Zhiti:

Është dita e dytë e dimrit
dhe unë kam ditëlindjen.
Jam fare i vetëm, aq më keq i arrestuar.
Tani sa m’u zhdukën fantazma e një tavoline
dhe fantazmat e kitarave
me shishe vere ndër duar.

Kurse urimet
“U bëfsha 100 vjeç”, me një nuse”,
“lumturi” e të tjera
para syve më lëkunden
si një tufë me kordele të zeza.

Mbusha 27 vjeç,
në këtë moshë vdiq dhe Migjeni.
(Poezia është prostituta që më denoncoi
tek policët)
Qelia, si një vagon absurd treni,
rrokulliset,
rrokulliset.

E ja mbeti gjallë, por ç’fat është për mua
kur dhe krahët paqësorë të zogjve
do më duken si teh thike.
Më kapën se paskam patur mendime të ndaluara,
se paskam shkruar gjëra hermetike.

Por më hermetikisht më mbyllën këta
që na qënkërkan për mendimin e lirë, patjetër.
Koka poshtë më ra
si një abazhur i lodhur
me llampën të djegur.
Ç’të bëj? I lutem të më shpëtojë vjershës:
Ti qofsh Shën Mëria
e unë qofsha prej teje i bekuar!
Ja, unë pranova të mbush 100 vjeç,
por me kë kam për t’u martuar?
Me Ana Frankun natyrish!
Ajo është e dashuria ime
që do më presë me malli.
Me ato pak rreze që ranë në qeli rastësisht
do thur
kurorën e do t’ia vë mbi ballë.

Ana Franku
mbi gjoksin tim ka për t’u shplodhur
e lumtur do qajë, e brengosur do qeshë.
Po, po, kështu ka për të ndodhur
se jo më kot u bëra
(pas vdekjes) 27 vjeç .

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: EDHE VDEKJEN DONIN T’IA VRISNIN, POR AI MORI PAVDEKËSINË

VISAR ZHITI: VETËM, AS ME VETEN TIME