Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Visar Zhiti.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
-Nuk kam ndonjë ide. Nëse ka lumturi të përkryer është dashuria dhe puna që do.
Cila është frika juaj më madhe?
– Vetë frika.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
-Krishtin. Ai është gjallë dhe e shohim kudo ku njeriu vuan…
Cili është personi historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
- Me asnjërin. Adhuroj Gjergj Kastrioti- Skënderbeun. Me atë identifikohen shqiptarët më së miri, besoj.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
- S’e di. Besoj s’është një. Duroj ca si tepër…
Cili është tipari që nuk pëlqeni tek të tjerët?
- Janë ende më shumë. Hipokrizia. Shtirja. Kozmopolitizmi.
Në cilat gjëra e teproni?
- Me dëshpërimin, mbase, po pa atë s’do të ish unë.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
- E vërteta.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
- Dikur kisha thënë ai brenda vetes, tani them ai jashtë vetes.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
- Tani që jam jashtë atdheut: sorry, how are you?
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
- Pendohem rrallë, por kujtoj një varg të poetit të madh amerikan Walt Whitman: ka dashuri që nuk kthehen…
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
- Eda, ime shoqe, mama e tim biri, Atjonit.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
- Si dje, s’ka asnjë përmirësim.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetja, cila do të ishte ajo?
- Tek vetja jo, tek fati po.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj me të madhe?
- Poezinë në ferr.
Nëse do të mund të kthenit kokën, çfarë do të ndryshonit?
- Jam i pafuqishëm.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësi të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
- Dikur kisha thënë “kalë”, tani nuk dua të kthehem.
Cila është gjëja më e shtrenjtë që posedoni?
- Asgjë. Është shumë e shtrenjtë.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
- Mjerimi është shumë i madh.
Ku do të dëshironit të jetonit?
-Besoj se më mirë është atje ku të duan.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
-Që s’do përsëritem.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
-Burrërinë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
-Amësinë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
– Në mosha dhe kohë të ndryshme kam patur shkrimtarë të ndryshëm. Tani kam vepra.
Cilët janë heronjte tuaj në jetën e vërtetë?
-E thashë: Krishti, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, tani dhe shenjten Nënë Tereza. E përsëris, besoj janë në jetën e vërtetë.
Cilin talent do të dëshironit të kishit?
– I dua këngëtarët.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Unë e di se kam vdekur, përndryshe është punë e vdekjes, vendos ajo.
Cila është motoja Juaj?
-“Bëji tjetrit atë që do të doje të ta bënin ty.”
ObserverKult
Lexo edhe: