Visar Zhiti: Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim

Janë zbukuruar plehrat në atdheun tim,
s’janë vetëm lëkura patatesh,
qepësh e gazetash të hedhura
apo këpucë të kalbura,
apo mace të ngordhura.

Janë shtuar plehrat dhe janë zbukuruar
ngjyra – ngjyra si fundi i një ëndrre në mëngjes,
letra çokollatash vezulluese,
ambalazhe gjë a gjëzash,
fotografi lakuriq artistësh të ndaluar,
kuti të bukura pijesh të jashtme,
plehra të shtrenjtë: një kasetë, gjysmë manjetofoni, skelet veture.
Ja ca furça dhëmbësh
si picirrukë përrallash
që kanë vdekur.

Pirgje me plehra, kapakët e shqyer të veprave të diktatorit,
fotografitë e tij të qeshura dhe pis.
Kalojmë anash plehrave, mespërmes plehrave,
plehra në kujtesë, në biseda, në karrierë
dhe plehrat ndonjëherë janë më pak të shëmtuara,
të dëmshme më pak.

***

Më njohu
qeni i gërmadhave,
edhe pse s’më kishte parë kurrë.
M’u hodh te këmbët,
lëpiu me gjuhë
mallëngjimin tim dhe lehu i ngazëllyer.

Qetësohu, qetësohu,
ngushëllim i errët imi,
lozonjar i tëri.

Sa kohë u bënë
që ledhatoj hijen time,
përpara prin
dhe më pret si qen shtëpie
në qoshe tragjedish?

Unë i hedh
maska të lumtura.
Luaj me to,
rrokullisi me putrat e pista
sarkazmave të truallit.

***
Duke vrarë këngët
e palindura akoma
nga që s’rrjedhin gjak,
të duket sikur s’ke bërë asgjë

Pse kanë këngët kufoma?

E ku e kanë varrin?

Gjëra të tilla mund të thuash
dhe për ajrin.