Rekomandime leximi nga Visar Zhiti

Visar Zhiti

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Visar ZhitiJa cilat janë librat që Zhiti u sugjeron të pasionuarve pas leximit.

———————————————–

“NË EMERGJENCËN E LEXIMIT” 3 LIBRA TË RINJ QË DO TË DOJA T’I LEXONIT…

Të lexuarit është akt jetik, do të doja të thosha, i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër, pavarësisht se mund të ndryshojnë format e leximit, nga libri prej letre në duart tona, në ekrane kompjuterash e Ipad-e e celularë përballë nesh.
Gjithsesi leximi është një akt vetanak si të ushqyerit apo si dashuria, por mbetet vepër sociale me rëndësi të madhe kombëtare e shtetërore. Është institucion.

Nga Visar ZHITI

I them këto për të treguar ashtu si ju se ç’besoj unë e mendoj, që Institucioni i Leximit mbart kujtesën e botës, përvojën e saj, të gjitha dijet, ka formuar njeriun dhe njerëzimin dhe i paraprin me vizionet për të ardhmen, fushat e saj janë të shumta, aq sa ç’ka jeta. Leximologjia, – më pëlqen të them tani, – është dhe shkencë dhe art bashkë për të gjithë.
Edhe parajsën e përfytyronte si një bibliotekë shkrimtari mahnitës Jorge Luis Borges. Edhe ne, duke patur bibliotekat tona shtëpive, kemi kështu copëza parajse. Dhe librat janë të hershëm, të vjetër, mijëvjeçarë, edhe të rinj, të porsadalë, që presin leximin, që është gjithmonë një e tashme, mrekullia e së tashmes së përjetëshme, gjithçka në libra ndodh në çastin kur lexojmë, është jetë që na shtohet në jetë.
Fola kështu për të ndarë ngazëllimin e leximit me ju ashtu sikundër ju me mua se edhe unë jam një lexues, jo aq këshillues i çfarë të lexojmë, që është kaq shumë vetanake, e thamë, ndërkaq leximin e shoh dhe si mjeshtëri, që ka strategjitë e saj për secilin, kohën, ashtu siç ka pëlqimet dhe shijet.
Latinët thoshin: “De gustibus non est disputandum”. Por, ne mund të bisedojmë se ç’kemi lexuar, ç’na ka tronditur apo mrekulluar, edhe mërzitur apo kemi gjetur mediokritet të dëmshëm, mashtrues e fals, i kanë letrat dhe këto, dhe s’kemi kohë fare për të gjitha, por duke pranuar ndikimin e atij që i besojmë duke u ndihmuar dhe prej atij që s’i besojmë.

Që t’i përgjigjem kërkesës tuaj për të rekomanduar 3 libra që duhen lexuar, besomëni, e kam të vështirë të zgjedh, të shkojmë te klasikët, ata vazhdimisht duhet të jenë të lexuar, por rileximi është leximi më i mirë, sipas Borgesit prapë.
Por unë dua të kufizohem në letrat shqipe, janë më mirë se kurrë, sipas meje, kur të gjitha letërsitë tona janë bërë bashkë, me kufij të kapërcyeshëm, ajo që del në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, – e Jugut për ne, – në Mal të Zi dhe në diasporë, në Europë e Amerikë, kur letrave tona u erdhi dhe ajo pjesë e ndaluar më parë për arsye jashtë letrare, shumëçka e shkruar fshehurazi në burgje dhe internime, që solli moralin dhe të vërtetat e munguara, pra kemi vërtet një Republikë të Letrave Shqipe, me problemet e rritjes dhe vështirësitë e leximit, por dinjitoze.
Unë po zgjedh të ndalem te botimet më të fundit, ku çorientimi është më i madh dhe kërshëria gjithashtu. Ja tre libra e mi:

Mrekullia e romanit të parë shqiptar

Rivjen romani i parë shqiptar, për herë të parë mbas botimit të tij të hershëm dhe të harruar para dy shekujsh.
“Marcia” i Dom Ndoc Nikajt është një narrativë plot mistikë, ku gërshetohen historikja me fantastiken, kujtesa baladeske, sa jona, po aq dhe ballkanike, me ato hebraike, kapërcimet nga bota reale në atë hyjnore, me personazhe biblikë, varrosjet për së gjalli si dukuri e qendresës së jetës, por dhe e qytetit të tij.
Po ky shkrimtar një vit pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1913) do të botonte romanin tjetër “Shkodra e rrethueme” në formë ditari, që në Historinë e Letërsisë Shqipe do të njihej si romani i parë shqiptar.
Pse kjo zhvendosje? Apo do të duhej që romani i parë i letrave tona të ishte patjetër me subjekt patriotik, kur vetë gjuha është patriotizmi më i madh. Apo nga që romanicieri ynë i parë vdiq në burg në moshë të thyer, i dënuar nga diktatura e fitimtarëve të pas Luftës II Botërore.
Kompleksi i Edipit të letrave të mëpastajme shqipe, atëvrasja e rëndë e romanit të parë shqiptar dhe autorit të tij, kërkonte një qortim. Dhe ora erdhi.​​ Është shkrimtari i ri Andreas Dushi, i cili u shfaq në letrat shqipe me roman që 18 vjeç, që kryen këtë akt, ai sjell romanin më të vjetër shqiptar duke e shtyrë kështu fillesën e tij një shekull më tej, në të XIX dhe nëpërmjet Botimeve “Onufri” u arrit mrekullia.

Ditë te sotme nga jeta në letërsi

Atëherë po kaloj te vetë shkrimtari Andreas Dushi, që siç e thamë, është romancieri më ri i letrave shqipe, që si askush më parë erdhi me roman që 18 vjeç. Së fundmi ai botoi të tretin, “Në besë të tatuazhit tënd”.
“Një roman plot lëvizje dhe frymë të re, urbanistika e ngjarjeve përziehet me legjendën e modernizuar, i copëzuar bukur në kohë dhe në personazhe të saj pa emra, që mund të emërohen gjatë leximit që të rrëmben, magjik dhe hiperrealist ndërkohë, ku detaji duket sa eksperimental, po aq dhe përsiatje psikologjike, me sinqeritet deri në guxim, në fund të fundit roman dashurie, një prurje pasuruese e letrave shqipe sot.”
Kështu kam shkruar për kopertinën e pasme të veprës. Romani është përkthyer menjëherë dhe është botuar në Itali dhe së fundmi në Rumani.
Janë ditët tona tani, me sindromën e legjendës, ku ecim për të takuar veten.

Tekstualizëm dhe stil të lartësive europiane amerikane

​Në letërsitë e mira, si pjesë e saj e pandarë, është dhe kritika letrare, mendimi estetik, që gjithsesi duhet të lexohet dhe lexohet jo si shtocë apo komentar, por si mëvetësi, si gjedhe e letrave, pra si krijim. ​​​​Letrat shqipe kanë një nevojë të madhe për këtë dhe ndjehet mungesa. ​​Eseisti, kritiku letrar, përkthyesi dhe historiani i Letërsisë Shqipe, Dr. Luan Topçiu sjell së fundmi librin “Poeti i vështirë Lasgush Poradeci”.
Tekstualizmi dhe stili. Një studim hermeneutik, një interpretim i aspekteve estetike të një poeti, por dhe filozofike si dhe të ndikimeve dhe si ndikoi. Një vështrim modern, që sipas Luan Topçiut, me Lasgush Poradecin “ndodh, në fakt, një modifikim strukturor në retorikën e poezisë shqipe”.
Këtë do të thosha se dhe me Luan Topçiun, sipas meje, por dhe me më të mirët e gjeneratës së tij të kritikëve, sidomos në Kosovë, ndodh një modifikim strukturor në vetë mendimin kritik, në esenë shqipe.
S’mund të rri pa thënë se ka ende një stanjacion dhe njëherësh revansh të Realizmit Socialist, të atij paragjykimi të gjymtues me mbingarkesa të rrezikshme paternalizmi kulturor deri në politizime jashtëletrare, me një mediokritet bezdisës tej e tej, që përgjigjen më të mirë kanë veprat ndryshe dhe shijen e lexuesit.
“Nëse deri tek Poradeci ligjërimi kishte një patos të jashtëm dhe mesazhi poetik konfigurohej në bazë të një sasie të madhe informacioni”, – por dhe pas Lasgushit, do të ngulmoja unë, – “lirika interiorizohet duke u bërë, në radhë të parë, shprehja e një gjendjeje vetëdijeje”.
Pikërisht si interiorizim me tekstualizëm udhërrëfimesh të tilla, me mprehtësinë dhe shpejtësinë e “rewieu”-ve amerikane, me një elegancë në stil të traditës europiane, i duhen leximeve tona.
Në vendet e kulturuara shpesh shpallet dhe “emergjenca e leximit”.

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: KUR VJEN TI…