
Poezi nga Visar Zhiti
Le të më lagë shiu i Prishtinës,
ecjen ma bën të perëndishme.
Perlat e tij si emocion shndritës
ranë mbi supet e ardhjes sime.
Mos më futni në klube, çadër nuk dua,
le të më lagë shiu i Prishtinës.
Dhimbja ime kaq shumë u gëzua
ashtu si shpirti i vetëtimës.
Vështroj statujat, i tëri goditës,
u heq shpatat, të hekurtat këmisha.
Le të më lagë shiu i Prishtinës,
i shenjtë, i shenjtë si përtëritja.
Humba mes resh, anonim i gjithë,
si vjeshta u bëra, më mahnitës.
Që fatin tim të njoh, të bukurisë,
le të më lagë shiu i Prishtinës.
ObserverKult
—————–
Lexo edhe:
VISAR ZHITI: KAM QENË STUDENT NË SHKODËR DHE U DASHUROVA ME KËSHTJELLËN DHE LIQENIN…
Visar Zhiti: Fjalë të miat dhe fytyra ime prej Shkodre
– monolog i pakët –
Përse m’u desh të kërkoja në Dosjen e dikurshme, ç’ishte ky emocion elegjiak murimi, por dhe një ndjesi shkëputjeje, shkundje pluhuri, ngritje tjetër në jetë nën një shi të bardhë…
…kam qenë student në Shkodër
dhe u dashurova me Kështjellën dhe Liqenin, kështu e ndjeja, me vjeshtën, i dija rrugët se ku mbusheshin më bukur me gjethe dhe shkelja mbi pirgje ari si më i pasuri në botë, pa asnjë lek në xhep, më pëlqenin puset, Markata të dielën dhe Teatri, por asnjë dramë deri në fund, doja dhe auditorin e madh, gjuhën më shumë, sidomos te vajzat, shiun, që, kur niste, s’dinte të mbaronte dhe këpucët që më fusnin ujë, përmbytjet si një Venecia e trishtë, pse, vërtet kishte një Venecia dhe sa më janë dhimbur kishat që s’ishin më kisha, edukata me atë humorin e rrezikshëm, madje dhe më ka arrestuar policia, më mbyllën në birucë veç një ditë, poezitë në Shkodër më magjepsën, ato që gjenim fshehurazi, të ndaluarat si dhe miqësia mitomane me poetin Frederik Rreshpja… “Kafja e Madhe”, bisedat për Migjenin…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU