Visar Zhiti: Vajza çame

edhe ëndrrat lodhen poezi nga visar zhiti
Visar Zhiti

Në atë ballkon paraditeje
 një vajzë çame
            krihet, krihet…

Dhe se si do t’i lidhë flokët e gjata,
gërsheta,
ja ashtu si fati…
që do t’i varen mbi gjinj
të zeza, të zeza.
(Dy litarë duhen
dhe një degë molle
për të bërë kolovajzën e fëminisë,
por duhen dhe fëminija
dhe vendlindja…
dhe ajo flokët i mban gërsheta.)
Vetëm në ia shplekstë
era e Jugut
si duar e dhembshura
të gjyshes së vdekur.

A mund t’i thonë
               vajzës çame
dy duar të vdekura
me dorashka muzgjesh,
mjaft i mbajte flokët kështu,
preji,
se do bëhesh nuse!
      

Vilë, 18.12.1978

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

VISAR ZHITI: DUKE TREGUAR VETEN, KE THËNË PËR TË TJERËT DHE KOHËN

Nga Visar Zhiti

(Fragment nga parathënia e librit “Dhimbje mërgimi” të Bajram Karabollit)

Se cili është në të vërtetë autori, mjafton ta lexosh, ndoshta më mirë se kudo tregohet me librin e tij më të fundit “Dhimbje mërgimi”, me mbresa, përsiatje dhe ese, që i ngjajnë një bisedë mes miqsh, e sinqertë, me shqetësimet e kohës, edhe pse informacioni është i kursyer.

Ashtu siç ke atdheun me vete kudo që shkon, brenda vetes, mund të jesh i mërguar dhe në vendin tënd, kur ai të trajton si një të huaj, që të spraps. Na kap dhe kjo ndjesi duke lexuar këtë libër të veçantë, ku përzihen rrëfimi me kritikën letrare, përshkrimin e udhëtimit me tronditjet, ndërrimi i kohëve me zbulimin, etj.

Thjeshtësisht ky libër shpalos copëza të pakta ndodhish vetjake, por që kanë një shtrirje rrafshi ndërkontinental, ndërkaq një udhëtim i gjatë kësisoj, deri prapa botës, përmblidhet në një dridhmë, në një peng intim…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU