Visente Aleihandre: Ata duheshin aq thellësisht…

Duheshin.
Vuanin për dritë, me buzë të kaltra në agim,
me buzë që dilnin nga nata e ngrydhët,
me buzë të ndara, me gjak, çfarë gjaku?
Duheshin në një shtrat anijeje, gjysmë natë gjysmë ditë.

Duheshin si lulet gjembagjata
me atë xhevahirin e dashuruar të së verdhës së re,
kur fytyrat vërtiten melankolikisht
si lulehëna që vetëm nën puthje.

Duheshin natën, kur qentë e thellë
lehin nën tokë dhe lugjet shtriqen
si shpatulla arkaike që e ndiejnë veten të përshkuara,
si ledhatim, mëndafsh, dorë që vjen e prek.

Duheshin dashurisht në mes mëngjesit,
në mes gurëve të fortë e të mbyllur të natës,
të fortë si trupat e ngrirë prej orëve,
të fortë si puthja dhëmbë më dhëmb.

Duheshin ditën si plazh që rritet e rritet,
si valë që ngjitej këmbëve e kofshët ledhatojnë,
si trupa që ngrihen nga toka duke pluskuar…
Duheshin ditën, mbi det, nën qiell.

Mesditë e përkryer, ata duheshin aq thellësisht,
si det i ri në majën më të lartë, si intimitet i shtrirë,
si vetmi e jetës së gjallë, si horizont i tejmë,
të lidhur si trupa që këndojnë në vetmi.

Që dashurohen. Duheshin si hëna e shndritshme,
si deti i rrumbullt që i përngjitet një fytyre,
si eklips i ëmbël uji, si faqe e terratisur,
ku peshqit e kuq venë e vijnë pa muzikë.

Ditë, natë, perëndime, agime, hapësira,
valë të reja, të lashta, të ikshme, të përjetshme,
det ose tokë, anije, shtrat, pendtë, kristal,
metal, muzikë, buzë, heshtje, vegjetal,
botë, qetësi-kjo qe forma e tyre. Duheshin, ta dini.

Përktheu: Aurel Plasari