Poezi nga Visente Aleihandre
Si lindi dashuria? Ishte vjeshtë.
E pjekur, bota
më s’të priste. Ti erdhe gazplotë,
lehtësisht bjonde, mbi lartësinë e kohës duke rrëshqitur.
Dhe unë të vështrova. Sa e bukur
m’u duke ashtu buzëqeshur, e gjallë,
përpara hënës së mitur, ende të parritur në ndajnatë,
pa dritë, por gjithë hir në ajrin e praruar, si ti
që vije mbi kaltërsinë, pa puthje,
por me dhëmbë të pastër, me padurim për dashuri!
Të vështrova. Pikëllimi
strukej larg, me petka të varura,
si një perëndim trashaluq që ujërat e veta i tërheq.
Një shi krejt i hollë (ç’i kaltër qielli!) ta njomte
ballin e ri. I dashuruar qe, i dashuruar fati i dritës!
Aq të praruar të pashë, sa dielli
mezi guxonte të rrinte, të ndizej
për ty, nga ti, të të jepte përngaherë
zjarrmimin e tij të ndritshëm, valle e dhembshur diejsh
që rreth teje vërtiteshin, o yll i ëmbëlth,
që nginjet me rreze të lagështa, të fundta
e që, pa gdhirë mirë, aurorat derdh.
Ishe ti, dashuri, dashuri e mbrame, dashuri fat,
lindje e parafundit drejt vdekjeperëndimit.
Por jo. Ti u shfaqe. Zog, trup,
apo veç shpirt ishe? Ah, mishi yt i ndritshëm,
puthje si dy flatra të ngrohta,
si ajri që lëviz në një gjoks kur merr frymë,
dhe unë të ndjeva fjalët, erëmimin
dhe shpirtin e thellë: e kthjellët,
ti hodhe spirancë! I depërtuar prej teje deri në palcën e dritës,
I trishtë u ndjeva trishtim dashurie, se dashuria është e trishtë.
Në shpirt më lindte dita. Ajo buronte
prej teje. Shpirti yt qe tek unë.
Ndjeva thellë në gojë amzën e aurorës.
Sytë më dhanë të vërtetën e tyre të artë.
Ndjeva zogjtë të më pingëronin në ballë
duke ma shurdhuar zemrën. Nga brenda
pashë degët, lugjet e shndritshme, flatrat ndërkëmbyese
dhe një trumë pendësh të ngjyrshme e dhuratash të ndezura
m’i mori mendtë, ndërsa gjithë qenia ime mesditore,
e fortë, e çmendur, merrte zjarr duke u rritur
dhe gjaku im i zhurmshëm ziente
prej dashurisë, prej dritës, prej plotërisë, prej shkumës.
*Titulli i origjinalit: “Lindje e dashurisë”
Përktheu: Aurel Plasari
Përgatiti: ObserverKult