Vlora Konushevci: Poezia asht shpëtim

vlora konushevci Kpuctë e reja lavdi shkelë s’kanë qorrësokaqeve rrethu me lehje qensh, terru me hinin e andrrave t’shume.

Flasim përhanshëm me poeten Vlora Konushevci.

Nga: Xhemazije Rizvani

Kam lindë në Prishtinë, në orë policore, kështu e tregonte nana rrëfimin e lindjes tem. Ish pas dashtë me thirrë ndihmën e shpejtë, sepse nuk kanë guxu me lëvizë në atë kohë (prill, 1981). Baba e kish pas tepru atë natë me raki dhe kish pa mendu qe po e thirrin ndihmën e shpejtë për të dhe në formë proteste kish pas ra me fjetë.
Jam rritë po ashtu në Prishtinë, prej dy gjuhëtarëve, baba edhe poet, në nji banesë që ka qenë pothuajse e tana bibliotekë. Me u rritë me një babë të njohun e të zotin aq sa asht bekim, aq asht edhe mallkim.
Hala pa u mësu me folë, baba në poezinë e tij të parë më porosit me ju rrek leximit: “I ke mbi tre mijë libra në bibliotekë, e unë një të vetme nuk e kisha…” e kur u bana me lexu e kuptova që isha në njifarë gare imagjinare me t’kalumen e tij.  Kam lexu gjithçka, jo veç letërsi, në rininë e hershme më shumë më ka intrigu psikologjia si shkencë dhe jam kanë fort e dhanun pas leximeve mbi këtë fushë. Frojdi dhe Jungu më kanë shoqnu me vite. Bile pata vendos me studiu psikologji, por kur u bana për studime ai drejtim ende nuk ish themelu në Universitetin e Prishtinës.

Pas përfundimit të gjimnazit gjuhësor, ku e pata kuptu që të qenit “çika e Dullës” asht mallkim (pritjet e profesorëve e tejkalojshin qiellin), në formularët e regjistrimit të Fakultetit Filologjik, tek profesioni i prindit pata vendos me ia ndryshu profesionin në “Rrobaqepës”, ani se baba jem asnji pullë s’ka ditë me qep e as unë sot nuk di. Në indeks nuk e kam pas shënu hiq emrin e babës dhe ky ka qenë veprimi ma i mençëm i asaj periudhe, më pat falë paqe të pafundme.

Kam nis punën si përkthyese e gazetarëve të huaj pas luftës në Kosovë në moshën 18 vjeçe. I kam përfundu studimet në Gjuhë dhe Letërsi Angleze tue i punu shpesh herë dy orare pune. Më ka ndihmu shumë nana, tue u nis prej besimit e inkurajimit e deri tek paraqitja e provimeve dhe punëve tjera administrative.
Krahas përkthimit teknik, i cili i paguante faturat, me përkthimin letrar kam nis me u marr që prej kohës së studimeve, konkretisht me figurat kryesore të lëvizjes romantike si John Keats, Lord Byron, Percy Bysshe Shelley etj.

Pas studimeve jam martu dhe jam ba nana e Malit, bekimit ma të madh në jetë deri sot. Ditëlindjet e tij i festoj edhe si rilindje të vetvetes. Në albumin e ditëlindjeve të Malit mungojnë fotografitë e ditëlindjes së tij të pestë. Atë ditëlindje nuk e patëm festu. Ai vit ka qenë i zi katran (2013), kur brenda shtatë muajve më kanë vdekë të dy prindërit dhe jam shkurorëzu.

Por, nuk duhet me leju që fatkeqësitë me ta deviju udhën, madje nuk duhet as me i pa si devijim por si pjesë të rritës, si pjesë të udhës të cilën duhesh me kalu, se veç ajo udhë asht e jotja. Sot më janë randu hapat por kur vendosi me i qitë përpara i qes plot siguri e vetëbesim. Mirënjohëse ndaj tana furtunave që më kanë ba kjo që jam. E vetëdijshme se mësues ma të pamëshirshëm, por edhe ma të urtë sesa jeta nuk ka.

përkthimin vlora konushevci alternative war
Vlora Konushevci

Kush është dhe s’është Vlora Konushevci?

Po të përgjigjem me vargjet e poezisë “Tash”:

Unë e kam lanë shpinë që era andërr i ka ardhë

sot edhe veten e kapërcej!

Pse të jesh grua në Kosovë është më pak se njeri?

Poeti përveçse asht vëzhgues vigjilent, asht edhe dëshmitar i patrembun i fenomenve që e rrethojnë. Poezia asht edhe revoltë, vendimi për me kriju, zgjedhja artistike me i dhanë za nji subjekti a nji çështjeje shpesh herë ndjehet edhe si urgjencë. Në këtë kontekst edhe poezia jem, vargu i të cilës po citohet këtu, asht revoltë ndaj dhunës subjekt i të cilës janë gratë. Statistikat flasin. E di që poezia nuk mjafton me e shpëtu botën, por kujtoj që edhe heshtja përballë këtyre akteve asht bashkëpunim i pafalshëm.

Ku e gjen paqen Vlora?

Në vetmi.

Çfarë s’të shqitet mendsh?

Ditën e parë të çlirimit kam nis punën, si përkthyese, me gazetarë të “The Times” të Londrës. Dhimta dhe trishtimi që e kam ndje atëherë asht gravu përjetësisht në shpirtin tem. Fatura që e ka pagu ky popull, e në veçanti gratë, për këtë iluzion t’lirisë asht kolosale.

Çka nuk të mësoi baba për poezinë?

Shpërthimin dhe dhimtën.

Çfarë ka prej luftës në ty?

Unë prej natyrës jam ma kërkuese dhe ma rebele, prandaj besoj që edhe arti i krijimit letrar e kërkon njilloj guximi që e shkund lexuesin, që e shkakton njilloj revolucioni të brendshëm e t’i çel pak sytë. Letërsia nuk e ka për qëllim veç argëtimin, por kur të gjitha këto ndërthuren edhe me nuanca argëtimi, natyrisht, që asht ma bukur. Ndërkaq krijimtaria që i kushtohet luftës asht nji shprehje e ndërgjegjes historike e politike në funksion të kujtesës kolektive.

Çfarë nuk fal kurrë?

Falja asht e shëndetshme për veten, jo për të tjerët.

Përse të shërben harresa?

Me jetu n’paqe.

Çfarë nuk i ka hije Kosovës?

Arroganca dhe mosmirënjohja.

Çfarë s’bën dot vetëm?

Seks të mirë, theksi tek “mirë”, sepse bahet edhe vet.

Në një botë pa poezi kush do të ishte Vlora?

E çmendun, poezia asht shpëtim.

Pa kë nuk mundesh dhe të boshatisen ditët kur nuk e sheh?

Pa Malin, djalin tem, edhe pse ka nis me u pavarësu dhe unë kam nis me i lëshu frenat, edhe pa budallëkun e motrës tem, Blendës.

Çka nuk të pëlqen te vetja?

Fitili i shkurtë. I adhuroj njerëzit që kanë durim. 

Cila poezi të mban pezull kur e kujton?

“Because I could not stop for Death, He kindly stopped for me” – Emily Dickinson, personalizimi i vdekjes në poezinë e saj asht mjeshtëror.

Çfarë të mësoi pandemia?

Gatimin. Brumit fort s’ia kam pasë haberin, sepse kam nis të punoj shumë herët. Gjatë pandemisë në nji rast Mali tha: “Mami unë kurrë s’e kam ditë që ti di me gatu kaq mirë!”. As unë s’e kisha pasë ditë…

A e ke parë frikën ndonjëherë në sy?

Po, disa herë dhe disa lloje frikash. Frika prej vetes asht ma e keqja. 

Cilat libra të kanë formësuar?

Ka shumë, por dua ta përmendi nji libër fenomal që e kam lexuar së fundi nga Tara Westover me titullin “Educated”. Ky asht nji rrëfim autobiografik i autores, ku shpërfaqet suksesi i luftës për rikrijimin e vetvetes përkundër rrethanave brutale dhe tragjike. Asht nji rrëfim i besnikërisë ndaj familjes dhe vlerave absurde të imponuara nga ajo, dilemat, përpjekja dhe betejat me veten për t’i tejkalu ato vlera dhe trishtimi që e përcjell shkëputjen e lidhjeve të ngushta familjare. 

Cilët janë autorët që i do më fort?

Ka shumë, tanët dhe të huajt. Në periudha të ndryshme të jetës njeriu favorizon shkrimtarë të ndryshëm që ia plotëson si duket nevojat e periudhës jetësore, p.sh. gjatë rinisë së hershme i kam adhuru klasikët. Më vonë, shkrimtarët e Lindjes së Mesme, si : Orhan Pamukun, Khaled Hosseinin,  nji kohë tjetër Hemnigway, nji periudhë tjetër Viktor Frankl që nuk asht hiq shkrimtar, por psikiatër austriak, i mbijetuar i kampit të Aushvicit. Ai ka shkruar një kujtim/libër të titulluar “Man’s search for meaning”. Përmes përvojave personale dhe përvojave të të burgosurve të tjerë të Aushvicit, e paraqiti teorinë e logoterapisë, sipas së cilës kuptimi, jo suksesi apo lumturia, asht forca që drejton jetën njerëzore. Së fundi edhe historian/filozofi Yuval Noah Harari.

Cili është pengu më i madh për ty?

S’kam peng aq të madh, kam copa të vogla pengjesh që dikur mbase edhe kanë qenë të mëdha, por me kalimin e kohës kanë nis me u zhdukë. 

Kujt s’i thua dot “më fal”?

Atyre që s’janë ma.

ObserverKult

Lexo edhe:

VLORA KONUSHEVCI: LAVDI VETES!

ANTOLOGJIA E POETEVE SHQIPTARE “MAGMA”: INTERVISTË ME PËRPILUESEN DHE PËRKTHYESEN VLORA KONUSHEVCI (VIDEO)

“ALTERANTIVE WAR”, NË ANTOLOGJINË BOTËRORE LUFTA NË KOSOVË PREZANTOHET NGA VLORA KONUSHEVCI