Vuajti 26 vjet në burgjet e diktaturës, ku e humbi edhe shikimin- rrëfen se çka ishte “tortura e dollapit”

Dëshmia e ish-të burgosurit: Ismail Çeprati
Foto ilustrim

Urim Elezi vuajti 26 vite të jetës së tij në burgjet e diktaturës, ai është një prej dëshmitarëve të rrallë mbi torturat çnjerëzore që ushtroheshin ndaj të burgosurve politikë në Shqipëri.

Gjatë torturave në burgun e Burrelit humbi edhe shikimin duke jetuar dekada të tëra deri në ditët e sotme në verbëri të plotë. Por mes shumë rrëfimeve për torturat, ai tregon edhe rreth një torture që i bënë në hetuesinë e Korçës. Në librin e tij me kujtime “Ashtu si vetë jeta ime”, e përshkruan kështu “Torturën e Dollapit”:

“Gjatë hetuesisë, kujtoj me shumë tmerr dollapin në kat të parë, pranë arkës, ku linin plehrat të burgosurit. Më torturonin për të nxjerrë që, për t’u arratisur, u kisha thënë edhe dy vëllezërve të mi të tjerë Bilbilit dhe Festimit… më godisnin për një kohë të gjatë në çdo pjesë të trupit. Ndërkohë që “i madhi” priste të pohoja me gojën time që u kisha thënë edhe vëllezërve të mi.

Të gjitha këto bëheshin për të shtuar dozën e kënaqësisë së arrestimeve. Pasi panë që me tortura nuk nxorën gjë. Më marrin 2 veta, më lidhin këmbët e duart me zinxhir, s’po kuptoja ç’po ndodhte. Dalim nga dera dhe më fusin në dollapin, i cili kishte përmasa të tilla sa unë rrija i palosur.

Koka më zinte barkun dhe këmbët zinin derën. Plot 6 orë më lanë aty…Siç duket këtë torturë e kishin menduar që më parë. E mora vesh që kisha qëndruar 6 orë aty, pasi dëgjova xhahilët Petro Tasellari dhe Ago Sina që folën me njëri-tjetrin: “Si mo, “ariu i Bosdovecit” rezistoi 6 orë pa i rënë të fikët….”, tha Urim Elezi/kujto.al

ObserverKult

——————

Lexo edhe: