Walt Whitman: Më kujtohet vetëm ajo grua që më deshi me shpirt…

buzeqesh e bukur

Një herë kalova përmes një qyteti me shumë popull,
Shënoja në trut’ e mi, që ta përdor më vonë,
Pasqylirat e tij, arkitekturën, zakonet, traditat;
Po tani, nga gjithë ai qytet më kujtohet vetëm një grua
Që e hasa padashur dhe më mbajti se më deshi;
Ditë për ditë e natë për natë qemë bashkë –
Gjithë të tjerat më kanë dalë nga mendja;
Them, më kujtohet vetëm ajo grua që më desh me shpirt;
Prapë shkojmë bashkë – duhemi – prapë ndahemi;
Prapë më mban përdore – nuk duhet të shkoj!
E shoh ngjitur meje, buzëkyçur, t’hidhëruar, duke u dridhur.

Përktheu: Skënder Luarasi

ObserverKult

—————————————————————————————–

LEXO EDHE:

Walt Whitman: Sikur të matesha dot me…

Sikur të matesha dot me fuqinë e bardëve të mëdhenj,
Të skalitja tiparet e bukur e madhështorë,
Të thërrisja në duel Omerin me gjithë luftrat e luftëtarët –
Akilin, Ajaksin, Hektorin,
Të vizatoja si Shekspiri Hamletin, Lirin, Otellon të mbërthyer
në prangat e vuajtjes tronditëse,
Ose si Alfred Tenisoni të këndoja bukuroshet leshverdha,
Po të zotëroja mjeshtërinë e vargut
Dhe ritmin e përsosur – ëmbëlsinë e këngëtarëve –
Të gjitha këto së bashku, o det, unë do t’i falja me gëzim,
Po të doje ti të më kumtoje lëkundjen e njëzë vale, një teke
të saj vetëm,
Ose ta frynte vala vargun tim me frymën e saj të njomë,
Duke i dhënë vjershës aromën detare.

——————————————————————————————–

LEXO EDHE: Whitman: Mbani fytyrën tuaj gjithmonë drejt diellit – dhe hijet do të bien prapa jush

ObserverKult ua sjell disa thënie të poetit amerikan, Walt Whitman:

Kam mësuar se të qenit me ata që dua është e mjaftueshme.

Mbani fytyrën tuaj gjithmonë drejt diellit – dhe hijet do të bien prapa jush.

Unë ekzistoj siç jam, kjo është e mjaftueshme.

Unë nuk e pyes njeriun e plagosur se si ndihet, unë vetë bëhem njeri i plagosur.

Shikimi, dëgjimi, ndjenja, janë mrekulli, dhe çdo pjesë dhe fije e imja është një mrekulli.

Çfarëdo që e kënaq shpirtin është e vërtetë.

Të gjitha gabimet mund t’i falen atij që ka sinqeritet të përkryer.

Ji kurioz, jo gjykues.

Rishqyrto gjithçka që të është thënë… zhduke atë që fyen shpirtit tënd.