O kapiten, kapiteni im!, poezi nga WALT WHITMAN, në nderim të presidentit amerikan, Abraham Linkoln
O kapiten, kapiteni im! Udhëtimin e mundimshëm e mbaruam,
Anija qëndron përmbi valë, çfarë donim e fituam.
Porti është pranë, kambanat bien, njerëzit të ngazëllyer
Me sy ndjekin kiçin, anijen e zymtë e guximtare.
Por zemër, oh zemër, zemër
Që gjak pikon
Kur kapiteni im, në kuvertë,
Shtrihet i ftohtë, pa jetë.
O kapiten, kapiteni im, ngrihu dhe kambanat dëgjo,
Zgjohu! Për ty flamuri valëvitet,
Për ty trumbetat bien,
Me kurora dhe buqeta në breg njerëz janë mbledhur,
Për ty thërrasin:
O kapiten, i dashur atë!
Me krahun nën krye
Duket si ëndërr që, në atë kuvertë,
Shtrihesh i ftohtë, pa jetë.
Kapiteni im nuk përgjigjet, buzët i janë zbehur krejt,
Prekjen time më s’e ndjen, s’ka puls, s’ka vullnet.
Anija hedh spirancën, i erdhi fundi udhëtimit
Me guxim e fitore.
Gjëmoni ju brigje! Bini kambana!
Përzishëm eci në kuvertë
Ku kapiteni im shtrihet i ftohtë, pa jetë.
Përktheu: Elona Qose
ObserverKult
Kliko edhe:
WHITMAN: MBANI FYTYRËN TUAJ GJITHMONË DREJT DIELLIT – DHE HIJET DO TË BIEN PRAPA…
Kliko edhe:
WALT WHITMAN: SIKUR TË MATESHA DOT ME…
Sikur të matesha dot me fuqinë e bardëve të mëdhenj,
Të skalitja tiparet e bukur e madhështorë,
Të thërrisja në duel Omerin me gjithë luftrat e luftëtarët –
Akilin, Ajaksin, Hektorin,
Të vizatoja si Shekspiri Hamletin, Lirin, Otellon të mbërthyer
në prangat e vuajtjes tronditëse,
Ose si Alfred Tenisoni të këndoja bukuroshet leshverdha,
Po të zotëroja mjeshtërinë e vargut
Dhe ritmin e përsosur – ëmbëlsinë e këngëtarëve –
Të gjitha këto së bashku, o det, unë do t’i falja me gëzim,
Po të doje ti të më kumtoje lëkundjen e njëzë vale, një teke
të saj vetëm,
Ose ta frynte vala vargun tim me frymën e saj të njomë,
Duke i dhënë vjershës aromën detare.
Përktheu: Skënder Luarasi
ObserverKult