Përkujtim për djalin tonë Luranin dhe vajzën tonë Linditën
Nga Xhabir Ahmeti
Qiej vishuni në të zi, edhe ju yj më mos ndrini!
Qiej vishuni në të zi
Edhe ju yj më mos ndrini!
O hënë mos dil përsëri
Gjithë të helmuar rrini!
Ja katër vargje plot protestë të Naimit… kur e përshkruan largimin nga jeta të bijës së tij fare të re në vjershën “Një lul’ e vishkur”. Një protestë kozmike për humbjen e fëmijës, një goditje të tillë njeriu s’ia dëshiron askujt. Kur i pata lexuar si adoleshent këto vargje më erdhën si një bubullimë me vetëtima, të përcjella me rrufe, por që ishin larg diku matanë kurrizit të vargmaleve. Megjithatë ato nuk të linin pa hijen e vërejtjes: kujdes! Kujdes se ato janë paralajmërim se gjithkush mund të ballafaqohet me një çast të ligë, me një mynxyrë, e cila s’e ka kursyer poetin tonë.
Sa herë që më kujtoheshin më vonë ndër muaj e vite këto vargje e ndjeja një shije të çuditshme, një hidhëti, të them, një nevojë që të bën të ikësh nga ato çaste të bubullimave, vetëtimave e rrufeve, nga ai moment kur fatkeqësia e godet njeriun në këtë mënyrë, duke ia marrë krijesën më të dashur – fëmijën. Në këso rrethanash gjithkush do të kishte kërkuar një vend në një realitet të ri, të ndryshëm nga realiteti që të bën dëshmitar të një llahtari i cili e prek dikë kushdo qoftë ai dhe kudo qoftë ose madje le të jetë kjo ndonjë ngjarje hidhërimi e dhembjeje që ta sjell kujtimi. Do të kishte ikur… E nuk iket nga hidhërimi e nga përjetimi i tragjedisë së këtillë sepse ajo bëhet skenë e cila gjithmonë mbetet me perde të hapur, një skenë ku “pushka e Çehovit” e varur diku në mur nuk pret të kërcasë, por ajo është një pushkë që kërcet papushueshëm duke e bërë shpirtin shoshë nga plagët. Dhe, çdo ditë si qielli që zgjerohet vazhdimisht jo si kaltërsi e pafund, por si pafundësi me yje përvëluese, edhe shpirtit i shtohen plagët e pafund që vijnë nga humbja e fëmijës. Prandaj në këto vargje “urdhërohet” i tërë kozmosi t’i dorëzohet heshtjes dhe zisë, e hëna me yje mos të dalë më. Kjo do të thotë se edhe gjithçka tjetër që na rrethon, bimësi e gjë e gjallë, duhet ta kuptojë dhembjen e poetit për shkak se atij i ka ikur e bija e vetme që do të thotë i është shterur gurra e frymëzimit, që do të thotë më tutje ka mbetur pa Muzën e cila ta lexon në vesh bukurinë e jetës, e më në fund ai e humb kuptimin e bukurisë së jetës.
Ftohtësia polare të mbështjell në këtë gjendje dhe ti pluskon, një gjendje që mund të përshkruhet si një mbetje pezull në errësirën e xingonës.
Në hall të madh ka qenë Naimi. S’ka pasur kush “ia dikton” vargjet që do të thonë Jetë kur ai mbetet pezull në errësirën e humnerës pa frymën e bijës së dashur.
Si mund ta ketë pasur Naimi?! Vargjet tregojnë si e ka pasur.
Po a mund të merret me mend që me këtë tmerr të ballafaqohesh kur je prind, kur i ke dy fëmijë, vajzë e djalë, kur e ke në familje renë dhe një mbesë dhe vjen një çast hop dhe i madhi zot ta merr djalin një herë, Luranin tonë, si pasojë reja e mirë Edlira e mbesa jonë engjëllore Arba e vogël janë të shtrënguara të largohen nga oxhaku dhe pas tre vjetësh Hefesti të troket te dera dhe nga duart ta merr edhe vajzën e vetme aq të dashur, Lindushin, e cila dashurinë për jetën e për njeriun e jep të qëndisur në vargje të buta. Dhe, kjo është një situatë në të cilën zija e vesh çdo kënd të shtëpisë me pelerinën e vet , kurse fati për karshi i derdh thasët me rërën e harresës anë e kënd atdheut.
Rrimë tash burrë e grua, nënë e babë të Lindushit e Luranit, e kërkojmë veten nëpër këndet e shumta të asgjësë dhe presim ndoshta Godonë.
Mirem, i them time shoqes, mbrëmë në gjumë e ke thirrur Vajzën tonë – Linduuush!
Nuk më kujtohet, thotë dhe përlotet.
Unë deri në mëngjes e mbaj në dorë një libër e s’i dal në qosh ngase në fakt flas herë me Luranin, herë me Linditën. Sa të qartë më vijnë zëri i metaltë i Luranit dhe zëri kumbues i Lindushit. Vijnë zërat e tyre me fjalët që aq shpesh i thoshin plot dashuri duke na u drejtuar neve: babi im, mami im! Pastaj bie heshtja e rëndë dhe pagjumësia na godet me bërryla në kraharor. Pastaj ime shoqe e bën qull me lot nënkresën, kurse unë e pres yllin e dritës, ndërkaq ai nuk del më para dritares sonë.
Tre vjet e ndonjë muaj u bënë pa Luranin, katër muaj edhe pa Linditën.
Me çka e merituam këtë tragjedi?! më pyet ime shoqe.
Heshtja ime e rëndë e jep përgjigjen.
ObserverKult
Lexo edhe:
XHABIR AHMETI: LINDUSH, MBRËMË PËR HERË TË PARË SHKOVA NË NJË MANIFESTIM LETRAR PA TY…