Nga Xhabir Tabaku
Kishte tri ditë që binte shi. Pa ndalë. Kisha një plan, por shiu ma rrënoi, ma shëmbi. Do thoja se e urrej shiun, por jo. Në të vërtetë e dua. E dua edhe vransirën. Më shkojnë përshtat, s’e di pse. Nëna më thoshte përherë se kur isha i vogël, përditë shkoja në dritare sa ngrihesha nga gjumi dhe kur shihja vranët a shi, kërceja përpjetë. Kur u rrita e m’u dha mundësia, vizitova një doktor. Më tha se kjo më së shumti kishte të bënte me mjekun e nervave. Më vonë takova doktorin e nervave.
Ai ishte i klasit të parë si doktor. Ma rekomandoi Meri, një mike e imja, shoqe shkolle. Meri ishte skizofrenike dhe shihej çdo dy – tre muaj me doktorin. Vizita me të, zgjati nja katërdhjetë – katërdhjetepesë minuta. Do ju tregoj një herë tjetër ç’më tha. Por atë ditë, atë ditë herët dola nga shtëpia me një çadër të vogël në dorë. Fillova të ecja pa drejtim të caktuar e pa qëllim më vete. Mendjen e kisha si të mpirë. Nuk fantazoja fare. Zakonisht fantazoj … Atë ditë jo. Mora një gazetë te dyqani i parë që ndesha. Nuk kisha ndërmend ta lexoja, jo … Nuk di pse e bleva. Nuk mendova fare, por veç eca e eca pa u ndalë për nja dy orë. Ndjeva lodhje.
Këmbët më ishin bërë dru. Nuk eci gjatë zakonisht. Isha në një rrugë të Millwall-it, Vanderhempf Street. Rruga ishte e shtruar me kalldrëm. Diku – diku zbuloheshin shinat e mbuluara me gurë. Shinat e vjetra të tralibusit. Një magazinë e vjetër dhe e braktisur ishte e mbuluar me llamarina. Teneqet e vjetra e të ndryshkura bënin një zhurmë monotone, pak nga era e pak nga shiu. Shiu binte me rrëmbim. Litarë – litarë. Një burrë pak i moshuar, me mjekër të gjatë e të thinjur, po përmirrte në trotuar. Ishte i mbajtur me njërën dorë në shtyllën e elektrikut e me tjetrën mbante hallatin. E kishte nxjerrë krejt jashtë dhe ashtu të varur e shkundte pa ndalë duke shpërndarë sa andej këndej pikat e shurrës. Më hodhi një vështrim të papërcaktuar dhe filloi të qeshte. Një herë desh e shava dhe mora mënjanim nga trotuari për nga rruga. Mandej ndërrova mendje. Ndjeva si dhembshuri. Disi u trimërova dhe u drejtova nga ai:
– Hej! Ç’bën?
– Ja, po shurroj … haha…
Jargë i rridhnin nga buza e poshtme. Vetullat e trasha e të pandrequra kushedi qysh kur, i binin mbi sy. Flokët, ndonëse të thinjur e të pakujdesur prej kohësh, dukeshin të dendura e me pak përdredhim. I kishte të gjatë, deri poshtë shpatullave. I kishte mbledhur në fund dhe i kishte lidhur me një lastik. Nga ata lastikët, me të cilët të mbështjellin shitësit letrën me ushqime, atje nga qendra e Londrës.
Pantallonat i kishte të kadifenjta, me ngjyrë jeshile të errët. Pak të zhulta e të zhgërryera përdhe. Nuk e mbylli qemerin e pantalllonave dhe mund t’ia shihje kollaj ç’kishte brenda. I thashë:
– Mbylle! Të shihet krejt.
Ai qeshi e me pa në sy, duke qeshur e duke u kollitur.
– Ke duhan?
– Po. – i thashë dhe i zgjata dy-tri cigare nga paketa Chesterfield që kisha në xhep, aq sa më zunë gishtat.
– Po shkrepëse, ke?
– Po. Ja! Ia zgjata çakmakun.
– M’i jep pesë pound?!
– Jo. Do i shpenzosh për alkool, – i thashë … Ai heshti dhe uli kokën poshtë, duke u munduar më kot të mbërthente zinxhirin e pantallonave. Shiu vazhdonte të binte me rrëke …
Fillova të ecja ngadalë e ai m’u vu pas.
– Avash, avash! – ku shkon?
– Mos ec shpejt! Prit të shkojmë bashkë deri te dyqani i Foksit.
– E njeh Foksin ti?
– Jo.
– Oh, është burrë i mirë. Më merr përherë pesë pound për një arkë me katër birra. Ajo kushton 6 pound. Unë i mbaj mend dhe një ditë, do i mbledh e do ia kthej të gjitha.
– A do m’i japesh pesë pound?
– Jo… të thashë një herë. Nuk t’i jap, se do blesh birra …
Heshtje… as nuk fliste, as nuk shpejtonte, por me ritmin e tij të ngadaltë rropatej të mbërthente pantallonat e të më ndiqte pas.
Ecëm nja dy – tre minuta pa folë. U ndal, nxori hallatin prap, dhe filloi të përmirrte mu në mes të rrugës. Unë desha të vazhdoja ecjen, por ndala . M’u duk sikur po e braktisja nëse do ecja. Më shihte drejt në sy e vazhdonte të dirdhte urinën në mes të rrugës.
– Si e ke emrin? – më pyeti. Nuk desha të flisja ndërkohë që ai shurronte, por nuk ia ndava sytë. Ai fliste e fliste ngadalë. Mandej ia ktheu me këngë. Këndonte përçart, një këngë që nuk e kisha dëgjuar kurrë. Të shumtat e fjalëve nuk i kuptoja. Mbasi mbaroi, e shkundi ashtu faqe meje, pa iu dridhur syri e pa u turpëruar fare. Buzëqesha dhe eca ngadalë përkrah tij. Më tha se e quanin Nik. Kishte qenë veteriner, por nuk punonte më. Më tha poashtu se lexonte shumë. Nuk e besova. Ai e dalloi, e filloi të më fliste për Espinozën, Marksin e Frojdin … Nuk u çudita shumë. Në Londër, shpesh ndesh në njerëz të tillë. Shurrojnë në stacion të trenit, të lypin nji qindarkë e mandej të recitojnë Majakovskin. Nik, mund të ishte nja gjashtëdhjetë vjeç me mendjen time. Nuk ecte shpejt por dihaste kur frymonte.
– Pi duhan shumë Nik?
– Po, tha dhe nxori një dhe e ndezi.
– Kam pirë duhan që fëmijë. Nëna pinte shumë e unë i vidhja nga një dhe e ndizja fshehurazi. Arritëm te dyqani.
– Ja, ky eshte dyqani i Foksit. Këtu blej birrat përditë. Hahaha!
– Qeshi dhe më shihte në sy. Sytë i kishte të mëdhej e të lëngët. Blu. Nga ajo bluja e qiellit mesdhetar. Mollëzat e faqeve të kuqe e dy a tre dhëmbë mangut. Kishte një pallto gri të errët dhe një shall jeshil leshi i sillej qafës përreth. Një triko, po jeshile, i shihej nën pallto. Këpucët e lagura dhe të pista, dukeshin të paraluftës së dytë …
– Mirupafshim zotni! – më tha dhe më zgjati dorën.
– Je i uritur? – e pyeta.
– Po.
– Do të hash gjë?
– Jo. Nuk dua.
– Po deshe, t’i jap pesë pound e ha diçka.
– Jo-jo; tha, e më ktheu shpatullat.
– T’i jap pesë pound e bleji ushqim më vonë?
– Jo djal, jo! Nuk i dua. Po m’i dhe pesë pound, do t’i blej katër birra tani.
– Oh! OK. Iu afrova dhe i dhashe dhjetë pound.
– Pesë për birrat e pesë për ushqim më vonë, Nik. E përqafova dhe i shtrëngova dorën.
Kënaqësi që të takova, Nik! Kisha tri ditë pa folur me njeri. Jam i huaj këtu. Jam student e i vetmuar.
– A të përqafoj edhe një herë? Pa pritur përgjigje, më hodhi dy duart në qafë.
Shtrënguam duart edhe një herë e u ndamë. Isha vetëm një metër pa shkuar te kthesa, kur më thirri:
– Zotni! Zotni, të gjitha paratë që më dhe do i blej birra! Hahahahahah! – vazhdoi me zë të çjerrë.
-Faleminderit, mik! – foli duke u kollitur e duke ecur drejt dyqanit të birrave.
ObserverKult
*Titulli i origjinalit: “Shi”
Lexo edhe: