Xhabir Tabaku: Asht e vështirë me shkrue për diçka që e don me shpirt

Nga Xhabir Tabaku

Manjola.

Nxehtë, shum nxehtë. Kur je vetëm, të kaplon herë malli herë dëshira… Ashtu konfuz si je, dorëzohe. Mbyll sytë…

Asht e vështirë me shkrue për diçka që e don me shpirt. E a duhet diçka ma shum se vendi ku ke lé? Me shkrue për vendlindjen asht nji zor i llojit të vet, e me shkrue për Shkodrën, asht zor i nji llojit tjetër. Zor absolut.

Shkodra asht ma shum se diçka që e don me shpirt, a diç’ tjetër pos vendlindje. Asht luleborë thotë kangëtari. Ose violinë, muzikanti. Por Shkodra asht tejet ma e komplikuar se nji fjalë sado shkencore, llogjike, romantike, a poetike të jetë ajo.
Ndodhesha në një plazh në fund të botës një herë e më ra në mend Shkodra jême.
Se pse kërkoja me gjetë një fjalë të veçantë me e përcaktue atë. Nji fjalë që të kishte gjithçka n’vete. E si bleta duke qëmtue nga një fjalë tek tjetra, fillova me andërrue.

– Asht mirë kur andërron, më thoshte nana kur isha i vogël e shpesh përhumbesha n’andrrime. Jo veç asht bukur me andrrue, por asht melodike. Kur ndalet andrra, vazhdonte ajo, ke dy gjendje: -melankolike, ose frymëzimi. Melankolija, ta njom shpirtin e frymëzimi ta lulëzon. -Andrro shpirti nanës, andrro!

Të nxehtit e thatë në plazh, ani se nën hije, të sjellë në njifarë gjendje dehjeje… deliri, e andrra merr rugë. Je as çuet as fjetë. As në tokë, as në ajër; në gjendje ekstaze, çdo lëvizje jasht teje ta këputë në mes, ta prishë andrren. Përveç gjakut që lëvrinë dejve me vrull djaloshar e mpakjen e dritave të trunit, asgja tjetër nuk dëshiron. Hapsina, asht kufini jot mendor. Valat e nxehta të mallit, çapërtisin ambël njitrajtësinë e vokët të andrrës dashnore.
Valat e ujnave që lagin qytetin tand të largët… valat e rrëmbyeme të ujnave turbull që kalojnë shtretnit dhe rrëmbyeshëm i futen qytetit n’për ahre, ia lëkundin temelet shpijave të vjetra. Vajzat e bukura e djemt që hijeshojnë qytetin… Andrra asht gjendja ma e pëlqyeshme për këdo.

– I verbëti andrron ma s’shumti, më thoshte nana, ai e don ma fort atë që e andrron. I verbëti edhe andrron ma bukur atë që don, e andërron si don vetë, thoshte ajo duke më shiku ngulm, me sytë e saj kandila të ndritshëm e qershi të ambël… Ma merrte kryet dhe ma mbështeste në krahnor duke më puthë e duke përshpëritë në heshtje deri më zente gjumi; -verbohu kur t’andrrosh shpirt! -andrro bukur… e andrra merrte rrugë. Andrro…
Në pikun e zhegut, në vend të huej, në gjendje gjysëm ekstaze e gjysëm andrre, ftyrës i bie një nur i paqët, buzët lëvrijnë lehtë si flegra të holla kënaqësie, si lulkuqet fushës së grunit n’puhi.

Ndjen diçka që të lëvrinë mbrenda shtatit, diçka si llavë gjaku e trashë që ngjitet ngadalë nga fundi i barkut drejt trunit… Andrra asht duke shkue kah fundi e flegrat tueja të hundës si vela të vockla lundrash liqeni hapen – mbyllen. Kapakët e syve belbëzojnë, shtrëngojnë lehtë dhambët, nuk duan ti shqiten andrrës…
Papritë, krejt ky shkulm, lamsh ndjesishë, vjen e ndêjet paqët e ti shef vedin shtri në bahçe të shtëpisë së moçme ku leve, ashtu fëmijë i vogël. Çarçafat e ndêjun telave farfurijnë bardhësinë e Zotit e drita ta mbulon shtatin, mendjen. Andrra fillon me t’lëshue si narkoza, amull, ngadalë e qetë. Aroma që thithë me kënaqësi, ngjyrat e ambla që shef si n’mjegull, ngazëllimi që shijon…

Oh!!! Shtriqesh lëshuar si ferishte e lëpinë buzët lehtë-lehtë. Manjolë… del fjala, bashkë me buzëqeshjen tande nga goja lang dëshire e dashnije. E gjeta fjalen; -Manjolë asht Shkodra.
Rreth teje, veç hapsina… e drita e Zotit.
Diku larg, qyteti jot Manjolë.


ObserverKult

===================

Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: FSHATI KISH’ MARR’ IKEN