Poezi nga Xhabir Tabaku
kur të shkoj në Shkodër,
do e shëtis natën më këmbë
qytetin anembanë
do t’i bi livadeve tërthor’
do t’lahem te fiqt’ në Bunë
do e pres lumin n’dajlane
dallnyshë gjoksin Drinit t’ia rrasi
nga kambët e urës n’Bahçallëk;
e kafenë e mëngjesit diku ul’ në trotuar
ta pi me ‘i fukara.
mandej malin do ta marr
e nga Taraboshi nalt
me ashk Shkodrën ta kundroj
akshamin do e fali te xhamija e Parrucës
kur të shkoj në Shkodër
do të ndjehem i huaj
pa familje, pa shtëpi
ku ka qenë shtëpia ime tash asht ngritë një pallat
kojshitë s’janë ma
do jan’ hallakatë si gjetht në vjeshtë
do të tjerë fëmijë i lash’
e tash burra jan ba-a gra
vetmitar në qytetin tim do t’ndjej zbrazëti
kur të shkoj në Shkodër,
a s’vjen me mua o mike ti?
më ban të ndjehem ngrohtë
n’qytetin ku leva e u rrita
por ma s’më njef njeri!
—bëhu ti Shkodra ime! -ta përqaf’
e ta puth në sy.
ObserverKult
Lexo edhe: