Xhabir Tabaku: Tiranë

Qyteti i mbuluar nga re pluhuri
frymon zhurmshëm
jetët e mozaikut postmodern shqiptar.

Tirana pulson me ngut si zemër e plakur
e një gruaje të mundimshme…
plot halle.

Gjithçka ndodh aty; – ecejaket vetëm shihen;
-brengat janë të ndryra apartamentesh të ngushta,
kafeneve ekstravagante – sinonim i mjerimit.

Tirana ime e bukur,
sa të kan’ përdhunuar të “tutë”!
Edhe zemrën po ta shkulin…
e njerëzia heshtin.

Ta mbyllën Et’hem Beun Tiranë,
ta mbyllën.
Ta zhveshën identitetin.