Xhevahir Spahiu: Humbje…

Kisha menduar të shkruaja
një këngë triumfi për ty…

Po ti e paske humbur, miku im.
Si ai që goditet papritur me grusht
dhe sytë i erren,
si ai që bie në lumë befasisht
dhe fryma i merret.
Ku shkoi vështrimi i kthjellët,
ç’korba e hanë
dhe ç’heshtë e helmatisur t’u ngul
në ballin e ëndrrës pa anë?

Cila fjalë,
cila kohë,
cili zot
të bëri të flasësh me vete?
Humbamenoja im,
i pagojë si sendet.
T’u fashit siç fashitet një zjarr
Hakërrimi
e ti – luan i pajetë në xhungël;
era përgjon
sa të kthehesh në flugër.

A thua je i tëri i humbur?
Shikomë në sy!

Kisha menduar të shkruaja dikur
një këngë triumfi për ty…

ObserverKult