Poezi nga Xhevahir Spahiu
Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete,
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar
asnjëherë.
Sa do të doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?
Për të djeshmen time ti mund të pyesësh
një lumë,
do lisa, një dem,
edhe varrin e nënës.
Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.
1989
*Titulli i origjinalit: “Sonte”
ObserverKult
Lexo edhe:
XHEVAHIR SPAHIU: SHEMBJA E NJË NATE DASHURIE
Poezi nga Xhevahir Spahiu…
Ktheva kokën, mbajta hapat:
binin tjegullat, binin trarët,
binte qielli i një nate dashurie.
Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,
shemben yjet tani, bëhen pluhur.
Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,
s’ka mure me plasaritje të etshme,
skelete fjalësh në gjysmerrësirë,
skelete ëndërrash, premtimesh të nesërme
Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,
një grusht eshtrash të një nate gërmadhe.
Në cep të rrënimit
dy burra po pinë qetë-qetë cigare.
Ej, ju atje!
Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,
edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si tek vullkanet.
Mos u kthe në kujtim, i thashë
mos u kthe në harrim, më tha;
botës i falëm një natë dashurie
dhe kjo s’është pak.
Një natë. Dhe çfarë nate!
Dora mbi sup,
hëna mbi mal,
qielli i kaltër i botës mbi krye…
Mbajeni, mbajeni!
Ajo po bie…po bie….
Dhe ishte një natë e paemër,
siç ishin të paemërt yjet.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult