Xhevahir Spahiu, ky bir i diellit…

xhevahir spahiu
Xhevahir Spahiu

Nga Ilir Cenollari                                                                        

(Shënime kritike për krijimtarinë poetike të Xhevahir Spahiut)

Bir i diellit…! Këtë epitet do t’i vishte vetes poeti Xhevahir Spahiu në poemthin “Bota ku eci” në vitin 1977. Një metaforë e jashtëzakonshme për vetveten. Një rrëfim i vërtetë dhe i sinqertë, një pohim i guximshëm i botëkuptimit krijues, një kulm i ndërgjegjësimit intelektual. Xhevahiri ka nisur rrugëtimin e pandalshëm nëpër kohë e hapësirë, me misionin e shenjtë të përhapjes së dritës dhe mposhtjes së errësirës, i mbushur i gjithi me lëvizje, me të nesërme, me lëndë të përjetshme.

Poeti e shpall hapur manifestin e vet poetik. “Jam pikë gjaku i një bote pa fund, jam tingull i një kënge të ndershme. Gjerësinë ma japin fushat. Krenarinë malet. Fuqinë gjaku që del nga aortat tuaja. Entuziazmin buzëqeshjet njerëzore-triumf jete”.

Vizioni poetik i Xhevahirit është universal. Gjë e rrallë për kohën kur u shkruan këto vargje-manifest. Eci përmes ecjeve me misionin e këngës, eci dhe rritem, eci dhe identifikohem me lëvizjen e pandalshme. Eci dhe bëhem thelb i fjalës, eci dhe shkrihem me të tërën, me fatin kolektiv, me historinë, me gjithësinë, me përjetësinë.

Ecja poetike nuk është thjesht zhvendosje mekanike. Është çarje e kohës  së jashtme, çarje e kohës iluzive, është lëvizje fluturuese për të gjetur kohën pabesisht të vjedhur, është nxitim për të kapur kohën e humbur, vonesën shekullore. “Eci me etje të pashuar” sepse “rruga më fton tunduese si një grua”. “Sytë më kanë një ndriçim vetëtime”. “Këmisha fëshfërin si drithërat në agim”. “Edhe në gjumë Kolomb i vërtetë”. Figura të tilla letrare të kredhin në atmosferën poetike të simbolistëve francezë, të tillë si Artur Rembo, Pol Vërlen apo Gijom Apoliner.

Poeti s’ndalet, ecën, vetëm ecën “ditën bir i diellit, natën bir i hënës”. E kush mund ta ndalë një njeri të tillë. Më saktë një mbinjeri? Natyrisht një njeri i tillë, që i ngjan aq shumë mbinjeriut niçean, ngjall frikë, panik, tmerr, hutim, çoroditje për çdo tirani. 

Poeti në vend të kultit të udhëheqësit të ndritur e të pagabueshëm ngre lart kultin e njeriut të fortë e misionar. Në vend të kultit të diktatorit të përjetshëm ngre kultin e kohës në lëvizje e ndryshim të pareshtur, në vend të hapsirave të ngushta që të zënë frymën, shpalos vizione universale e të përjetshme.

Botëkuptimi poetik i këtij krijuesi dilte jashtë frymës së kohës. Jashtë kornizave të ideologjisë komuniste. Pikërisht për të gjitha këto arsye, regjimi i frikësuar nga “tingulli i një kënge të ndershme”, nga “një pikë gjaku i një bote pa fund”, nga “një rrahje zemre”, nga një e nesërme ndryshe, mendon seriozisht se si ta shuajë këtë këngë triumfi e zgjimi. Se si ta ndalë rrugëtimin e këtij biri të diellit, se si më në fund ta zhdukë nga faqa e dheut.

Vetëm rastësia do ta shpëtonte Xhevahirin nga thonjtë e vdekjes së sigurtë. Ndoshta nga që ish bir i diellit, vëlla i dritës, shok i Kolombit, eksplorator dhe zbulues i fatit të njeriut dhe të botës. Poeti i shpëtoi vdekjes por jo plumbave. Jo goditjeve, jo plagëve, jo shigjetave me helm!

Një vit më vonë, pra në vitin 1978, Xhevahiri do të ngrinte grushtin përpjejtë në shenjë revolte e zemërimi të rreptë ndaj rrebeshit të shigjetave të lëshuara në drejtim të tij: “Jo, mos ma shkulni heshtën që në brinjë ma nguli koha me sa fuqi pati…Një plumb i verdhë tejpërtej më mori,..Nga ky mjerim dhe gurët do të qanin, s’mund të mos çahej zemra si me plor, këndoni për mustaqet e sovranit, poetë të oborrit mbretëror. Kur grushti nis t’i hakërrehet  zotit, më lindi një shpresë…Dridhuni tiranë!”.

Poeti lëshon një klithmë tmerruese, një kushtrim lirie e guximi të madh qytetar. Tashmë divorci është bërë fakt i kryer, poeti është futur në konflikt të hapur me regjimin në fuqi, ka nxjerrë shpatën nga milli duke e marrë rrezikun në sy. Një guxim i tillë krijues e intelektual është i rrallë në letrat shqipe.

Vargjet e ciklit “Migjeni” janë margaritarë të poezisë shqipe; në të spikat madhërishëm karakteri i paepur e krenar i poetit shqiptar: “Kur grushti nis t’i hakërrehet zotit, dridhuni tiranë!”. Janë vargje – bubullimë, këto, që vetëm një poet si Xhevahir Spahiu mund t’i shqiptojë me zë të lartë e sfidues. Poeti u drejtohet lexuesve dhe pushetarëve: “Ju vetë e ndjeni – – se diçka mungon, se diçka është prerë kur mes “Vargjeve të lira” zbuloni, kujtoni statujat pa duar, pa këmbë, invalidët e luftës kujtoni”.

Xhevahiri i shpall hapur arsyet e zemërimit të tij, e shfaq hapur pakënaqësinë e madhe për gjendjen e vendit, e shpall hapur idealin e vet krijues:

Më veshët raso, rason jua grisa, më lypët këngë, këngët s’jua dhashë, ju prisnit trandafilë, ju hodha hithra, me thikat e sarkazmave ju rashë. Ju pyesni pse kaq dhimbje? Pse kënga del britmë rrebelimi? Vallë doni që t’iu tjerr në vesh një ninanë që të kridheni më thellë në gjumë, më thellë në terr? Jo, vëllezër, që forcën tuaj të njihni, unë shkruaj për dhembjen njerëzore, se kënga ju ndez gjakun e si ushtar vrapon me ju, që në sulme për lirinë ju të bini, në emër të gëzimit tuaj”.

Janë mesazhe tepër të qarta, që i adresohen jo vetëm lexuesit por në radhë të parë atyre që e kanë vënë në shënjestër për ta përkulur, nënshtruar, izoluar, mbytur, eleminuar. Poeti është i ndërgjegjshëm për fatin e vet dhe kjo gjë s’e tremb përderisa deklaron: “Një ditë gjithçka mund të ma merrni, po penën kurrë nuk ma merrni dot”. Ky shpërthim dufi e zemërimi nuk është i rastit dhe as i papritur.

Janë akumulime të përditshme, që pak e pak rriten, shtohen, zgjerohen deri sa kthehen në një ortek të fuqishëm i cili rrëmben këdo gjen përpara, që s’kursen kërrkënd e asgjë.

Thuhet se poetët janë dhe profetë, kjo aforizmë vërtetohet në rastin tonë. Në vitin 1989 Xhevahir Spahiu boton librin “Heshtje s’ka”! Titulli i poezisë (dhe i librit) tingëllon edhe si thirrje, edhe si kushtrim, edhe si klithmë, edhe si paralajmërim për ngjarje të mëdha, i përmbysjeve   rrënjësore dhe të papritura të reja.

Poezia kumton me zë të lartë: bota zien, vendi zien, shpirtrat ziejnë, mendimet ziejnë! Mos t’ju gënjejë mendja! Heshtje s’ka, s’ka patur kurrë, që nga koha e Adamit dhe e Evës. Dhe nuk e fsheh ankthin përpirës: “Ç’ish për ikje po ikën, vjen si foshnjë ç’duhet ardhur; ja dhe pyetja “ku shkon?” – si çengeli rri varur”.

Kohë të reja, sfida të reja. Regjimet ndryshojnë më shpejt se karakteri i njeriut, ligjet ndryshojnë më shpejt se mentaliti i shoqërisë. Pikërisht karakteret e prishura, të dobëta, karakteret e shtrëmbëruara, karakteret e cekëta do t’i bënin përshtypje të thellë poetit, do t’i ngjallnin mëshirë, dhimbje e revoltë bashkë.

Mungesa e karakterit, vesi, servilizmi, shtirja, lajkatëria shpien në skllavëri, kultivojnë padrejtësinë, frikën, përuljen, poshtërimin, kalbësinë e një mijë të këqija. Herë pas here poeti lëshon thirrje të përsëritura: “njeri, ngrije kokën! Ka krenari përveç përkuljes, përveç greminave ka lartësi! Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, gjysma tjetër komploton kundër saj”.

Ose: “Kam parë një pyll të tërë me shelgje, kërrusur sipas urdhrit të erës së rreptë. Kam parë dhe majë malit një pishë të vetme të djegur nga rrufeja-po të drejtë”. Tjetërsimi i njeriut e trishton aq shumë sa e detyron të marrë në duar kamzhikun e të fshikullojë: “I binte veglës. Një ditë u bë vegël në duart e të tjerëve. Nata mbi të tani luan rekuiemin”. Bota s’është e përkryer, njeriu po ashtu, po kështu shoqëria.

Përsëri duhet dhënë shembulli, duhen bërë sakrifica në emër të dinjitetit njerëzor, në emër të lirisë, në emër të së vërtetës, në emër të atdheut, në emër të përparimit. Dhe Xhevahiri është i pari që sakrifikon deri në vetflijim sepse “Një popull i vrarë do t’ish më fatzi, po qe se nuk vriteshin poetët e tij”. Për poetin më e rëndësishme se jeta e tij është fjala poetike, fjala e lirë, fjala guximtare, verbi hyjnor; sapo del nga goja, sapo shqiptohet fjala kthehet në zog lirie, sulmon qiejt, përjetësinë.

Fjala s’vdes kurrë, fjala është “thelbi i poetit”, vetë ekzistenca. E një poezi që përmban në vetëvete lëndë ideale është e përjetshme. Është thënë me kohë se një nga veçantitë e këtij poeti është kujdesi i madh që tregon për fjalën mbi të cilën ngrihet gur pas guri e gjithë struktura poetike. Fjala mbart ngarkesë të madhe ideoemocionale, mbart tensionin e ndjenjës dhe mendimit, fjala synon gjithmonë të çlirohet nga vetëvetja dhe të çlirojë energji te të tjerët, të prodhojë dritë.

Në këtë aspekt poetin Xhevahir Spahiu mund ta krahasojmë me Xhuzepe Ungaretin, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të post simbolizmit italian. Sjellim si shembull poezinë “Përvëlimi i fjalës së pathënë” në të cilën poeti ndër të tjera shkruan:

Vdiq fjala e pathënë; mbi gur ishin ulur pikëllimi dhe heshtja…Fjalë e pjekur nën saç të një jete…të ngrihet nga varri të ma thotë atë fjalë, në mos po kam për të plasur siç pëlcet një gjinkallë. Ma thoni atë fjalë”. Në poezinë “Drurë” poeti shkruan: “Ç’deshët të thoshit në muzg nën shkretimin e qiejve? Doni po s’mundeni. Drurë. Fjalë të ngurtësuara brenda meje”. Këto vargje dhe të tjera të kësaj natyre meritojnë komente të gjata.

*        *        *

Është në natyrën e këtij poeti, që duke u nisur nga grimca, nga detaji, nga një send a objekt i veçantë, të arrijë në zbulime të mëdha e befasuese, të arrijë në përgjithësime filozofike. Mund të sjellim shembuj të shumtë në mbështetje të kësaj ideje. Psh. nga një gjethe dafine poeti kapërcen në histori, mbërrin te fati i kombit, te heronjtë, te lavdia: “Këputa një fletë dafine, shkoqita në të fatin tënd,  vendi im”.

Te poezia “Histori” ai shkruan: “Gjaku pikoi e hodhi rrënjë mbi gurë”, te poezia “Taksitë e së dielës” fikson këtë peisazh të rrallë: “Në stacionin pranë pishave, këtë natë me shi, në heshtje po çlodhen njëzet e shtatë taksi” por në vargjet e fundit befason duke kaluar nga një pamje e qetë në një zbulim tronditës: “Po ta dija në cilat taksi hipin lotët, trupin tim barrikadë do ta vija nën rrotat”.

Te poezia “Dhelprat” kuptimi i vargjeve të para të poezisë përmbyset plotësisht, nga soditja e selvive të hijshme një ndajmbrëmje kalohet te një pamje tjetër, fshehur thellë nëntokë: “Po befas m’u duk se nën tokë ishin fshehur dhelpra dhe era jashtë u përkulte bishtin…Ndoshta pse selvitë janë mbjellë pranë idhujve, pranë tempujve”.

Lexuesi zhytet në mendime dhe përfytyrime, kalon nga sendi te misteri, nga dukja te fenomeni, e kështu krijohet një zinxhir i tërë lidhjesh e simbolesh: idhujt të shembur, rrënoja tempujsh, fshehje e realitetit, trukim, lëvizje e pandalshme e kohës,  ndryshim i vazhdueshëm, etj.

Te poezia “Këpucët e mia” vërehet e njëjta dukuri; poeti kalon nga soditja e thjeshtë e një sendi te refleksioni i thellë: “Këpucët e mia numër 42, pa fraksione e pa numër të veçantë, këpucët e mia të lindura nga buajtë dhe nga duart. Kanë mbajtur peshë të rëndë, tani mungesa e peshës i trishton, ashtu siç trishtojnë një puntor të vjetër ditët plumb të pensionit. Këpucët e mia me pluhur të butë të ditëve që ikën e kurrë s’vijnë…nuk më pëlqen kjo agoni e zymtë..Më mirë jepni shpirt nëpër rrugë dhe ara”.

Ndjesi pas ndjesie, refleksion pas refleksioni poeti arrin në një konstatim jo të zakontë: Këpucë, më mirë jepni shpirt nëpër rrugë! Mesazhi është i qartë ndonëse befasues; poezia arrin në një përgjithësim të rëndësishëm filozofik, njeriu duhet të punojë, të përpiqet, të luftojë, të jetojë deri në fund, të vetërealizohet, deri sa të shuhet. Nuk ka rrugë tjetër veç asaj të Sizifit!

Syri i poetit ndalet gjatë te objekti, përqëndrohet fort, i vjen përqark, këndellet, zmadhon pamjen, dallon çdo imtësi si me lupë, futet thellë, vë në lëvizje fantazinë, përndizet, zgjeron përmasat e mendimit dhe imagjinatës, reflekton gjatë dhe nxjerr përfundime. Xhevahir Spahiu është vëzhgues i mprehtë, heton vëmendshëm, gris lëvozhgën e jashtme,  çan guackën dhe futet thellë, depërton në brendësi, del në një tjetër pamje, në një tjetër realitet, prek thelbin e sendit, thelbin e fenomenit, thelbin e njeriut e të shoqërisë.

Dhe kur arrin te thelbi, ndodh çudia, zbulohet e vërteta. Fill pas kësaj vjen zhgënjimi, revolta, rrebelimi. Pas zbulimit të beftë ai mban qëndrim, pozicionohet qartë, nis betejën. Ndoshta qe rruga ajo që e ngarkonte Xhevahirin me shqetësime të përhershme, me gjurmë, me mbresa, me ndjesira, me mendime, me tablo, me fate, me hidhërime e gëzime, ndoshta qe temperamenti i tij përherë në lëvizje, përherë i zgjuar, që e shpuri në zbulime të mëdha, që e shpuri te e vërteta, te e vërteta e hidhur, te ajo e vërtetë që ishte aq larg realitetit të stisur e sheqerosur.

Prej këtej nis aventura poetike e Xhevahirit, ai bëhet zëdhënës i shqetësimit të njeriut të punës, e njeriut të rrugës, e njeriut të ndershëm, mbarset me të vërteta të thjeshta, këtu, atje, ngarkohet e ngarkohet me jone si retë në qiell dhe derdhet rrëmbyshëm e me gjëmime e bubullima.

Krijimtaria poetike e Xhevahirit nuk është poezi e klisheve, e tabuve, poezi skematike, dogmatike, ideologjike, poezi e ngushtë në përmbajtje dhe e varfër në stil e realizim. Poezia e Xhevahirit rreh të tjera qiej, kërkon të tjera hapësira, të tjera ngjyra, të tjera horizonte; që në krye të herës ajo nderej e shtrihej në të tjera qerthuj idesh e botëkuptimesh filozofike.

Edhe pse në mënyrë intiutive, të pandërgjegjshme, ekzistenciale, idetë e poetit rrezatojnë pikëpamjet filozofike të Aristotelit, të Shën Agustinit, të Kantit, të Bergsonit, të Kierkegaardit, të Niçes, të Sartrit, trajtojnë tema të mprehta, të ndërlikuara, drithëruese, të huaja për kohën kur u shkruan, tema e ide mbi lëvizjen, ndryshimin, krijimin dhe rikrijimin, mbi kohën mekanike dhe kohën e përjetshme, mbi çastin dhe përjetësinë, mbi relativitetin dhe absurden, mbi domosdoshmërinë dhe lirinë.

Bergsoni na mëson se njohja intuitive është e aftë të ndriçojë në mënyrë të qartë pamjaftueshmërinë e inteligjencës dhe të nxisë shpirtrat të futen në fushën e së gjallës ku çdo gjë është në ndërthurje me të tjerat në një rrjedhë krijuese pa fund. Njohja e së gjallës nuk mund të arrihet pa këtë simpati të çinteresuar, pa këtë “intuitë”, pa iu kundërvënë vetëvetes, pa e kundërshtuar vetëveten derisa sa të hapet një realitet tjetër dhe një njohje e një niveli tjetër.

Njohja intuitive ka diçka mistike sepse ndarja objekt-subjekt atje është e kapërcyer, subjekti i njohjes njësohet me objektin, me qënien që është për t’u njohur…Ka një hov jetësor që kapërcen gjithçka, përtej parimeve, rregullave, ka një subjekt të lirë, që njësohet me hovin jetësor dhe krijues, i cili kapërcen çdo të dhënë të ngurtësuar më parë. Themeli i të gjithave është shpirti krijues, liria.

Ndërsa mjeshtri i poezisë shqipe Lasgush Poradeci shprehet kësisoj: “Njohja integrale e zhvillimit të jetës arrihet nëpërmjet intuitës, e cila është shkalla e shkallëve; ajo përmban të katër shkallët e tjera (lëndën, lëvizjen, ndjenjën, mendimin) dhe vë në veprim tërë ndjesitë, aftësitë fizike dhe psikike të njeriut”.

*        *        *

Te ky individualitet i spikatur poetik janë shkrirë në një të vetme karakteri burrëror me mjeshtërinë e lartë artistike, si një kombinim i çuditshëm i talentit të lindur me ndjeshmërinë e skajshme njerëzore.

Karakteri i Xhevahirit i ka rrënjët të shtrira thellë në tokën shqiptare, në tabanin kombëtar, një karakter sa burrëror aq dhe fisnik, sa bujar aq dhe i drejtë, sa i butë e i ndjeshëm aq dhe guximtar dhe trimëror. Prej rrënjëve, prej nëntokës poeti merr energjinë, vlagun, lëngun e jetës, prej qiellit, prej reve, maleve të lartë, prej hapësirave merr frymëzimin, vrullin, kthjelltësinë, mençurinë.

Xhevahiri këndon: “Uji i lumit tim rrjedh mes maleve dhe në trupin tim,…më thotë zëri i lumit tim holluar prej ujit të pakët të burimeve në verë: mos na harro!…i vogël vërtet, por ujrat e tij buronin prej shtëpisë së Naimit të madh”. 

Muza e Xhevahir Spahiut e  ka gurrën te Rilindja Kombëtare, te etërit e kombit; ajo ushqehet me frymën e Naim Frashërit, Jeronim de Radës, Gavril Darës, Zef Serembes, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Migjenit, Fan Nolit, Lasgush Poradecit…. Ja se si shprehet në një poezi poeti: “etje, etje, kam etje, po ku, ku është burimi. Dal jashtë verbtaz kërkoj, takoj Naimin”. Këto dy anë, toka dhe qielli, tradita dhe risia, dija dhe kultura, do ta rrisnin vazhdimisht poetin sa në pjekuri intelektuale sa dhe në mjeshtëri artistike.

Moderniteti artistik nuk e largoi Xhevahirin nga tradita, nga rrënjët, nga populli, nga fati i kombit të vet. Përkundrazi e lidhi më tepër me të, e ngashnjeu deri në ekstazë, deri në përmallim, deri në skajshmëri, deri në palcë, e shkriu dhe e bëri njësh me të. Motivet kombëtare stolisin gjithë krijimtarinë e Xhevahir Spahiut, motive që ngërthejnë tema sa historike aq dhe shpirtërore.

Toka ime s’quhet tokë po nënë, nënë e dhimbshme”, – këndon poeti. Më tej “Ngjizur dheu fund e majë me gjak të kuq, kujdes, burrë i dheut, mos shkel ligsht se zgjohet gjaku e të nëm, gjaku s’bëhet ujë, ai gjak, përzjerje lulesh e rrufesh…”. Në zemrën e poetit atdheu është i gjithëpranishëm, i plotë, i përjetshëm, qoftë si ideal qoftë si realitet, qoftë si dhimbje, qoftë si dashuri.

Xhevahiri si e gjithë plejada e poetëve të shquar shqiptarë, që nga Rilindja Kombëtare e tëhu, fatin e vet e shikon të shkrirë me fatin e atdheut, poeti është atdheu dhe anasjelltas, atdheu është poeti.

*        *        *

Prej truallit kombëtar Xhevahiri del në një tjetër hapësirë, në një tjetër realitet, edhe më të gjerë, universal, mbarënjerëzor. Një prirje e tillë është e natyrshme te një poet i vërtetë, pavarësisht se procesi i kalimit nga kombëtarja tek universalja, nga uni te kolektivja, nga vetja te bota, kalon nëpër disa shkallë dhe nëpër disa etapa. Ky kalim është shprehje e rritjes ideoartistike, e pjekurisë poetike, e zgjerimit të motiveve dhe horizonteve kulturore.

Poezia “Ballkani” është shembulli i këtij ndërgjegjësimi, i këtij lartësimi ideoartistik; poeti rreket t’i çlirojë popujt nga miti i nacionalizmit të sëmurë dhe nga fryma e urrejtjes primitive. Ja disa vargje të kësaj poezie antologjike, e cila duhet të figurojë në të gjitha tekstet e letërsisë së vendeve ballkanike e evropiane: “Gadshulli im, Prometeu im! Ti që u vodhe zjarrin perëndive e botën le pa mend, prej mijra vjetësh përpëlitesh, digjesh në zjarrin tënd”.

*        *        *

Xhevahir Spahiu nuk është poet i zakonshëm, klasi i tij i lartë bie në sy që në vëllimin e parë poetik për të vijuar deri te libri i fundit.

Po përmendim vetëm disa vargje, figura poetike apo shprehje të rralla për të  kuptuar fuqinë e artit dhe mjeshtërinë e lartë artistike të tij, si:

Grykat e maleve, grykat e lugjeve, të thella, të ngushta si grykat e pushkëve”. “Nuk e di përse, duke të pritur ty, vetja m’u duk si ky stadium i zbrazët, i madh”. “Treni trokon rëndë si kavaleri; nuk mjafton një kalë për ty, dashuri”.

“Demi nën qiell një ndërkryerje e bukur, brirët mbi kokë si mbi shkëmb ishin ngulur”. “Kokrrat mbi çatira vallen nisin, si një mijë pëllumba po çukisin “. “Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send, të jesh me ty, tok me ty të qeshësh e të mos kuptosh se si përpiqet deti të dalë jashtë guaskës së vetvetes?’. “Qytetin mbështillte koha, si një perlë”. “Buzë pranverës endet një ciklon”,

“Hënë e përgjysmuar ngrënë nga romantikët, si mangall i ftohtë”. “Rroftë çlirimi i ndërgjegjes”. “Mbldhmani gjakun!”. “Më thuaj: ka ta gjejë qielli pasqyrën të njohë pafundësinë e vetvetes?”. “Vdekja? Ajo s’është veç një truk tragjedie, vdekjen e kanë shpikur frikacakët”. “Bëji sfidë erës që në gjëmba dhe gjethe si orakujt tinëzisht të ndjell zi”. “Ujrat prej maleve ikin e mërgojnë po unë përjetësisht drejt maleve vrapoj”.

Po qe se  ndieni lëkundje dheu, jemi ne, Atlantët, që shkundim shpatullat e molisura”. “Zemra ime loton fshehtaz, lidh shami të zezë në zi e i ngjan një gjëme Arbërie, pa zemër, nuk ngrihet shtëpia, poezia”. “Në vend të frerit rrëmbyer qiellit-një rrip rrufeje”. “Një sy, një dorë e paepur përmbysin mbretërinë e asgjësë”, “sytë e mi – dy gëzhoja plumbi”, “nata po fle tek-tuk feksin lehje si thikat në përleshje”. “Sa herë, tha, Flamuri të jetë i uritur, varri duhet braktisur”. “Muret ngrihen për t’u shembur, shëmben për t’u ngritur”, etj. Ja një strofë e mrekullueshme e Xh. Spahiut:

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë

i shtriu krahët gjer tek ne;

u drodhën drurët, gjethet ranë

si copëra flakësh mbi xhade.

Era i sjell pranë vetes krahët e dimrit, që poetit i shëmbëllejnë si krahët e bardhë të së dashurës.Pastaj ndezur nga zjarri i dashurisë, nga zjarri i mallit gjethet e rrëzuara përtokë (nga fryma e erës) i ngjajnë si copëra flakësh mbi xhade. Fantastike! Era është e afërt për poetin. Në një rast ai i lutet asaj:

Ngri, erë, çarçafin e dëborës

mos shoh gjëkundi fëmijërinë.

Te poezia “Era luan” e shkëputur nga vëllimi “Rreziku”, Spahiu shkruan:

Era luan me gjethet…

          luan me valët…

          era luan, po historia nuk zgjohet;

          Era luan: fitimtare e ndërkryer

          dhe po kaq – kuje e shtruar e të mundurve…

          Vetëm era luan.

Luan me guackat. Me detin. Me ty.

          Era luan. Luan me veten.

          Luan me kujtesën

dhe harrimin e kreh…

Kjo vjershë ka përmasa liriko-filozofike. Era shfaqet me një mision të qartë: të zgjojë historinë. Pse? Pse poeti arrin në këtë zbulim? Poeti bie në mendime. Vështrimi i vishet me cipë ëndërrimi, i vagëllohet, i mjegullohet…Ai rreket të shohë qartë të sotmen, të shkuarën, përtej së dukshmes, përtej çastit, të shohë brezat e shuar, ngjarjet e vjetra, bëmat, luftrat, disfatat fitoret …Në fund të pamjes ai shikon erën tek luan me shkathtësi pantere, tek luan me veten, me botën, me historinë.

Era fryn hirin e kohës për të rindezur zjarrin e fikur të historisë por më kot. Ajo kreh harrimin. Këtu poeti zymtohet dhe era i shfaqet si përtallëse e përjetshme. Ironike, ajo luan me fitimtarët dhe me humbësit. Në këtë cilësi era është kujtesë, është hyjneshë e përjetësisë. Nëndheshëm, vjersha përcjell mesazhin kuptimplotë se jeta e njeriut ka një cak, një fund. I jep atij idenë e përspektivës kohore, e progresit, e kufirit mes përkohshmërisë dhe përjetësisë…

Tiranë më, 20.02.2020

ObserverKult


Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: NJË PYETJE QË DUHET BËRË PATJETËR

Lexo edhe:

ALDA MERINI: KUR PUSHON SË DASHURUARI


Nuk dashurohet me zemër,
dashurohet me shpirt
i mbarsur me çaste dashurie.

Nuk dashuron nëse s’ndien dhimbje,
s’është më dashuri
nëse s’ke frikë mos e humbasësh.

Por kur vërtet dashuron,
ti jeton
ndoshta keq, a mirë,
por jeton.

E di kur vdes?

Kur pushon së dashuruari;
bëhesh asgjë
kur s’të dashurojnë më.

Nëse të plagos dashuria
shëroi plagët
dhe beso,
je gjallë.

Për atë që do
për atë që të do.

Në shqip: Natasha Lushaj 

Lexo edhe:

NAIM FRASHËRI: DO TË SHKRIHEM…

Do të shkrihem,
Të venitem,
Si kandili, kur s’ka vaj.
Balt’ e pluhur
Do të bëhem,
Të më shkel një këmb’ e saj.
E të prehem
Duke puthur,
Atë këmbë pasandaj.
A s’më thua:
Ç’ke me mua?
Pse të dua, paskam faj?
Pse heq unë
Hidhërime,
Ah në vdekça, ti mos qaj;
Vdekja ime
S’të prish pune,
Haj, e zeza jetë, haj!

*Shkëputur nga poema “Bukuria”

I HUAJ NË VEND TË HUAJ…

Poezi nga Petraq Kolevica

I huaj në vend të huaj,
As vetë s’di pse vuaj
Në mendje çfarë s’bluaj!

Dëborë bje, dëborë bje,
Si në qytetin tim,
Po s’di përse në shpirt me shtje
Kaq tepër dëshpërim.

Dëborë bje dhe era ngreh
Shtëllunga fluturim.
E shoh me nge si dikur, dje,
Dhe ndjej kaq mallëngjim.

Dëborë bje dhe gjithçka fle
Si n’ëndërr pa mbarim,
Po zemra rreh si ergjele
Që rend e s’gjen shpëtim.

ObserverKult

ARTAN GJ. HASANI: ËSHTË DASHURI…

Artan Gjyzel Hasani xhevahir

…kur merr frymë me mushkërinë e tjetrit
dhe loti i huaj faqes tënde rrjedh…

…kur nata e tij të ndriçon mëngjesin
dhe ç’ka shpirti i tij vështrimi yt nxjerr…

…kur gjak’ i tij përflak zemrën tënde
dhe sytë e tu qerpikët e tij kanë…

…kur prekja të vjen nga tingujt e një kënge
dhe duart e tua të tuat më s’janë…

ObserverKult

KUJTIM SHABANI: SA TË RRITESH TI…

Sot është ditë e madhe!
E para, bli bukë.
Për secilën motër e secilin vëlla
merr nga një!

Bli edhe kripë.
Ajo shkon nga pak,
me karar,
por duhet shumë.

Pastaj bli vaj,
he ty vaj të shkofshin punët!
Pak yndyrë
bën mirë.

Mollë kemi në oborr,
dhe na jep.

Ullinj,
qershi –
mos bli.
Ato kanë kocka dhe të ngelin në fyt!
Dëgjo nënën.

Na, sot bli mish!
E mishin merre me asht,
shumë asht, thuaji kasapit.
Se ai i jep gjellës shije
E të bën të fortë!

Dhe ne duhet të jemi të fortë, bir,
sa të rritesh ti…

ObserverKult