Xhevahir Spahiu: Në pyje vjeshta ndezi zjarre

xhevahir spahiu
Xhevahir Spahiu

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
në zemër zjarr më ndeze ti;
po diç gjëmoi lart në male
dhe nga gjëmimi rrodhi shi.

Dhe fryu një erë e dimri i bardhë
i shtriu krahët gjer tek ne;
u drodhën drurët, gjethet ranë
si copëra flakësh mbi xhade.

Të dy mbështetur pas një reje
Të dy, dy sy në gjithësi;
unë bie, ngrihem brenda teje
e brenda meje digjesh ti.

Sa vjen, dëbon vetminë e plogët
sa shkon, vetmia flet përçart;
për ne s’do thonë arkeologët
statuja që nuk patën fat.

Në pyje vjeshta ndezi zjarre
lejlekët nisi s’di se ku;
mbi hi do fryjë erë e marrë
kur të mos mbetet asnjë dru.

ObserverKult

———————————————

xhevahir spahiu Vajzë e bukur, si vajzë e dashuruar, qofsh e dashuruar dhe prej meje, prej syrit tënd lulëzojnë dhe sendet.

Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: JETOJ BRENDA SYVE TË TU

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete,
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën si ai që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar
asnjëherë.
Sa do të doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult