Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri me poezi “Me zemër në qese najloni” i Xhevdet Bajrajt.
Sipas botuesit të këtij libri, Berat Armagedoni, vlerësimin për veprimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt kurrë nuk mund ta quash të kryer, as nuk mund të quhet njëri libër i tij më i mirë se tjetri sepse librat e ri që i shkruan duken edhe më të bukur se paraardhësit.
“Vlerësimin për veprimtarinë poetike të Xhevdet Bajrajt kurrë nuk mund ta quash të kryer. Kurrë nuk mund t’i vësh pikë. Nga përvoja e bashkëpunimit me të mësova se nuk bën të vlerësohet më shumë libri a librat e tij paraardhës sepse të befason me pasardhësit. Kur i botova librat e tij me poezi s’ma merrte mendja se një vit tjetër do të shkruante një tjetër edhe më të mirë sesa të mëparshmit. Por, ja që e shkroi. Poezitë në librin ‘Me zemër në qese najloni’ janë të papërsëritshme, të pashoqe, të pakonkurrencë, një për një antologjike. Të tilla poezi shpresoj se do të ketë edhe në dy librat e tjerë të tij që do t’i botoj po këtë vit”, ka shkruar Armagedoni në kopertinën e pasme të librit.