Yehuda Amichai: Martesë e vonë

Rri ulur në dhomën e pritjes me dhëndurët
shumë më të rinj se unë. Nëse do të kisha jetuar në kohët e lashta
do të isha bërë profet. Por tani pres në heshtje
të regjistroj emrin tim krahas emrit të gruas së dashur
në librin e madh të martesave,
dhe t’u përgjigjem pyetjeve, që unë
ende mund t’u përgjigjem. Jetën time e kam mbushur me fjalë,
në trupin tim kam mbledhur aq shumë të dhëna
sa mund të furnizoj shërbimet sekrete të disa shteteve.

Mbi hapa të rëndë mbart mendimet të lehta
siç mbartja në rini mendime të rënda mbi fatin
mbi këmbë të lehta, që pothuajse vallëzonin
me kaq shumë të ardhme përpara.

Trysnia e jetës sime
e afron më shumë datën e lindjes me datën e vdekjes.
Si në librat e historisë ku,
trysnia e historisë afroi ato dy shifra
afër emrit të mbretit të vdekur
me një vizë lidhëse në mes.

Kapëm fort pas kësaj vize lidhëse
si të ish litar shpëtimi. Jetoj mbi të,
në buzët e mia tulatet zotimi të mos jem vetëm,
zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses,
zhurma e fëmijëve, të qeshurat dhe britmat
në rrugët e Jeruzalemit
dhe qytetet e Yehudës.

Përktheu: Lazër Stani

ObserverKult


Lexo edhe:

YEHUDA AMICHAI: NJË BURRË DUHET NJËHERËSH TË URREJË E TË DASHUROJË!

Një burrë nuk ka kohë për të pasur
kohë për gjithçka.
Ai nuk ka hapësirë për të pasur hapësirë
për çdo dëshirë.
I gabuar ishte Ecclesiastes kur këtë kërkonte.

Një burrë duhet njëherësh të urrejë dhe të dashurojë,
me të njëjtë sy të qajë dhe të qeshë
me të njëjtët duar të hedhë gurë
dhe prapë t’i mbledhë ata,
të bëjë dashuri në luftë dhe luftë në dashuri.

Të urrejë dhe të falë, të kujtojë dhe harrojë
dhe të rregullojë dhe të çrregullojë
dhe të hajë dhe të tresë
çfarë histori të gjatë bën
në kaq shumë vite.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult