Yllka Muja në rolin e mbretëreshës Herodia, në teatrin e Fierit shfaqet “Salome” e Oskar Wilde

Pas suksesit në skenat e Tiranës dhe Elbasanit, tragjedia “Salome” do të jetë në teatrin “Bylis” në Fier sot dhe nesër për publikun.

Dy mbrëmje teatrore, që nuk duhen humbur për këtë shfaqje, që sjell në skenë aktorë të njohur të teatrit. Një nga kryeveprat e Oscar Wilde vjen me regji nga Carlo Sciaccaluga nën interpretimin e aktorëve Ermira Hysaj, Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri, Yllka Mujo, Alesia Xhemalaj, Emiljano Bufazi, Ermir Hoxhaj, Ilia Kaçi, Ismail Shino, Kleivert Ibrahimllari, Marsel Greva, Urim Aliaj.

Në këtë shfaqje teatrore aktorja e njohur Yllka Mujo vjen në rolin e mbretëreshës Herodia, ndërsa Salome interpretohet nga aktorja Ermira Hysaj. Jokanaan vjen i interpretuar nga aktori Ervin Bejleri dhe roli i Herodit interpretohet nga Alert Çeloaliaj.

Kjo vepër në skenat teatrore që është prezantuar deri tani ka ngjallur interesin e publikut, që ka duartrokitur dhe lojën e aktorëve.

Ditët e para të muajit tetor shfaqja do të jetë në skenën e teatrit të Fierit, për të përcjellë të tjera emocione për publikun.

E bazuar në personazhe biblike, historia sillet rreth pasionit aspak të zakontë të princeshës së Judesë, Salomes, e cila dashurohet dhe fiksohet me profetin Jokanaan dhe kur ai e përbuz dhe nuk e pranon, kërkon dhuratë prej Herodit, burrit të nënës së saj, kokën e prerë të tij. Salome është thjeshtra e mbretit Herod Antipas të Judesë. Ai është bashkëshort i Herodias, e cila është e mallkuar nga një profet me emrin Jokanaan (i njohur në Bibël si Gjon Pagëzori). Sipas tij, martesa e Herodit është e paligjshme, sepse Herodia është vejusha e vëllait të Herodit. Në Bibël, Salome e ndihmon të ëmën të marrë hak ndaj Gjon Pagëzorit, ndërsa në veprën e Wilde, vendimet e Salomesë ndaj Jokanaanit vijnë si rezultat i dëshirës së saj për hakmarrje nga epshi.

Për tmerrin e mbretit dhe për gëzimin e së ëmës, Salome kërkon kokën e Jokanaanit në një pjatë argjendi, si shpërblim për vallen e shtatë vellove, që ajo do të kërcejë para mbretit Herod. Vepra është përkthyer nga Kudret Mita, skenograf Beqo Nanaj dhe kostumografe Sofi Kara. Kompozitori është Andrea Nicolini, koreograf Donald Martini dhe as/regjisor Mateo Dervishaj. Më herët, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me tragjedinë “Salome” hapi këtë sezon artistik në teatrin “Skampa” në qytetin Elbasanit.

Krijimtaria e Wilde

Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor 1854 në Dublin dhe vdiq më 30 nëntor 1900 në Paris. Për të shprehur më mirë idetë e tij estetike dhe për t’i kombinuar me tema më të gjera sociale, Wilde u fut në rrugën e dramës. Në vitin 1891 boton në Paris veprën “Salome”. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi”, “Erashka e zonjës Uindëmiër”, “Një bashkëshort ideal” dhe atë që konsiderohet si kryevepër, “Rëndësia e të qenët i ndershëm”. Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime, ku mund të përmendim “Krimi i lordit Artur Sevilit” dhe histori të tjera, botuar në vitin 1891, apo përralla si “Princi i lumtur”. Oscar Wilde ishte një shkrimtar i madh, një njohës dhe një admirues i shkrimeve të grekëve të lashtë. Besonte se qytetërimi i lashtë grek mishëronte bukurinë dhe harmoninë. Ishte jokonfromist dhe ekscentrik, por këto karakteristika nuk e penguan të studiojë filozofinë klasike. Veprat e tij mbeten të freskëta dhe aktuale akoma dhe në ditët e sotme.