Voskopojarja, poezi nga Ymer Nurka
“Kur më zbret nga Voskopoja,
Dalëz, e ngadalëzo…. “
Populli
Të ngriti për udhë, ky kokosh’ i tretë,
Të vij të zgjoj unë, a do zgjohesh vetë!
Vish e zhvish fustanet shtatit me lezet!
Vallë kush të ka ngenë, xhane kush të pret?!
Si petal zambaku, të zbardhonte jaka.
Në mes të dëborës, më ndrije si flaka,
Si tik-tak i orës, trak e truk, mbi taka,
Eja moj të shkretën , eja se u plaka!
Me shaminë çajkë,
flokut lidhur nyje,
Me pala fustani, si flladi më fryje,
Mbi gushë gjerdani, me përlat, si yje,
Me hiret që mbaje, në mëkat më shtyje.
Qerpikët e gjatë, porsi hala pishe,
Vall’ ishe me huqe, a naze më kishe,
Ç’bandill të vështroi, edhe ti s’e grishe?
Buzën si burbuqe, për asnjë s’e prishe.
Bëre tatëpjetë, më le Voskopojën,
Llaf e muhabete, si s’e mbylle gojën,
Me dënglat e tua, bukur ma lot lojën.
Pusho moj të keqen, se na nxore bojën!
ObserverKult
Lexo edhe:
YMER NURKA: DASHURIA – ËSHTË PJESA JOTE E MUNGUAR…
Më shfaq dy gjinj, nektar-ambrozi,
Gatuar vallë, nga ç’brumë?!
Dhe pret që mendja të më sosi,
Dhe pret që unë…dhe pret që unë!
Në buzë na feks një buzëqeshje,
Si mbi qershi ndalon një flutur,
Siç çel e lind mbi një kureshtje,
Filozofia më e bukur.
Më pyet ti “ç’është dashuria?”,
(Të dish në jam i dashuruar!)
E unë ta kthej me fjalët e mia;
“Është pjesa jote e munguar.”
Është vepër arti, një imazh,
Që rrok shpirtin plot pasion,
Pastaj të kthehet në mirazh,
Që ta arrish, një jetë vrapon.
“Çasti” është, kur dy partnerë,
Për njëri-tjetrin ngjajnë perfekt.
Pas tij vërshojnë çaste të tjerë,
Që duan shkak, të gjejnë difekt.
Dashuria është një lugë,
Që në një çast ushqen dy gojë.
Dashuria është një rrugë,
Herë ngjan betejë, herë ngjan si lojë!
Ti prapë s’bindesh, ndaj më pyet;
“Folmë troç për dashurinë!”
Unë vështrimin tres tek yjet
Që brenda digjen, jashtë ndrijnë.