Poezi nga Ymret Reshiti
Nëse nuk vjen sot
nuk e di nëse mundem të pres deri nesër
Jemi njerëz që jetojmë nga fryma
e dashur
E nesërmja është shumë larg që ta presim ne sigurt
Ti edhe mund të vish nesër
por unë nesër ndoshta mund të mos jem
E si mundemi pastaj ta lëmë edhe një ditë
të zbrazur pa ne
edhe një plagë të re në shpirt ta gdhendim
Bëjë ç`të mundesh të lutem
eja sot
Kush e di nesër mund të vish në varrimin tim
por jo në takimin tonë
se të vdekurit me të gjallët nuk mund të takohen.
Nëse nuk vjen sot
Kush e di dita ku do të më dërgojë nesër
pranë këmbëve të fatit apo prapa shpinës së botës
E djeshmja na ka ndarë
e sotmja ndoshta mund të na bashkojë
se hiç nuk i dihet të nesërmes
e cila të dyve mund të na harrojë
e nesërmja besë nuk ka
Shpirt po bartim
e dashur
Nesër mund të na braktisë vetë jeta se shpirtit nuk i dihet
e ne do të mbesim me sy çel
se nuk u takuam sot
e do të hidhërohemi me të nesërmen
që nuk e pati durimin neve të na pres.
Nëse nuk vjen sot
Nuk di se çka mund të mbetet për nesër
nga pritja e ime
nga ikja jote
nga vetmia jonë
Një grusht shpresash apo një tufë dëshirash
që nuk kam as ku t’i mbjelli
që të mbijetojnë deri nesër
Në çfarë vazo t’i vendos
me çka t’i ushqej
me çka t’i ujisë
që të mbijetojnë sot
Bën çka të bësh e mos e le pa ardhur sot
e dashur
E nesërmja mund të jetë një jetë larg nesh
apo një hap afër
është shumë e pa sigurte ta presim
Nuk e dimë nëse mund ta bartim të sotmen tonë
deri te nesërmen në mëngjes.
*Nga “Stina e vetmisë”, 2022
ObserverKult
Lexo edhe: