Murteza Osdautaj: Merri të gjitha, por mos më thuaj se s’më do

Të gjitha merri, edhe qiellin, edhe bukën edhe hënën
Përbij të gjitha si një vrimë e zezë në gjithësi
Edhe librat merri
Edhe poezitë merri
Edhe zjarrin merre
Por mos me thuaj se s’më do
Mos me thuaj të të mos dua
Se pastaj unë do të bëhem pluhur yjesh
Vet errësira
Vet asgjëja
S’do më mbetet asnjë arsye për t’ekzistuar
Të gjitha merri
Edhe detin merre
Edhe ujin
Edhe krejt poezitë e mia në daç
Por jo emrin tënd
Domethënien time
Faktin e vetëm të ekzistencës
Merri në daç të gjitha
E në daç bëhu vorbull e zezë
Që përbinë gjithçka
Por jo dashurinë time
Jo dashurinë tënde
Jo arsyen e njëmijë ëndrrave që kam parë
Jo edhe ditët kur kam qarë
Jo edhe ditët kur kam mallkuar fatin tim
Jo edhe ditën kur erdhe përsëri
Ana jote e errët është vetëm nëse s’më do
Veç nëse sytë nuk të ndizen kur me shikojnë
Vetëm nëse s’të dridhet buza kur më puthë
Vetëm nëse s’më thua të dua
Kur hi bëhemi nga zjarret
Merri të gjitha, edhe shpendët e qiellit
Edhe qiellin edhe algat e kaltra
Edhe hijen e lisit
Edhe gjethet e palmave
Edhe përroin e fjalëve
Mos të bëhet vrimë e zezë ana jote e errët
Të më përbijë një ditë
Sepse s’do të arrijë t’i gjej përgjigje pyetjes
Përse dola e mbeta mbi këtë botë
Në atë gjendjen e vagullt pa ty
Pa dashurinë tënde
Pa veten time!

*titulli i origjinalit: Ana jote e errët

ObserverKult