Nga shpifjet, trillimet, intrigat e keni bërë njëri-tjetrin me folë me vete

filmat shqiptar shami edison ypi

Nga Edison Ypi

Nga shpifjet, trillimet, intrigat, fantazitë e çmendura, e keni bërë njërit-jetrin me fol me vete. Ju rujt Zoti nga damllaja.

Kur bota ndërtonte lokomotiva, aeroplanë, grataciela, zbulonte penicilinën, formulonte relativitetin, bënte luftra, ja sterrosët jetën Ismail Qemalit që mes një mijë vështirësish mezi e kompozoi qeverinë e parë.

Qysh atëhere e deri më sot, pas më tepër se një shekulli, ende nuk e keni ndërtuar një shtet për së mbari.

Sipas jush shteti nuk është një shumatore kufizimesh për të mirën e të gjithëve, por një autoritet imagjinar brenda kokës tuaj që ju mundëson të punoni sa më pak e sa më keq duke përfituar sa më tepër.

Ju rujt Zoti sa të djallëzuar jeni.

Sado i madh e i papërmbajtur, vullneti diabolik i diktatorit, pa ndihmën tuaj të pakursyer nuk mund të ishte i mjaftueshëm për atë mal me spiunime, internime, burgosje. Për këtë komplicitet kriminal, duhet të ndjeheni fajtorë.
Duhet të kërkoni ndjesë.

Duhet t’i falenderoni viktimat për vuajtjet e tyre, pa të cilat vuajtje, Liria dhe të mirat që gëzoni sot nuk do ishin të mundura. Mirëpo hiç nuk ju vjen zëri.

Pranimin e fajit, kërkimin e ndjesës, falenderimin, aspak nuk i keni ndërment. Edhe pas një çerek shekulli viktimat tuaja vazhdoni ti përbuzni. Jeni aq të pafytyrë, aq të këqinj e aq të zinj, sa me një pafytyrësi të paimagjinueshme, sjellësit e Lirisë i bëni dhe fajtorë. Ky është një mëkat e një turp aq i madh sa për të mos ju rënë damllaja të gjithëve që këtë çast, mundet me ju rujt vetëm Zoti të cilit duhet ti luteni.

S’ka problem se Zotin nuk e besoni. Zoti i madh i ndihmon edhe ata që nuk e besojnë.
Dosjet e Sigurimit, herët a vonë, do hapen një ditë.

Kur të merret vesh se në ato dosje e vetmja e vërtetë do jenë rrenat e Sigurimit dhe të zagarëve që mbante rrotull, do bëhet një tollovi aq e madhe sa do j’u ikin trutë e kokës. E vetmja gjë do mund të bëni kur dosjet e rrenave do hapen, është t’i luteni Zotit t’ju ruj trutë e kokës të mos u dalin nga kafka.

T’i lejosh dhe durosh bijtë bastardë të etërve kriminelë të vazhdojnë të mbajnë pozita kyçe në administratë, është diçka përtej çdo përfytyrimi. Megjithatë po ndodh.
Vetëm Zoti të cilit duhet ti luteni me gjithë shpirt me ju rujt, mund t’ju shpëtojë nga një lemeri e tillë.

Ta shesësh e ta blesh votën, llaftariset kushdo që e dëgjon. Zor se ndodh edhe te të egjrit e Afrikës, kanibalët e Polinezisë, majmunat e xhunglës, eskimezët e akujve. Është tmerr me pasoja katastrofike prej të cilit vetëm Zoti, nëse i teket natyrisht, mundet me ju rujt.

Mbillni, prashisni, ujitni, korrni, grumbulloni hashash në sasira kolosale. Por vjen ua merr policia. Policia nuk vjen sepse e ha meraku për hashishin tuaj. Policisë venë e i thonë, venë i spiunojnë për hakmarrje ata që mbjellin e korrin hashash më pak se të tjerët. Zoti ju rujt nga spiunimi që i bëni njëritjetrit.

Të vërtetën katastrofike mbi heroizmat imagjinare të diktatorit që “luftonte” me superfuqitë e botës si Don Kishoti me mullinjtë e erës, ju ende nuk e kuptoni. Me këtë budallallëk kriminal ju ende mahniteni, atë ndyrësirë ende e kujtoni. Ju rujt Zoti sa hajvanë jeni.
U deshën shekuj që femrat të emancipoheshin. Tani, jo pak prej jush që s’lini bordello pa vajtur dhe femër pa tallur, femrat doni ti mbuloni përsëri.

Ju rujt zoti nga kjo ligësi më e zezë se ferexhetë e grave që Mbreti vizionar Ahmet Zogu femrave shqiptare ua hoqi.

Kur një shqiptar duhet t’i spjegojë një shqiptari tjetër ku ndodhet një vend, pyetsi dhe spjeguesi kurrë nuk merren vesh. Shqiptarët e sotëm nuk dinë ti përcjellin verbalisht adresat.

Askush nuk di ta qartësojë një vendndodhje. Zoti ju rujt që dini dini shkrim e këndim, por nuk dini Shqip.

Gjeni turlilloj justifikimesh për të ikur nga vendi më i bukur dhe më i begatë i botës drejt bodrumeve të metropoleve për të larë tasat dhe pjatat nga yndyrat e të ngopurve të botës. Ju rujt Zoti nga qorrimi dhe shurdhimi.

Romani “Tre shokët” ju duket libri më i bukur në botë. Ju rujt Zoti nga rënia në humnerë me gjithë makinë ndonjë natë të errët kur do kaloni andej nga Puka.

Shihni filma shqiptarë. Kjo s’ka derman. Këtë kancer s’ka Zot që e shëron. /ObserverKult


filmat shqiptar shami

Lexo edhe:

EDISON YPI: RROFSHIN PLEHRAT…

Nga Edison Ypi

Diktatura kishte banorë por nuk kishte plehra. Demokracia ka plehra por nuk ka banorë.
Sapo dal nga shtëpia, në pamundësi të përshëndes banorët inekzistentë, shkoj përshëndes plehrat që ka grumbulluar në oborr pastruesja.

Më i mahnitur se para çdo vepre arti, qëndroj disa minuta para atij mali me ngjyra që ke qef ta shohësh;
Në një kuti kartoni gjysma e djathit që duket i freskët, është flakur.
Nuk kuptohet nëse qumështi nga kutia e kartonit është pirë apo derdhur.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult