Kurvi s’ishte kurv kot.
kurvi ishte kurv sepse s’kishte shpirt. Duke mos e pasur, kurvi as nuk e dinte çfarë ishte shpirti.
Nga Edison Ypi
E vetmja gjë që kurvi dinte për shpirtin ishte ndjesia bezdisëse se i mungonte diçka e padukshme, e papeshë, e paprekshme, diçka që padrejtësisht nuk e kishte, por duhej ta kishte, duhej ta gjente.
Për ta realizuar këtë ëndërr të çmëndur, kurvi fillimisht priti që një ditë Zoti të kujtohej vetë t’ja plotësonte mungesën makabre që e çirrte nga brenda. Mirëpo për rehatinë e brendëshme të kurvit Zoti s’u kujtua kurrë.
Pasi e humbi shpresën se Zoti mund t’ja sillte një ditë shpirtin, kurvi ndrroi strategji, priti që ndonjë i vdekur të cilit shpirti nuk i duhej, shpirtin t’ja dhuronte kurvit.
Kur pas ca kohësh as kjo nuk ndodhi dhe durimi i kurvit shterri, kurvi ju vërsul të gjallëve, me mashtrime, premtime, lajka, për t’i bindur t’i shisnin, nëse jo një shpirt të tërë, të paktën disa copa që të gjitha bashkë mund të bënin pakashumë një shpirt.
Kur as mashtrimet s’dhanë asnjë rezultat, në kërkim të shpirtit të munguar, kurvi ju fut vrasjeve. Vendosi të vriste me shpresë se ndonjë i vrarë të cilit shpirti pa trupin nuk i duhej, mund t’ja falte. Vrit e vrit, asnjë të vrari s’ju mbush mendja t’ja falte shpirtin kurvit, asnjë shpirt i vrarë s’pranoi t’i bashkangjitej mishit të kurvit.
Ishte kjo periudhë kur përdorimi i shprehjeve “si shpirt”, “ta marr shpirtin”, “ta këput shpirtin”, “ta thyej shpirtin”, “ta dërrmoj shpirtin”, “shpirtqen”, “shpirtkazëm”, “shpirtkatran”, u shpeshtua si kurrë më parë në historinë e Shqipes.
Për pak shpirt për vete dhe aspak shpirt për gjithë të tjerët, kurvi bëri eksperimente, tentativa, prova, që prova ishin dhe prova mbetën, se shpirti i kurvit s’u pa kurrkundi.
kurvi prishi kisha e xhamia, burgosi, torturoi, pushkatoi, vari në litar, priftërinj, dervishë, hoxhallarë.
Megjithatë, mes frikrash e rreziqesh të panumurta, jo pak shqiptarë e gjenin mënyrën për ta mbajtur të gjallë lidhjen me Zotin duke festuar fshehtaz Pashkë e Ramazan, duke zjerë vezë të kuqe, e festuar Bajram.
Kurvi i friksoi, i tmerroi, i lodhi, i rraskapiti besimtarët, disave u mori një ose disa copa jete, të tjerëve të tërë jetën, megjithatë kurvi asnjë fije shpirt askujt nuk ja mori dot.
Kurvi e rrethoi Shqipërinë me tela me gjëmba duke e bërë praktikisht burgun më të madh në historinë e botës, dhe s’la dreqni pa bërë që nga Shqipëria përveç harabelave që fluturonin mbi tela dhe gjarpërinjve që rrëshqisnin nën tela, të mos dilte askush.
Kam parë me sytë e mi në një kryqëzim një demonstrim makabër të kurvit, kokën e dërrmuar mbi asfalt të dikujt që kishte dashur të arratisej. Megjithatë shqiptarët vazhduan të provojnë të arratisen, sepse shpirtin kurvi nuk ua mori dot.
Kurvi i çonte shqiptarët në zborr sipas sloganit “i gjithë populli ushtar” ku duhej të mësonin pjesët e pushkës.
Shqiptarët atypëraty mësonin si ta zbërthenin e mbërthenin tytën, shqytën, shulin, llozin. Por harronin në çast me tu larguar nga zborri. Kur vinin herën tjetër në zborr, nuk mbanin ment asgjë.
Kjo çudi me “popull ushtar”, zborr, pushkë, harresë, kishte vrenda një tjetër çudi. Oficerin instruktor kjo harresë nuk e habiste aspak. Oficeri vazhdonte avazin çdo herë si herën e parë. Për asnjë arësye tjetër përpos asaj se, bashkë me gjithë të tjerët, thellë-thellë, pjesë e harrimit refuzues ishte edhe vetë oficeri. Refuzimi përmes harrimit të “populli ushtar” ishte një dëshmi mëse e qartë se kurvi shqiptarëve durimin dhe energjinë ua mori, por shpirtin s’mundi tua merrte aspak.
Kurvi i kishte shumë qef mbledhjet e kolektivit. Kurvi ku ta gjente që në ato mbledhje për vigjilencë, fitore, tejkalim plani, të dërdëllisnin të gjithë.
Mirëpo fakt është se ngriheshin e llapnin gjithmonë një grusht zagarësh. Të tjerët heshtnin. Të tjerët refuzonin.
Kurvi nuk mund t’i detyronte. E folura mund të heshtet. Heshtjes s’ke ç’i bën. Heshtjen s’ke ku e kap, pra shpirtin nuk ua mori dot.
E njëjta gjë edhe me fshehjen e antenave për të parë televizor dhe përdorimin e kufjeve për të dëgjuar radio. Fshehja ishte zhdukje.
Kufja ishte heshtje. As njerës as fjetrës s’kishte ç’u bënte, dhe shpirtin nuk na e mori dot.
Në përkujdesje të asaj që kurvi me vullnet vampiri e quante “pasurim i jetës shpirtërore” dhe krijimit të “njeriut të ri”, kurvi i vinte hajvanët të bënin filma e shkruanin libra. Të gjitha, “pasurimi”, “jeta shpirtërore”, “krijimi”, “njeriu i ri”, i dolën monstra.
Po të llogarisësh trysninë e llahtarshme që kurvi ushtroi me ato lëtyra propagandistike, aq libra sa lexojnë sot shqiptarët, provojnë se kurvi shpirtin shqiptarëve s’mundi tua marë dot.
Kurvi kishte urdhëruar sekretarët e partisë dhe spiunët që për hir të “ruajtjes së pastërtisë së moralit komunist” nëse shihnin një djalë dhe një vajzë që bënin çuçuçu më ndonjë qoshe, të raportonin menjëherë emrat e tyre, dhe djali me vajzën të martoheshin urgjentisht.
Ky lloj spiunllëku rozë me këto lloj martesash prej të cilave u pollën kryesisht bastarda, ka ndodhur me mijëra herë. Megjithatë edhe djemtë edhe vajzat viktima, pas martesave vazhdonin të bënin dashuri si në haradoz. Që domethënë se ata djem e ato vajza kurvi vërtet i martoi me zor, por shpirtin nuk ua mori dot kurrë.
Kurvi ndalonte rreptësisht atë që e quante “depërtimi i modës së huaj”. A thua se ju prish gjiza pasarelave të Milanos dhe Londrës pse nuk mund të depërtonin dot duke grisur rrobat e bukura nëpër telat me gjëmba në vendin e kapur peng nga një kurv.
Megjithatë, me tela pa tela, me gjëmba pa gjëmba, moda depërtonte. Në fakt, meqenëse shqiptarët kurvi s’mund t’i linte cullak dhe ata gjithsesi diçka duhej të vishnin, donte-s’donte, një lloj mode kurvi e lejonte.
Moda që kurvi lejonte ishte moda e viteve ’30, moda e fashizmit. Pavarësisht lojrave kronologjike kurviste me modën, shqiptaret, bënin si bënin gjenin copa, stofa, basma, dhe realizonin modele, nëse jo tamam si në perëndim, aty-aty.
Martire të vërteta të këtyre heroizmave që përfundonin edhe me internim dhe burg, ishin rrobaqepëset e lagjeve të cilat me largpamësinë e tyre kalitur gjatë ditëve dhe netëve të pafundme mbi makina “Singer” të kohës së luftës së parë botërore, krijuan sigurinë e brëndëshme se kurvi gjithçka mund tu bënte por Shpirtin nuk ua merrte dot.
Në kuadër të nismës “i gjithë populli hafije”, kurvi mund të më thoshte mua të bëhesha spiun. Por nuk guxoi. Se e dinte që Shpirtin s’mund të ma merrte dot.
Kurvi u mori shqiptarëve trurin, zemrën, krahun, këmbën, shikimin, dëgjimin, buzëqeshjen, shëndetin, mishin, kockën, qelizën, yndyrën, sheqerin, ëmbëlsinë, rininë, një pjesë të jetës, të tërë jetën, por shpirtin, shpirtin që shqiptarët ja falën edhe djallit, shpirtin s’mundi tua marrë dot.
ObserverKult
Lexo edhe: