Ypi: Nuk mund t’i shpëtoje vigjilencës së komshiut

filmat shqiptar shami edison ypi

Nuk kishte mënyrë për t’i shpëtuar vigjilencës së komshiut.
Pavarësisht se kush trokiste në derën tënde, nëna, motra apo vëllai, një mysafir apo një mik, më nuhatës se një qen, më i shpejtë se një lepur, i pari që hapte derën, nuk ishe ti por komshiu përballë me shkumë rroje në fytyrë, duke u mbllaçitur, duke mbërthyer kopsat e pantallonave, a duke mbërthyer rripin e mesit.

Nga Edison Ypi:


I tmerruar nga përfytyrimi se komshiu mund të bënte të njëjtën gjë me ty, ti nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut.
Por ishte kujdes i kotë.
Komshiu e gjente gjithmonë një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde.
Meqenëse komshiu s’kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë, gruaja e komshiut s’kishta asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht shtatzanë.
Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën kritike dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i gjashtë a i shtatë i shtatzanisë, komshiu gjente një xherahe për t’ja nxjerrë gruas fetusin me çengela hekuri mes ulurimash që mbushnin mëhallën.
E vetmja manovër për ta paksuar disi kuriozitetin gjithmonë në rritje të komshiut, ishte të hiqeshe sikur s’kuptoje, pra të bëje rolin e budallait.
Çmenduria e vetëshpallur e zbaviste komshiun. Megjithatë përmbahej.
I frigej ndonjë rreziku të paparashikueshëm që mund t’i vinte nga sjellja e çuditëshme e ndonjë viktime që edhepse i çmendur s’është, i çmendur preferon të hiqet.
Në kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër, për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta, imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë e tij rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.
Komshiu kishte dëshirë të pakufishme të kishte një Kanoçe. E dije që për Kanoçe komshiu nuk të spiunonte.
Megjithatë nuk guxoje t’ja bëje. Të pengonin ndërlikimet që mund të vinin nga paqëndrueshmëria e komshiut.
Të kishe komshi një mediokër që kishte lexuar vetëm “Shvejkun” dhe “Tre Shokët” dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë nga ato dy libra, ishte një mënxyrë që nuk rrëfehet dot.
Gjysmaku e hidhte aq përpjetë sikur nuk ishit njësoj komshinj të dy, por vetëm ti komshiu i tij.
Vështirë t’i bëje ballë zellit të komshiut për të bërë të ditur hollësira nga jetët e të tjerëve.
Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, për komshiun ishte krejt e pabesueshme, dhe fillonte dyshonte, niste thurte meselera inekzistente për ty.
Të tregoje interesim ndaj thashethemeve të komshiut, por të hiqeshe sikur nuk kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe përjetoje një moment çlodhje.
Por pas pak komshiu vinte në vete.
Çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta gjente dot asnjë parashikim fallxhoreje.
Për të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje ndonjë mënyrë që ta zbusje pak bishën, që ta vinte pak dorën në zemër, të ishte pakëz i mëshirshëm.
Prekej disi nga ky afrimitet, derisa vinte në vete dhe niste përsëri të spiunonte.
Të kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe nga stërgjyshi i tij tek e ardhmja e ndritur kur nën udhëheqjen e partisë revolucioni proletar botëror do triumfonte, klasat do zhdukeshin, e të tjera e të tjera.
Ta kundërshtoje sadopak komshiun për të tilla, ishte një nga mënyrat për t’i thënë burgut hapu.
Komshiu, ky fatalitet i mënxyrshëm prej të cilit nuk shpëtoje dot asnjë çast, bërtiste; Jam puntor, jam proletar, bota më përket.
Kishte të drejtë komshiu.
Ai të cilit bota dhe jeta nuk i përkisnin, ishte komshiu i komshiut.

ObserverKult