Ypi: Ushtari të lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës…

Edison Ypi

Nga: Edison Ypi

Udhëtimet të bëhen vetëm me tren me qymur me lokomotivë të zezë që bën çuf-çuf. Treni të ndalojë në çdo stacion. Pamja e stacionit kur treni ka ikur është një rrënqethje estetike e pakonkurueshme. Më të shijshmit e stacioneve janë ata ku as hypën as zbret kush, ata ku treni kur ndal qan, kur niset vajton. Të vetmet përshëndetje lamtumire që lejohen në stacionet e trenave janë ato me psherëtima, shami qurrash që valavitet, lot.
Selfiet të dënohen me rrjepje lëkure, varje në litar, ose pushkatim në vend pa gjyq.
Romanet të shkruhen me penë e bojë dhe të lexohen ulur në karrike pranë dritares me vështrimin larg në horizont dhe një gotë verë në pravaz.
Nuk është roman i mirë kur ajo i thotq atij “Të dua shumë”, por kur ai i thotë asaj “Të dua më tepër se Shkretëtira e Gobit pikën e ujit”.
Kush kapet duke e pritur të dashurën me kufje në vesh ose duke shkruar mesazhe në celular, të dënohet 7 vjet burg pa të drejtë apelimi.
Autorët që kërkojnë “forma të reja” të shkruari të shkohen në hell të gjallë.
Të mos lejohet të shohësh më tepër se 1 film në javë. Kurrë në televizor. Vetëm në kinema. Kush kapet duke parë film në kompjuter, të shpallet budalla dhe të dërgohet urgjent në çmendinë.
Përveç avullit, korentit, barutit, synetllëkut, mbathjeve të mëndafshta të femrave, kush tenton të shpiki kollajllëqe që ngathtësojnë trupin dhe mpijnë trurin, si për shembull kolltuqe të rehatëshme, dyshekë të butë, jorganë të ngrohtë, thekse buke, qëruese patatesh, të dënohet me internim të përjetshëm prapa maleve.
Makina të ndizet me manovelë. Ndenjëset të jenë të ngurta. Xhamat të ulen e të ngrihen me një rrip. Motori të bëjë zhurmë sikur thyen arra. Makina të nxjerri pak tym nga pas.
Lavatriçja mund të vazhdojë të ekzistojë, por e thjeshtë, pa ndërlikime elektronike.
Frigoriferin të lejohet ta përdorin si mjet eutanasik vetëm ata që kanë kuriozitet të papërmbajtur për të parë çfarë ndodh në jetën tjetër.
Ndalohet përdorimi i ashensorit si shpikje djallëzore që favorizon ngathtësinë dhe dhjamosjen.
Kondicioneri i ajrit të cilësohet “Armik i Shëndetit të Popullit”. Asgjësimi i kondicionerëve me çdo mjet dhe mënyrë të shpallet detyrë patriotike.
Pse bëhet lufta, s’ka pse ta dijë ushtari, e di gjenerali.
Ushtari të lejohet të mbajë me vete fotografinë e të dashurës. Nëse të dashur nuk ka, mund të mbajë fotografinë e nënës, por jo shoqëruar me vargjet e Eseninit.
Ushtarit të plagosur të mos i lejohet të qurravitet pas çdo zuske, por vetëm të dashurojë në mënyrë platonike infermieren që i lidh plagët.
Mosmarrëveshjet mes burrave të mos zgjidhen me llogje kavaje por me duel si nëpër romane.
Për habere të ngutshme të dërgohen dhe merren vetëm telegrame. Për komunikime të gjata, të përdoret letër e shkruar me penë e bojë mbyllur në zarf që laget me gjuhë, ngjitet me tutkall, adresë, pullë, kuti postare, heshtje, pritje, ankth, derisa të vijë ta sjelli një postier me biçikletë dhe uniformë.
Televizori të mos përdoret për filma por vetëm për habere.
Filmi të shihet në kinema rradha kaq karrikja aq.
Femër e bukur të quhet vetëm ajo që plotëson kushtin e Gina Lollobrigita-s:
“Femër e bukur nuk është ajo që bëhet aq më joshëse sa më tepër çvishet, por ajo që bëhet aq më e dashur sa më tepër vishet”.
Po qe se televizioni ka shumë personazhe të urryer dhe të famshëm, por pak të dashur por jo të njohur, hidhe në plehra.
Të dënohet me jo më pak se dhjetë vite në burgun e Reçit cilindo që nuk jeton si qëmoti dhe ankohet se i rrjedhin qurrat, e zë gripi, i ther mesi, i fërshëllen koka, mezi i del kaka, i bën naze rrushi.

*Titulli i origjinalit: “Si qëmoti”


Lexo edhe:

EDISON YPI: KURRË NUK I KUPTOVA, KURRË NUK I DESHA…

ObserverKult