reklamë

Zbulime të reja arkeologjike në Amantia, datojnë nga shek. III para Krishtit

Nga gërmimet arkeologjike të fortifikimit në tarracën lindore, i cili u zbulua gjatë gërmimit të vitit 2025 në Parkun Arkeologjik Amantia, po zbulohen gjurmë të jetës antike, mure fortifikuese dhe godina që mbajnë ende mistere të pazgjidhura.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja bëri të ditur se gërmimet më të fundit, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, po hedhin dritë mbi një tjetër kapitull të historisë së këtij qyteti të lashtë.

“Strukturat e zbuluara, që datojnë nga shek. III para Krishtit deri në shek. VI pas Kr., tregojnë për vazhdimësinë e jetës dhe rëndësinë që Amantia ka pasur ndër shekuj”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja vuri në dukje se një nga zbulimet më interesante është bazamenti i një godine antike, e cila mendohet paraprakisht të ketë pasur funksion blegtoral, ndërsa gjurmët e ripërdorimit në kohët moderne dëshmojnë se kjo hapësirë ka mbetur pjesë e jetës njerëzore për një kohë shumë të gjatë.

Për ministrin Gonxhja, çdo gur i zbuluar, çdo mur dhe çdo fragment i nxjerrë nga toka, është një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe një hap më pranë historisë sonë.

Amantia u themelua në fund të shek. V para Krishtit. Ajo ndodhet në një kodër në zonën e Labërisë dhe është e fortifikuar me mure.

Në shek. III para Krishtit, qyteti u forcua ekonomikisht dhe nxori monedhat e tij të para. Në vitin 268 para Krishtit, qyteti preu monedhën e vet. Sot ka ende gjurmë të tempullit të Afërditës, teatrit dhe stadiumit./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

E keni lexuar “Krim dhe Ndëshkim” të Dostojevskit? A i keni vërejtur këto detaje?