Zbulohet biografia e parë e Enver Hoxhës: “S’ka asnjë cilësi udhëheqësi, inteligjencë mediokre e kompleks”…

Enver Hoxha

Ka ardhur fillimisht si pushtues, pastaj ka kaluar në anën e partizanëve, pas luftës është arrestuar, burgosur e akuzuar si agjent i Vatikanit. Një njeri që i ka përjetuar të gjitha. Një dëshmitar okular i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por edhe i zhvillimeve politike të brendshme.

Bëhet fjalë për mjekun italian Franko Benanti, i cili pasi shpëtoi në mënyrë peripetike nga komunistët shqiptarë, i ka lënë historisë si një dëshmi të vyer një libër me kujtime. Titullohet “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, i botuar disa herë në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga botuesi Naim Zoto nën siglën “Naimi”, nën shqipërimin e Luan Malajt. Në rreth 350 faqe libër, Benanti na sjell përmes optikës së një të huaji, i cili i ka provuar të dyja anët e medaljes, një hark kohor të ngjeshur me ngjarje që do të shënjonin për një gjysmëshekulli historinë e shqiptarëve.

Duke qenë mjek i mobilizuar në Ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Pas shpartallimit të Ushtrisë italiane, shërbeu si mjek në spitalet partizane dhe vitet e fundit si “plaçkë lufte”. Pikërisht për shkak të profesionit, gjatë rrugëtimit nëpër spitalet ambulante të luftës në Jug të vendit, Benanti do të shihte se ç’ndodhte me të vërtetë pas fasadës së luftës çlirimtare.

Ai do të njihte nga afër protagonistët e LANÇ-it, duke filluar me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Hysni Kapon, Nako Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Tuk Jakovën, Spiro Moisiun, Haxhi Lleshin, Beqir Ballukun, Shefqet Peçin, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin, Bedri Spahiun, Ramadan Çitakun e plot të tjerë. Bashkë me këta protagonistë zbardhen detaje nga lufta, deri për çlirimin e Korçës, Beratit, Tiranës etj.

Prej dëshmitarit të kohës mësojmë më shumë mbi shpartallimin e ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit; ndërhyrja jugosllave në luftën partizane dhe politikën shqiptare; persekutimi i klerit katolik etj.

“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” është një libër i dobishëm, ku qindra lexues do të gjejnë të dhëna për jetëshkrimet e prindërve apo gjyshërve të tyre, ku studiuesit e historisë së luftës antifashiste do të gjejnë burime parësore për verifikimin e pikëpamjeve dhe të tezave të parashtruara deri më tani; ku mund të vërejnë edhe pamjen e vërtetë të fashizmit në periudhën e rënies”, thotë botuesi Naim Zoto.

Fragment nga libri i dalë së fundi në qarkullim”Lufta ime më e gjatë-Shqipëri: 1943- 1948″, botimet “Naimi” “…Pasi u formuan celulat e reja të Partisë Komuniste, zgjodhën kandidatët e tyre për udhëheqjen e PKSH-së. Një komision i posaçëm u ngarkua të paraqesë karakteristikat e kandidatëve, curriculum-in e tyre në grup dhe shtresën e tyre shoqërore. Një nga anëtarët e këtij komisioni ishte Nako Spiru, që shkroi në italisht biografinë e mëposhtme të Enver Hoxhës: “Enveri ndjek Tashkon me sy mbyllur. Me ardhjen e Miladinit e të Dushanit, pas formimit të Partisë, bëhet anëtar i KQ të Përkohshëm dhe ndjek me sy mbyllur Miladinin (Popoviçi, i dërguari jugosllav pranë PKSH-së, shën.i gazetës), i cili, pak nga pak, përqendron përgjegjësitë në duart e atij. Në Konferencën I të Partisë zgjidhet sekretar i Përgjithshëm i KQ-së (nga Byroja).

Shquhet zakonisht si një njeri i shkëlqyer në luftën kundër fraksionistëve. Këtë e bën pjesërisht me falsitet; në këtë fushë më shumë ka bërtitur se sa ka punuar. Nuk ka bërë asgjë me iniciativën e vet pa mbikëqyrjen e Miladinit. Inteligjenca, mediokre. Në shkollë jashtë shtetit dhe si profesor, po mediokër. Në Parti, sektar. Tani dëshiron t’i bëjnë lëvdata. Krijon grupazh rreth vetes. Dëshiron të jetë në krye të gjithçkaje dhe i merr të gjithë përpara me shkelma.

Do që t’i shohë të gjithë të vegjël para vetes. Ka bërë që të ndihet kompleksi i inferioritetit. S’ka asnjë cilësi udhëheqësi. Është pengesë për të gjitha iniciativat. Vjen nga një familje pronarësh të vegjël.

Kohët e fundit, në kushte jo shumë të mira ekonomike. Në popull nuk është i njohur dhe atje ku është i njohur nuk gëzon emër të mirë. Partinë e popullarizon me të gjitha forcat. Përmes kësaj rruge fillon të bëhet i njohur. Por populli nuk është shumë i bindur për aftësinë e tij” . Biografia e Hoxhës iu dorëzua Dushan Mugoshës nga Nako Spiru. Dushani, më vonë, ia përcolli atë KQ të PKJ-së.

Pasi komisioni i pati paraqitur karakteristikat e kandidatëve, pjesëmarrësit në konferencë, sipas propozimit të “instruktorëve” jugosllavë, zgjodhën udhëheqjen e përkohshme të PKSH-së dhe pikërisht Enver Hoxhën, me cilësinë e sekretarit e pastaj Qemal Stafën, Ymer Dishnicën, Ramadan Çitakun, Koçi Xoxen, Nako Spirun, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën, Liri Gegën, Bedri Spahiun e Kadri Hoxhën me cilësinë e anëtarit. Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha bënë ç’është e mundur që të përjashtoheshin nga Partia gjithë elementët që i kundërviheshin ndërhyrjes jugosllave në udhëheqjen e Partisë dhe të diskreditoheshin ata krejtësisht. U realizua kështu spastrimi i parë në gji të PKSHsë, me përjashtimin e Sadik Premtes të grupit të të rinjve, të pasuar edhe nga 80 anëtarë të tjerë të Partisë. Kjo masë la pas një mbresë të thellë, sidomos në Vlorë, ku përjashtimi i Sadik Premtes u gjykua si shfaqje e sektarizmit në gjirin e Partisë. Për rrjedhojë, shumë komunistë të asaj zone u shkëputën nga Partia, duke kaluar në anën e Sadikut. Midis tyre ishte edhe komandanti çetës partizane të Vlorës, Vangjoja, dhe mjeku Ibrahim Dervishi.

Madje, edhe sekretari i Partisë për Vlorën, Hysni Kapoja, manifestoi një farë lëkundjeje. Qe e nevojshme ndërhyrja e “instruktorit” jugosllav, Dushan Mugosha, për të shmangur dezertimet e mëtejshme. Ky i fundit shkoi në Vlorë dhe ia doli që të bindë Hysni Kapon që të mos ndahej nga Partia. Por, megjithatë, dezertime të tjera nuk munguan të vërtetoheshin. Mehmet Shehu, mik dhe bashkëpunëtor i Enver Hoxhës, ishte i mendimit që të asgjësoheshin të gjithë anëtarët e Partisë që ishin deklaruar me Sadik Premten, por Dushani bëri punë për rikthimin e paqes dhe vendosi të faleshin ata shokë që ishin “gënjyer”, duke rezervuar “shkishërimin” vetëm për Sadik Premten.

Ky i fundit, nga ana e tij, nxori një manifest me titull “Ftesë popullsisë së Beratit”, në të cilin midis të tjerave pohohej: “Partia Komuniste Shqiptare, e lindur nga bashkimi i tri grupeve të ndryshme komuniste, u organizua nga dy delegatë të PKJ-së, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Qysh nga krijimi i saj, PKSH-ja iu nënshtrua urdhrave të Partisë jugosllave. Më kot anëtarë të shumtë, veçanërisht ata që i përkisnin grupit të të ‘Rinjve’, kanë kërkuar që Partia jonë të mos varej nga emisarët e Titos”.

DREJT LUFTËS PARTIZANE

Menjëherë pas mbledhjes themeluese të 8 nëntorit 1941, KQ i Përkohshëm i PKSH-së nxori thirrjen e tij të parë, ku e ftonte popullin në kryengritje. Thirrja, teksti i së cilës u redaktua nga dy “specialistët” jugosllavë, vuri në dijeni popullin shqiptar për ekzistencën e një partie komuniste, për të cilën më parë vetëm fare pak njerëz kishin dëgjuar të flitej. Autoritetet italiane, përkundrazi, ishin në dijeni të veprimtarisë së Enver Hoxhës dhe u kishin dhënë urdhër të gjitha posteve të policisë për ta arrestuar atë. Por ai ishte i pakapshëm. Zhvendosej pa pushim, duke bërë ecejake sa nëpër qytete e sa nëpër male, duke përhapur nëpër fshatarët fjalën komuniste. Nga ana e tyre, të dërguarit e Titos punonin për indoktrinimin e krerëve komunistë shqiptarë. Duke qenë të bindur për nivelin e ulët të përgatitjes politike të shokëve shqiptarë, ata vunë në jetë një plan për ngritjen ideologjike të këtyre krerëve, duke urdhëruar përkthimin në shqip nga tekstet në anglisht e në italisht të parimeve të Marksizëm-Leninizmit dhe të Historisë së Partisë Komuniste sovjetike. Anastas Luloja e Qazim Prishtina bënë përkthimet nga anglishtja, ndërsa Liri Gega nga italishtja.

Dushan Mugosha u mor me përqasjen e këtyre përkthimeve me tekstet serbe. Popoviçi e Mugosha u mësuan shqiptarëve mënyrat e mobilizimit të fshatarëve për ngritjen e një ushtrie partizane. Si rezultat, elementët më të dhunshëm rebelë nxorën nga plevicat armët e fshehura, për të marrë pastaj malet. Mjaft të tjerë, të kërcënuar e të përfrikësuar nga bashkëfshatarët e tyre, u bënë një me ta; nga halli e jo nga malli. Kështu, nën regjinë e Hoxhës e të “instruktorëve” jugosllavë, u krijuan çetat e para partizane, të udhëhequra nga luftëtarë profesionistë apo të rrethanave, si Hysni Kapoja në Vlorë, Gjin Marku e Mestan Ujaniku në Skrapar. Të parat sulme të papritura të partizanëve shqiptarë ndodhën në muajin mars 1942. Fillimisht të ashtuquajturat formacione (çetat) e përqendruan veprimtarinë e tyre në Shqipërinë e Jugut.

Dora-dorës PKSH-ja forcoi lidhjet me disa kryetarë çetash që vepronin në Shqipërinë e Mesme e më lart: me Myslym Pezën në afërsi të Tiranës dhe me Haxhi Lleshin në zonën e Dibrës. Në këtë mënyrë u shtri edhe rrezja e veprimit të komunizmit në këto zona. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në Veri ajo hasi në shumë vështirësi, për shkak të armiqësisë së paepur të popullatës ndaj ideologjive që vinin në kundërshtim me besimin fetar… Edhe në këtë periudhë, në gjirin e PKSH-së nuk munguan luftërat fraksioniste. Disa anëtarë të Partisë u eliminuan për tradhti. Anastas Luloja u akuzua se kishte bërë që të zbulohej baza ku mblidhej KQ i Partisë, d.m.th., shtëpia e Shyqyri Këllezit, i mbiquajtur “Partizani”. Pak më parë se ndërtesa të rrethohej nga karabinierët, Enver Hoxha, Kristo Themelkoja, Liri Gega, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, të njoftuar nga Gjystina Noja, braktisën shtëpinë, duke mundur t’i shpëtojnë kapjes dhe arrestimit. Ludovik Njaci, anëtar i ish-grupit të Shkodrës, u akuzua se kishte bërë të zbulohej baza e “centralit teknik” dhe për këtë u dënua me vdekje nga udhëheqja e Partisë. Shumë herë, Enver Hoxha dhe anëtarët e tjerë të KQ të PKSHsë, si dhe “instruktorët” Popoviç e Mugosha, ishin gati për t’u kapur nga policia, por arrinin të shpëtonin të ndihmuar nga shokët e tyre. Sidoqoftë, disa anëtarë të Partisë ranë në duart e policisë.

Nako Spiru u arrestua gjatë rrugës Tiranë-Durrës dhe u lëshua për bujarinë e autoriteteve italiane, të cilat u prekën nga lutjet e babait të tij, pronar i fabrikës së duhaneve në Durrës. Koçi Xoxe, gjithashtu ra në duart e policisë, por arriti të arratiset nga Burgu i Tiranës përmes një tuneli. Komunistët shqiptarë pësuan disa humbje të rënda. Qemal Stafa e Kristo Themelkoja u rrethuan në një shtëpi afër spitalit të Tiranës. Qemali u vra, ndërkohë që po synonte të hidhej në lumin e Lanës, tjetri arriti me mundim t’i shpëtonte rrethimit. Në Tiranë u vra edhe Misto Mame, anëtar i KQ të RKSH-së, gjithashtu Vojo Kushi, Sadik Straveleci e Xhorxhi Martini. Në Shkodër, në një ndeshje me policinë, ranë edhe tre anëtarë të tjerë të Partisë: Perlat Rexhepi, Jordan Misja e Branko Kadija.

Nga fundi i majit 1942, Dushan Mugosha iku nga Shqipëria dhe, pas një udhëtimi aventuroz, ia doli mbanë të mbërrijë në vendndodhjen e KQ të PKJ-së në Glamoc, duke i dorëzuar Titos “rezolucionin” e mbledhjes së parë të komunistëve shqiptarë dhe kërkesat e tyre për Kominternin, për miratimin e thirrjes së konferencës së parë territoriale të Partisë dhe për pranimin e saj si anëtare të Kominternit. Shqiptarët i bënin ftesë PKJ-së të dërgonte një përfaqësues të saj në këtë konferencë.

PKSH-JA VË HEGJEMONINË E SAJ NË
KOMITETIN E ÇLIRIMIT KOMBËTAR

Më 16 shtator 1942, PKSHja thirri në Pezë një konferencë për krijimin e një komiteti të çlirimit, në të cilën, përveç delegatëve të KQ të PKSH-së, morën pjesë edhe përfaqësues të Ballit Kombëtar dhe elementë të tjerë me tendenca të ndryshme nacionale. Pjesëmarrësit në konferencë emëruan edhe një komitet qendror të çlirimit, në të cilin u vendos të bënin pjesë: Enver Hoxha, Ramadan Çitaku, doktor Ymer Dishnica, Liri Gega, Haxhi Lleshi, Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi dhe Baba Fejzoja i Mallakastrës. Haxhi Lleshi dhe Myslim Peza konsideroheshin “nacionalistë”, Baba Faja dhe Baba Fejzoja ishin përfaqësues të sektit mysliman bektashi. Edhe pse nuk qenë komunistë, ata deklaroheshin për krijimin e Komitetit Qendror të Çlirimit nën drejtimin e PKSH-së. Qëndrim i njëjtë u mbajt nga ishmajori zogist Abaz Kupi, nga ish-oficerët Muharrem Bajraktari e Spiro Moisiu dhe nga përfaqësuesi i minoracës greke, Manol Konomi.

Kundër mbizotërimit të PKSH-së në gji të Komitetit të Çlirimit Kombëtar u shprehën përfaqësuesit e Ballit Kombëtar. Pas Konferencës së Pezës, Balli nisi të largohet nga lëvizja partizane komuniste dhe të veprojë në mënyrë të pavarur. Por Hoxha nuk pushoi të mbajë lidhje me të, me shpresën që të mund t’i diktonte direktivat e veta. Nga fundi i vitit 1942, Titoja mori përgjigjen për kërkesat e Enver Hoxhës: Kominterni e njihte PKSH-në dhe miratonte thirrjen e Konferencës I të Partisë së re. Titoja emëroi delegatin e tij në konferencë, Blazo Jovanoviçin, i cili u nis nga Glamoci, bashkë me Dushan Mugoshën. Ata u sillnin shokëve shqiptarë përgjigjen e Kominternit. Me të arritur në Labinot, afër Elbasanit, ku edhe ndodhej KQ i PKSH-së me Enver Hoxhën e Miladin Popoviçin, të dy emisarët jugosllavë u komunikuan shokëve shqiptarë njohjen e PKSH-së nga Kominterni, u dorëzuan atyre një letër të Titos me direktivat e Kominternit dhe këshillat e tij personale. Ishte dhjetori i vitit 1942.

Kominterni jepte lejen për thirrjen e konferencës, zgjedhjen e KQ të përhershëm, detyrat e të cilit duhej të ishin mbi të gjitha zhvillimi i luftës së komunistëve shqiptarë kundër italianëve dhe futjen në luftën partizane, përveç komunistëve, edhe të një numri më të madh të mundshëm të “nacionalistëve të ndershëm shqiptarë”. Nga ana e tij, Titoja i këshillonte shokët shqiptarë të vijonin një spastrim të vendosur për eliminimin nga gjiri i Partisë të hajdutëve dhe të keqbërësve të zakonshëm, të përkufizuar elementë antiparti, që pengonin seriozisht realizimin e programit. Detyrat e reja të Kominternit për PKSH-në patën si rrjedhojë krijimin e komiteteve të reja vendore dhe emërimin e delegatëve për Konferencën e parë tw vendit. Letrës së Titos, Hoxha iu përgjigj duke himnizuar popujt jugosllavë “miq e vëllezër të popullit shqiptar”, duke e siguruar se emri i Titos ishte në zemrat e shqiptarëve, “nga ku do të ishte tepër e vështirë të çrrënjosej”.

Dushan Mugosha i paraqiti Hoxhës kërkesën për krijimin e njësive partizane të lëvizshme, në vend të çetave të vjetra, të cilat ishin tepër të lidhura pas territorit e nuk bënin jetë ushtarake, por vepronin krejtësisht me qëllim grabitjeje, sipas zakoneve të vjetra të krerëve të tyre. Nga ana e vet, Blazo Jovanoviçi shkroi një broshurë për veprimtarinë e Partisë në gjirin e Ushtrisë. E përkthyer shpejt në shqip, ajo shërbeu si manual për shokët shqiptarë. Atje ishin përshkruar disa përvoja karakteristike jugosllave për luftën partizane dhe për taktikën partizane në qytete. Broshura e Jovanoviçit mësonte se si të ngrihej popullata kundër “brutalitetit të italianëve” e si të manovrohej në kushtet e një njësie taktike ushtarake. Gjithashtu, mësonte se si të bëhej sabotazhi industrial, shkatërrimi i rezervave natyrore, eliminimi fizik i agjentëve të policisë dhe i karabinierëve. Shpjegonte mënyrat e sulmit të kolonave armike, rregullat e përgjithshme për trajtimin e robërve dhe, në fund, sistemet e përkujdesit dhe të përgatitjes së eksplozivave.

Shoqëronte me skica e grafikë teknikat e sabotazhit të urave, të linjave elektrike, të stacioneve të policisë e të komandave ushtarake. Një model, pra, i teknikës konspiratore, me të cilën qenë frymëzuar dhe frymëzoheshin formacionet klandestine komuniste të vendeve të tjera. Por detyra më e rëndësishme qe përgatitja e Konferencës I të PKSH-së, që në atë periudhë numëronte rreth 600 anëtarë. Për të shkuar në konferencë u zgjodhën 50 delegatë, të cilët u mblodhën në Labinot të Elbasanit, nga data 17 deri më 22 mars 1943. Konferenca vërejti se Partia nuk ishte e bashkuar, ishte e ndotur nga sektarizmi e oportunizmi, pasoja këto të veprimtarisë së vjetër të ish-grupeve komuniste. Veç problemit të forcimit të Partisë, konferenca shqyrtoi atë të të krijimit të një ushtrie partizane dhe të marrëdhënieve me Ballin Kombëtar. Një relacion për këto probleme ishte përgatitur e ishte shkruar tërësisht nga Blazo Jovanoviçi. Në të nënvizoheshin nevojat:

-Të viheshin në lëvizje fshatarët dhe të rinjtë për të plotësuar radhët e armatës partizane;
-Të kërkohej nga organizatorët e Partisë e të Ushtrisë disiplinë e moralitet maksimal;
-Të krijoheshin komandat vendore dhe Komanda e Lartë;

-Të prishej çdo tratativë me Ballin Kombëtar. Në këtë pikë të fundit, Enver Hoxha dhe doktor Ymer Dishnica mendonin ndryshe nga jugosllavët. Ata e gjykonin të nevojshme të vijonin tratativat me Ballin Kombëtar, të pezullohej përkohësisht rritja e njësive të Ushtrisë, përderisa negociatat të mos qenë çuar deri fund dhe e gjithë kjo për të mos nxitur te nacionalistët dyshime, të cilat do të mund të çonin në një prishje përfundimtare me ta. Ndodhi kështu që shqiptarët e vonuan zbatimin e vendimeve të konferencës për sa i përket krijimit të Ushtrisë, ndërkohë që në mënyrë të fshehtë vijonin tratativat me Ballin Kombëtar./panorama.com.al

LEXO EDHE: Ja çka pësuan gratë që vuanin dënimet në burgjet e regjimit komunist