Zbulohet një thesar poshtë Kodrës së Arnisës/ Erion Braçe i kërkon Edi Ramës para për gërmime, historiani: Kërko ndjesë njëherë…

Ish-zv.kryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, ka postuar një foto që ka bërë bujë dhe ka kërkuar fonde për gërmime. Bëhet fjalë për një thesar arkeologjik që ndryshon historinë, sipas Braçes.

Shkruan ai:

“Kjo statujë kalorësi mbi kalë ka 2500 vite që është e jona! Babunja që përmendin këta, herë si fshat e herë si “mbrapa-toka” e bregut ilir, nuk është asgjë më shumë se Arnisa e vjetër ose Divjaka e sotme.

Nuk është Lushnja, por Arnisa. Ose më thjeshtë për ju është Divjaka!

Por ajo që ka më shumë rëndësi ka të bëj me faktin se Kodra e Arnisës ka në brendësi të saj histori dhe qytetërim mbi 2500 vjeçar!

Ajo kodër, ndryshon tërësisht fatin e Divjakës! Nëse duam një gjë nga Qeveria me buxhetin e ri, ai është fondi për të gërmuar Kodrën e Arnisës dhe për të zbuluar qytetërimin aty…”

Pasi ka postuar tekstin e mësipërm dhe dy foto të statujës së vogël, komentet poshtë postimit kanë qenë të shumta. Mes tyre bie në sy reagimi i ish-deputetit Auron Tare.

Tare i hedh ujë zjarrit të Braçes dhe i kërkon atij që fillimisht të bëjë një ndjesë publike.

Shkruan Tare:

“I dashur Erion, i dashur Deputet i zonës ku është zbuluar kjo statujzë. Përpara se të mburremi të gjithë së bashku duhet të dish diçka. Shqipëria jonë pra juaja dhe e imja nuk ka asnjë, dmthzero laborator për restaurimin e këtij artifakti; as mijëra të tjerave që janë zbuluar këtyre dekadave.

Në 10 vite ku ne të dy jemi pjesë e mazhorancës që i premtoi Shqiperisë shumë të mira, nuk kemi mundur të bëjmë asgjë që kjo statuetë e mrekullueshme të kishte mundësinë të restaurohej në vendin ku u zbulua.

Në këta 10 vjet shumë para janë derdhur lumë për koncerte apo gjëra të tjera pa asnjë vlerë për trashëgiminë kulturore dhe nuk janë gjetur dot asnjë kacidhe për të krijuar një Laborator për të restauruar këto kryevepra me të cilat sot ju po mburreni.

Specialistët e mrekullueshëm të restaurimit janë zhdukur apo rrinë rrugëve pasi nuk kanë mundësi të kontribuojnë për këtë “zanat” shumë të rëndësishëm në fushën e Trashëgimisë.

Për këtë arsye statueta e Arnisës antike sot është në Kalifornia dhe jo në Tiranë pasi Tirana nuk e mban dot, nuk e restauron dot dhe fatkeqësisht si gjithmonë merr rrugët e kurbetit pasi ne jemi të paaftë për ta mbajtur këtu dhe për t’i treguar botës mrekullitë e kulturës tonë.

Prandaj postimi juaj i sotëm duhet të ishte një ndjesë e madhe për pamundësinë që ne kemi për ta mbajtur këtu Kalorësin e Arnisës antike dhe të na vijë turp që ai rrezaton dritën nga Kalifornia e largët dhe jo nga kryeqyteti i Shqipërisë.

Mos harro, i dashur Erion, dorën e ngritur që Butrinti kryevepra jonë e Trashëgimisë Kulturore t’u jepej në administrim atyre që sot na quajnë komb barinjsh që nuk kemi pasur asnjë lidhje as me Butrintin dhe as me Arnisën për të cilën ti sot po shkruan me kaq admirim dhe mburrje.

Prandaj nëse me të vërtetë ke ndopak ndjesi për këtë statujëzë apo për Arnisën antike nisë me një ndjesë të thellë publike për moskokëçarjen ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe për votën Tuaj kundër Butrintit në Parlament”./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

NJË ARTEMISË NË DURRËS? STATUJA NË BRONZ, ZBULIMI I FUNDIT…

Një statujë e vogël në bronz është gjetja më e fundit e ekspeditës shqiptaro-franceze në Forumin Bizantin të Durrësit. Mendohet të jetë perëndesha Artemisë.

Arkeologia franceze Catherine Abadie Reynal tregon se statuja e vogël, ende e mbuluar nga shtresat e kohës. Pritet t’i nënshtrohet trajtimeve të posaçme.

“Ka shumë gjetje, të tipeve nga më të ndryshmet. Këtu po ju tregojmë një statujë të vogël bronzi. Ndoshta një perëndeshë. Objekti është ende i papastruar. Kjo sepse tani sapo u gjet. Ka nevojë për pastrim. Po ashtu trajtim dhe konservim. Dallohet qartazi që kemi të bëjmë me një personazh femëror.

Për nga tiparet e lëvizjes dhe veshjes mund të jetë perëndesha Artemisë. Kjo na bën të kujtojmë sanktuarin e famshëm të Durrësit. Për këtë ka projekte studimore në vazhdim”, u shreh ajo.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult