Poezi nga Zhaneta Barxhaj
I varrosa burrat e jetës sime.
Po, po nëpër stinë të ndryshme i pashë meitët e tyre,
në pranverë, në dimër, në vjeshtë,
verën askush nuk e desh,
ose ku i dihet…e kanë lënë për mua.
I pashë me sytë e mbyllur,
të zbehtë, të dorëzuar, të paqtë,
veshur në kostume dhëndërie.
E putha ballin e tyre të ftohtë, të ngrirë,
që më kallkanosën shpirtin, më mpinë zemrën
dhe më gurosën buzët.
Me gishtat e enjtur nga kripa e lotëve fshirë,
ua shkërrmoqa dheun në grimca,
që mos t’i lëndonte sipër kur ua hodha.
U kujdesa për të gjitha detajet vetë,
edhe me petale gurët e varreve ua zbukurova.
I varrosa burrat e mi,
bashkë me ta edhe shpirtin, edhe gëzimin.
Supeve hodha vellon e zisë, vejushë të mbesë,
se burra të tillë nuk mundesh më t’i gjesh.
E tash, varrezave kam mbetur.
Dhe nuk di…
më shumë flas me të gjallë
a me të vdekur!?
ObserverKult
Lexo edhe: