Zhuliana Jorganxhi: Mohuam nënën edhe atin, mohuam motrën dhe vëllain…

(Vetëm për ata, që u detyruan të mohonin…)

Mohuam nënën edhe atin,
fajtor pa faj, në mes të fajit,
mohuam motrën dhe vëllain,
gjymtyrë prerë për së gjalli.

Mohuam gruan, mohuam burrin,
ku ishte zemra rëndoi guri.
Mohuam vajzën edhe djalin,
gjak pikoi gjiri, kur s’iu gjet varri.

Mohuam shoqen edhe shokun,
nga faqenxira na u zbardh floku.
Mohuam dhimbjen dhe dashurinë,
shpirtin mohuam, vetë NJERIN!

Mohuam ne, e kë s’mohuam…
Ndaj botës mbetëm të harruar…

1990

*Titulli i origjinalit: “Mohimi i vehtes”

ObserverKult


Lexo edhe:

ZHULIANA JORGANXHI: KUR TË VISH, ÇDO GJË DO JETË M’E BUKUR SE MË PARË

Të shpirtit lodhje s’dita të ta heq
Ike me të ngarkuar.
një shi i rëndë filloi për dreq,
të ndoqa ty sytrishtuar.

Dhe në s’i ke ndjerë ata,
më mirë për ty dhe për mua.
Veç kur të vish fol për gjithçka,
gënjeshtër të jetë,
ka për t’më gëzuar.

Nuk di a të bashkon me mua
ku mall i madh kur ikën larg,
kjo qetësi- qiell ngarkuar,
kjo dashuri bërë merak.

Sikur mendimi të bëhej udhë,
do ta bënte vetëtimë,
në hapje mbyllje të dy syve
do t’kisha ty dhe dashurinë.

Kur të vish, çdo gjë do jetë m’e bukur se më parë.
Ditëve, që mungove, do t’iu japësh trajtë.
tek unë do hysh më i dashur,
me mallin e ditëve, që s’të kam patur.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


ZHULIANA JORGANXHI: MOS MË LARGO KËSHTU…

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Mos më largo kështu!
Po ik…
Nga dhembja,
dashuria
rëndon më shumë.

Atë po ta le ty!
Zemra ime,
gjithçka e imja,
largohet pa zhurmë.

ObserverKult