Zhuliana Jorganxhi: Mos më largo kështu…

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Mos më largo kështu!
Po ik…
Nga dhembja,
dashuria
rëndon më shumë.

Atë po ta le ty!
Zemra ime,
gjithçka e imja,
largohet pa zhurmë.

——————-

Lexo edhe:

ZËRI I NJË SHPIRTI POETIK”, MBI LIBRIN E ZHULIANA JORGANXHI

Nga Josif Papagjoni

Lloje soje librash gëlltit tregu, titujt e tyre shpesh “ulërijnë”, por pak syresh radhiten në bibliotekat tona, si lexues që dimë të përzgjedhim. Libri “Zëri i shpirtit tim – poezi të muzikuara” i Zhuliana Jorganxhiut, përgatitur për botim nga Ilir Çumani, është i mirëpritur për vetë emrin që ajo ka krijuar, për tekstet e saj të njohura.

Këto tekste e këngë i kanë dhënë, mbase, emër më të madh se shumëkujt tjetri, qoftë ky dhe një mjeshtër i shkrimit. Sepse kënga është hit. Këngën e marrim në buzë, në mendje, e fishkëllejmë.

Kudo. Kurdo. Është si fryma. Ilir Çumani te ky libër i poeteshës së këngës është një dorëzanës, por një dorëzanës besnik. Sidomos i mbushur me mall. Bash për këtë përkujdesje, ai përkëdhelet edhe nga vetë autorja, çka ajo i ka blatuar mirësinë e vargut të saj në vend të një ninulle të munguar, shushuritur prej nënës së tij të munguar.

Se Iliri është rritur jetim “si një bisk i rënë në tokë,/ ti i mitur,jetimmbetur…/ zëri yt me forcë ngrihet,/ zemra jote hapur rri,/ çdo jetim të mos ndihet,/ si fëmijë pa fëmijëri…”

E paske marrë, Ilir, një varg zemre nga Zhuliana! Një blatim. Viteve të rinisë sime e më pas, turbull-turbull, të mbaj mend mik rrugëve të qytetit tonë, Sarandës, prej nga jemi e kemi bredhur brigjeve të detit. Ishim, madje, fqinjë…

Dhe ti, mungesën e ninullës mëmësore e përktheve në një kauzë dhe përkushtim për fëmijët jetimë, e përktheve në dashuri e mirësi, e përktheve si respekt edhe në fletët e këtij libri. T’i përfalesh një poeteshe e gruaje shpirtbutë si Zhuliana, është diçka më shumë se kujdes, më shumë se respekt…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU