Zija Çela, një kampion i cilësive të prozës

zija çela
Zija Çela

Vëllimi me tregime të zgjedhura “Formula e jetës”, botuar nga “Menada ” (Maqedoni), sapo ka dalë në qarkullim.
Botuesi është kujdesur që ta pajisë me një parathënie të gjerë të studiesit të njohur Ali Aliu, një paragraf i së cilës citohet në ballinën e pasme të librit: “Kur komunikohet me tundimet krijuese të Zija Çelës, mbase arrihet të kuptohet më përafërt struktura e botës shpirtërore të autorit, hapësira e trualli ku lind dhe rritet letërsia e tij. Është dhunti kjo e një shkrimtari të madh, i cili jeton prore nën tundimin e sinjaleve, të porosive që pandërprerë vijnë nga thellësitë e qenies dhe të ekzistencës së njerëzimit.” Libri është pajisur gjithashtu me shënime biblografike për shkrimtarin, si dhe vlerësime që ia janë bërë krijimtarisë së tij përgjatë viteve.
Silvana LEKA: Me “Formulën e jetës” Zija Çela na ofron jo vetëm një rekord vetjak në shkrimin e prozës së shkurtër, por edhe një kampion të zotërimit të cilësive të zhanrit, veçanërisht të fjalës jo thjesht në funksion kumtues, por Fjalës si objekt arti. E shtrirë në kohë, pavarësisht kufizimeve të metodës nën të cilën u shkruan një pjesë e veprave të Zija Çelës, krijimtaria e këtij autori mund të ribotohet pa qenë nevoja e prekjeve, e përmirësimeve stilistikore apo ideologjike.
Nasi LERA: Tregimi shqiptar përherë ka synuar të përvetësojë arritjet më të mira të tregimit botëror. Do të më mjaftonin vetëm dy tregime të Zija Çelës – “Tani të bien muzikat” dhe “Kinema verore, lozhë” – për të pohuar se tregimi shqiptar qëndron me dinjitet në tregimin e sotëm modern. E ato dy tregime mund t’i shkruante vetëm Zija Çela si tregimtar shqiptar. Dhimbja e tyre është ekrani tragjik i tërë jetës njerëzore.
Arian LEKA: Zija Çela ka nxjerrë në dritë disa guaska thellësie që nuk ruhen por falen, disa krijime të rafinuara stili dhe elegance, ca kujtesa gati jehonë që, duke e përqendruar furinë krijuese, na lënë në qiellzë shijen e athët të mishit të zogjve të gjahut, shije që e jep vetëm poezia dhe tregimi, padyshim kur janë të kalibrit të lartë. Ndodhen aty edhe ca tempuj të vogjël ku hyhet si lexues, por askush nuk të premton se do të dalësh vetëm si i tillë… Tregimet e Zija Çelës nuk mund të ritregohen, ato vetëm lexohen, siç dhe vetëm shkruhen, sepse i përkasin formës më zanafillore, asaj të shkrimit, pra letërsisë së mirëfilltë.
Shaban SINANI: Aty janë bashkë heroi dhe keqbërësi, idealisti dhe individualisti, naivi dhe rrufjani, vlerat dhe antivlerat. Ato janë bashkë madje edhe tek i njëjti njeri. Veçse në çdo rast janë figura të gjalla, jo hije: janë personazhe që bëjnë jetën e tyre të pavarur dhe nuk i nënshtrohen as autorit vetë
Bardhyl LONDO: Në letërsinë shqipe Zija Çela ka vetëm një të ngjashëm. Pikërisht Zija Çelën.
Besnik MUSTAFAJ: Sado improvizues e spontan që është Zija Çela gjatë shkrimit, tipar ky që zbulon poetin brenda tij, ai e ka megjithatë të qartë Itakën ku do të mbërrijë dhe nuk hutohet gjatë rrugës, gjë që i jep rrëfimit të tij një qartësi, një dinamikë dhe një ritëm të lartë.
Lindita TAHIRI: Proza e Zija Çelës e ushqen kreativitetin e leximit në epokën e sotme të kulturës së popullarizuar të konsumit. Me veprën e tij Zija Çela arrin të krijojë një autoritet të ri, atë të lexuesit.
Luan RAMA: Me dinjitetin e krijuesit, që autoritetin ia jep vepra, Zija Çela na ka provuar se letërsinë e madhe e bëjnë shkrimtarët misionarë, që nuk kushtëzohen prej sistemit apo regjimit politik, por vetëm prej fuqisë së talentit. Edhe pse shkruan në dy kohë, Zija Çela nuk ka dy krijimtari, nuk ka dy letërsi. E nga kjo pikëpamje, pa asnjë mëdyshje, mund të them se Zija Çela është referenca më e spikatur e mbrojtësit të nderit të prozës shqipe të kohës së vet.
Lazër STANI: Zija Çela nuk të zhgënjen në asnjërin nga krijimet e tij. Mjafton të lexosh disa paragrafë për të kuptuar se sa madhështore e magjepsëse është gjuha e shkruar, se çfarë bukurie tronditëse dhe imponuese bart në vetvete fjala, sa urtësi dhe dije universale, por na bën edhe të jetojmë e të ndihemi të shpëtuar brenda këtij universi.
Namik DOKLE: Mos kërkoni “fotografimin” standard të përditshmërisë në librat e autorit, sepse duke e kërkuar në këtë mënyrë, do të bjerrim vlerat e veprës, madje edhe kryevlerën e saj që është universaliteti. Përditshmëria është një mozaik, ndërsa universaliteti është bazamenti i krijimtarisë së Zija Çelës.
Erion KRISTO: Në letërsi ka shkrimtarë themeli, të cilët vendosin normat e saj, pastaj ka dhe shkrimtarë të tjerë që vërtiten rreth këtyre normave. Zija Çela ka caktuar norma në letërsinë shqiptare.