Zija Çela: Pse ndodh që të jesh mes njerëzish dhe prapëseprapë të ndiehesh vetëm?

Plot mistere është shpirti ynë. Prandaj vazhdimisht lindin pyetje, madje të llojit enigmë. Bie fjala, pse ndodh që të jesh mes njerëzish dhe prapëseprapë të ndiehesh vetëm? Por, pse ndodh edhe e kundërta, të jesh vetëm dhe të ndiehesh me njerëz?
Vetëm jam në studio, miq të dashtun, por ndiehem me ju. E kështu, sikur u dha një përgjigje, qenka fuqia shpirtërore që tejkalon distancat. Prandaj po e nis me një përshendetje, sepse e di mirë qe ju ka rënduar karantina pandemike. Izolimi fizik, natyrisht, për të gjithe është i padëshirueshëm. Por është gjithashtu një provë kur, i mësuar të jetojë si qenie sociale, njeriu kupton njëkohësisht sa ëshëe edhe individ, pra, sa është gjithashtu i vetmjaftueshëm.
Por tashmë e pohova, ne jemi bashkë. Dhe gjithë bashkë, me buzën në gaz e me respekt suprem, le të provojmë t’i kthejmë në të kundërtën vargjet e Malarmes, duke i shënuar kësisoj: “Të gjitha librat nuk i kemi kënduar/ Dhe jeta nuk është e mërzitshme.”
Ja, e thamë dhe e bëmë. Po tani, tani ç’mund të bëjmë?! Tani kam një propozim. Veçse në këto çaste hiqeni celularin nga dora. E di, me pak butona mund të gjezdisni dynjanë. Brenda sekondës hyni në Albumin dixhital të Fotografive dhe shihni me radhë njerëzit e zemrës, të cilët tashmë i keni larg. Por, kësaj here, le të provojmë atë teknologjine tjetër, dhuratën hyjnore që Zoti na e ka falur bujarisht. E kështu pra, filloni të perfytyroni një nga njerëzit tuaj ma të dashur, plotësojani dalëngadalë portretin, duke sjellë ndërmend çdo tipar e çdo hollësi të tij. Mos u nxitoni, u duhet të prisni ca. Nëpërmjet laboratorit natyror të trurit, fotografia po fillon t’ju shfaqet dalëngadalë, fragment pas fragmenti… Mirëpo ju po merakoseni. E përse, e përse?! Ju shfaqet bardhezi dhe me një si tis të mjegulluar? Ah, jo, mos fajësoni as filmin, as laboratorin. Sepse nuk është mjegull. Është afshi i mallit tuaj që i bie përsipër, prandaj edhe ndjeni një drithmë në gjak.
Kujdes ama, sapo të jetë ngopur syri dhe të qetësoheni, mos harroni: Salvojeni diku në shtresat aktive të kujtesës këtë foto. Më pas po, më pas mund të sillni ndërmend një tjetër njeri të shtrenjtë për jetën tuaj, sepse tashme ju po ripërtrini dhe po riformatoni Albumin e Kujtesës.
Në tërësine kozmike ky lëmshi ynë i Tokës është vetëm një ishull i vockël, fare i vockël, sa një thërrime rëre. E megjithatë, çdo banor i popullit miliardësh të botës e gjen shpejt derën e shtëpisë së vet. Mos, vallë, pikërisht pse disa vatra të trurit nuk i lëmë të na mpihen, duke i mbajtur zgjuar çdo ditë?!…
Ah, desh harrova në fund! Shpresoj, më falni për mungesën e modestisë, por shpresoj se dikush mund të më ketë përfytyruar edhe mua./ ObserverKult