Zija Çela: Të kthehemi të gjithë tashmë, mjaft me kaq

zija çela
Zija Çela

“Të shtunën ra borë, madje ra edhe duke u gdhirë e diela. Megjithatë bëmë siç kishim thënë, gjashtëshja e Jazit u nis për rrugë.
Kur dolëm përtej lagjes sonë, jo vetëm kodrën atje larg, por as tridhjetë metra para nesh nuk arrinim të shihnim.

Tymi i mjegullës e kishte mbushur tërë hapësirën. Në këto kushte, më të voglin u detyruam ta kthenim.

Si të kishte qenë i gatshëm nga frika, ai spurdhjaku nuk kundërshtoi. Duke na përshëndetur me dorë, ia dha vrapit drejt shtëpisë.

Por nuk vonoi dhe një tjetër u kthye me vullnetin e tij. Pastaj, pa kaluar shumë kohë, ai që ishte prapa meje u ankua se po i zihej fryma.

Për ta çarë borën, unë ecja në krye dhe njëshkolona e vogël shkelte në gjurmët e mia. Mos po ecja shpejt?

E ngadalësova hapin. Por si kaloi një copë herë, me ta kthyer kokën, pashë se vetëm tre kishim mbetur.

Tashmë kishte nisur të frynte nga perëndimi dhe tymnaja e mjegullës po shtyhej pak nga pak në të kundërt. Papritur, dikush më preku në sup.

Kur ktheva kokën, kishim krijuar largësi me marshuesin e fundit, që e kishte ndalur hapin.

Sivëllai pranë meje, teksa ngjeshte kapelën deri te veshët dhe shfrynte avull nga goja, po më shihte me ca sy përgjërues, sikur po më lutej: “Të kthehemi të gjithë tashmë, mjaft me kaq!

Ne e bëmë tonën, por nuk ia dolëm dot.”

Më pas ishte e kotë të shihja prapa, sepse e ndieja që kisha mbetur vetëm. Ecja duke u përpjekur të ruaja drejtimin më të shkurtër, që do të më çonte te kodra me obelisk. Asgjëkundi s’dëgjohej zë, asgjëkundi gjurmë hapash.

Gjithë rrafshina asaj dite ngjante me një shkretëtirë të nemitur, ku vendin e rërës e kishte zënë bora.

M’u kujtua se në një nga librat e vjetër të gjyshit kisha lexuar rrëfenjën për Jozefin me dymbëdhjetë djemtë e tij, atë që kishte përmendur mësuesi i historisë.

Një ditë, kur u kthyen nga shkretëtira në shtëpi, njëri nga djemtë mungonte.

Dhe ishte pikërisht ai, që Jozefi e kishte më për zemër. Babai i pyeti me ankth se ku ishte Jakobi. Ata u përgjigjën: ‘E hëngrën bishat’.

Atëherë sytë e tharë të plakut u lagën prej lotëve. Nuk jam i sigurt, por ndoshta është njeriu i parë biblik, për të cilin thuhet se ka qarë.

Dhe kishte shkaqe të forta, qante nga dhembja për të birin dhe nga tronditja se mos djemtë e tjerë po gënjenin.

E vërteta ashtu ishte. Nga marazi që babai e kishte më të përzemërtin, ata ia kishin shitur Jakobin një karvani arab që përshkonte shkretëtirën.

Teksa sillja në mend këtë rrëfenjë, nuk e pyeta veten se ç’do të thoshte gjyshi për sivëllezërit e mi.

Vështirë t’i gjykoje, ata kishin dashur të më shoqëronin, por nuk kishin mundur. Kurse unë ende isha i vendosur.

Aq më tepër që edhe mjegulla vazhdonte të lehtësohej, duke ma rritur shikimin përpara.”

ObserverKult

——————–


LEXO EDHE:


ZIJA ÇELA: PSE NDODH QË TË JESH MES NJERËZISH DHE PRAPËSEPRAPË TË NDIEHESH VETËM?

ZIJA ÇELA: JA VDEKJE, JA DASHURI!