Shkrimtari Zija Çela rrëfen romanin e fundit, ai ndalet edhe tek situata e letërsisë në vend, ku shpeshherë lexojmë shkrimtarë të gjallë me letërsi të vdekur.
Cili është kufiri që i ndan të ndershmit nga të pandershmit? Ndoshta vënia përballë një zgjedhje tunduese, mund të japë përgjigje që nuk i prisnit. Romani “Lavjerrësi i qytetit” i Zija Çelës kapërcen barrierat letrare, dhe i vendos ngjarjet gjithkund pse jo, në mes të Tiranës kryeqytet. Me një rrëfim që të rrëmben ujërave të një filozofie mbresëlënëse, shkrimtari bën bashkë të ndershëm e të pandershëm, të lirë e të burgosur, duke bërë që çdo bindje rreth ndërgjegjes njerëzore të lëkundet. E drejta edhe e padrejta, vihen pranë, kundër lëkunden në trampolinën e rrethanave, duke na bërë të mendojmë se asgjë nuk është e sigurtë.
Zija Çela në këtë intervistë për “ReportTV” tregon si rrugëton shtigjeve të imagjinatës për gjetjen e vendeve, të ngjarjes së radhës. Ai flet edhe për letërsinë e përhershme edhe atë të përjetshme, për artin e të shkruarit. I pandarë nga pena, aroma e bojës, sikur i jep një tjetër esencë krijimtarisë së tij letrare.
Zoti Çela, romani juaj “Lavjerrësi i qytetit” duket sikur na sjell një subjekt letrar të marrë nga realiteti ynë i përditshëm. Përmes rrëfimit të Valer Jacës ju sillni tek lexuesi ngjarjet që zhvillohen në Burgas, aty ku në një anë të rrugës qëndrojnë të ndershmit edhe në anën tjetër të pandershmit. Si ka lindur ky roman?
Po shkruaja “Djallin komik”, edhe sipas një reaksioni plot enigma, që më ka ardhur në ciklin e romaneve të fundit, më erdhi gjetja e romanit “Lavjerrësi i qytetit”. Pastaj u përpunua gjatë kohës. Kam një zakon të ngjashëm me kinoregjisorët, të cilët sapo kanë skenarin në dorë kërkojnë vendin se ku do të xhirohet filmi. Dikur po udhëtoja për të parë disa vende, ndërsa qytetet i krijoj edhe u vendos emra vet. Në këtë roman qyteti ku zhvillohen ngjarjet është Burgasi, por unë ju ftoj që të përfytyrojmë Tiranën, rrugën “Bulevardi Zogu I”, ku kalon Unaza edhe tek ish-stacioni i Trenit, diku më tutje realisht është burgu. Me vendim të Këshillit Bashkiak, krahu nga qyteti është quajtur rruga e “Të Ndershmëve”, ndërsa krahu tjetër i “Të pandershmëve”. Romani nis në çastin, kur në burg për arsye se është mbushur kapicë me të burgosur ka nisur greva e urisë. Ata kërkojnë të drejtat e tyre. Qytetarët të prekur në ndërgjegje nisin demonstrimin në Bulevard për t’iu bashkuar në mbrojtje të të drejtave të të burgosurve. E prekur nga sedrën e vet qeveria mendon një plan, “T’i skedojmë sedrën e këtij qyteti, sepse ne e dimë që do të thyhen”. Kryeministri dërgon ministrin e Brendshëm në Burgas mbledh qytetarët edhe u thotë: “Unë kam ardh me një propozim. Duke menduar se do të dëgjoj klithmën: Jo, jo, jo… A doni ju që të mbroni të drejtat e të burgosurve, t’i merrni të burgosurit në shtëpitë tuaja edhe atje të kryejë dënimin që ju ka mbajtur?”. “Po, po”, thonë qytetarët, “i marrim, se është mizori që të mbyllësh sytë në rastin që shikon se diçka shkon keq”. Ministri telefon kryeministrin, i cili si burrë shteti nuk mund të tërhiqet më. Dashje pa dashje do të bëhet dakordësimi me qytetarët. Nëpër shtëpi krijohen qelitë dhe nis bashkëjetesa. Të ndershmit me të pandershmit. Ngjarje pas ngjarje do të rezultojë, që disa nga të pandershmit, siç quheshin dikur, bëhen të ndershëm dhe anasjelltas. Nuk janë ngjarje të përgjithshme, por episode me njerëz realë.
Paralelizmi që ju i bëni me Bulevardin është ajo çka po ndodh gjatë gjithë këtyre protestave dhe ecejakeve të zyrtarëve në këtë kohë që ne po jetojmë…
Këtu bëhet fjalë për revatilizimin e nderit. Gjë që është problem për të gjithë njerëzimin. Sa kohë që një qytetar është jashtë konsiderohet i ndershëm, por a do të korruptohet ky njeri, kur të ketë mundësi? Edhe ky relativizim i nderit e ngre bashkëjetesën në një nivel tjetër? E çfarë niveli? Ish- të burgosurit, thuhet në roman, po krijojnë partinë e tyre? Synojnë që në zgjedhjet e ardhshme të marrin pushtetin. Shihni se deri në çfarë shkalle shkon përfytyrimi, sikur të kemi një qeveri të të ish- të burgosurve, ish- kriminelëve, e cila do të na drejtojë të gjithëve në një vend. Por çfarë ndodh? Jo, thuhet se, nuk është momenti. Por ata shpërbëhen në të gjitha partitë e tjera. A nuk është e vërtetë, që tek ne sot ish- ministra, ish- zyrtarë të lartë, ish- kryebashkiakë edhe shefa policie janë të akuzuar për krime që kanë kryer? Prandaj letërsia është ajo që atakon realitetin dhe bën një lexues aktiv, që kur mbaron një libër të bëjë jo vetëm përqasjen me realitetin, por edhe me fatin e tij individual.
Kjo na bën që të kuptojmë, se ata qytetarë që janë jashtë edhe ata zyrtarë që kemi në krye nuk janë aq “të ndershëm” sikundër duhet të ishin..
Nuk është e drejtë që të kemi paragjykime, por duke iu referuar jetës është i drejtë theksimi që ju bëni. Këto janë terma që e kanë preokupuar gjithmonë njerëzimin, Orwelli për shembull tek “Viti 1984” ka përdorur tema universale, të cilave duhet t’u rikthehemi ndonjëherë. Por nëse në “Vitin 1984” është një realitet që është potencial i mundshëm, tek “Lavjerrësi i qytetit” nuk është më potencialisht i mundshëm, por po ndodh, është realiteti ku jetojmë.
Bota ka mjaft shkrimtarë të vdekur, me letërsi të gjallë, edhe ka shumë shkrimtarë të gjallë me letërsi të vdekur, kjo do të thotë se jo përherë letërsia arrin në nivelet e së përjetshmes dhe të përhershmes. Jo përherë arrin në nivelet universale. Unë nuk jam kundër, sepse jeta duhet jetuar dhe si një pasion. Për shembull, një mënyrë e shfaqjes së pasionit është marrja me art dhe pastaj në fund shkrimtarët e mëdhenj apo të dështuarit bashkohen në një kufi, e ku? Tek arti mortor. Është e vërtetë që jeta duhet që të jetë pasion dhe se vdekja është një detyrë. Por, dhimbja është që po vdes letërsia e Orwellit me plejadën që përmendëm ne. Është fatmirësi që t’u dhurosh lexuesve të vendit tënd diçka.
Përpjekjet tuaja nuk janë vetëm për të pasqyruar një realitet të hidhur, por edhe për të pasqyruar një realitet që i bën njerëzit të kenë shpresë, në fund të romanit përmes kronikanit të romanit bëhet një verifikim, ai duhet të tregojë si i ka siguruar të ardhurat e tij…
Është një verifikim edhe një vetverifikim. Akti i të shkruarit është përherë edhe një akt moral. Mua më pëlqen që mos të filloj përherë me gishtin tregues, duke gjetur një fajtor, por duke e kthyer gishtin dhe nga vetja. Shkrimtari duhet që të jetë i pamëshirshëm edhe pse çdo autor ka zgjedhjet e veta. Ndoshta është rasti të kujtoj, Petro Zhejn, i cili pati thënë: “Shikoni, a e dini se si shkruan Çela? Ai merr shtizën i drejtohet njeriut dhe sapo maja e shtizës ka prek gjoksin ajo lakohet. E rrëzon, por nuk e vret, nuk e plagos. E atëherë Çela çfarë bën? I afrohet të rrëzuarit, i shtrin dorën e ngre në këmbë edhe i thotë: Kujdes, e sheh çfarë bën?”. Në kuptimin që unë tërë jetën kërkojë vetëqortimin dhe vetëkorrigjimin. Vetëkorrigjimi është fuqia më e madhe e çdo njeriu. Sado ne të bëjmë thirrje për shoqërinë tonë ajo nis qelizë më qelizë. Nëse individi ka dëshirë për vetëkorrigjim, nëse ka dëshirë për liri, nëse bën një hap përpara, atëherë ka shpresë që e gjithë shoqëria do të bëjë përpara.
Për të krijuar një diamant ka dy kushte, temperatura e lartë dhe tensioni i madh. Kur llava ngrihet lartë dhe shpërthen, nxjerr edhe diamante që i flak tutje. Unë përpiqem që t’i ngjaj disi këtij fenomeni, por me një ndryshim. Të nxjerr nga vetja diamantin, ndërsa llavën ta mbaj brenda vetes. Kjo nuk është e lehët për t’u arritur edhe as mund të them se e kam arritur, por është një pikësynim. Edhe pikësynimi të çon në shkallën më të lartë krijuese, që sicc Mehmet Kraja e ka quajtur “Sublimi është në krijimtarin e Çelës”.
Nga libri i parë, nën dritën e kandilit në një fshat të Kukësit, si ka ndryshuar ky proces krijues?
Është e vërtetë që librin e parë e kam shkruar nën dritën e kandilit. Të nesërmen ne pastronim të gjithë blozën që kishte mbledh kandili. Këtu lind pyetja se si pastrohet ajo llavë që ke mbledh nga një roman, që t’i hap vendin një romani tjetër? Krijimtaria ka një lloj energjie tjetër, Zoti ta jep, Zoti ta heq edhe prapë ta rikthen. Shkrimtari ka një gjenerator përbrenda, ky lloj gjeneratori e krijon energjinë në atë mënyrë, që ka edhe pastruesin me vete. Por kur kaloj nga një vend në një tjetër, më duhet pak kohë. Është plazmë krijimtaria. Prandaj, vazhdoj të shkruaj me dorë, nuk e kam në mend kompjuterin, por jam unë edhe letra…/ shqiptarja