Zija Vukaj: E kam kundruar shpesh fjalën “qashtu”

zija vukaj
Zija Vukaj

Reflekse për gjuhën nga Zija Vukaj

Gjuha jonë e bukur ka një sistem të përkryer gramatikor, fonetik, leksikor, fjalëformues, morfematik, stilistik, stilematik etj. Shpesh letërsia na vjen si kambanë për të na e shfaqur këtë. Arti i fjalës na tërheq vëmendjen për të na treguar mrekullitë e gjuhës. Si puna e vargjeve të Naimit: “Kudo është bukuria/ i verbri s’mund ta shohë/ ajo është gjithësia/ i dituri mund ta njohë”. Ndër vlerat e panumërta të shqipes mund të përmenden fjalët monosilabike dhe fuqia çudibërëse e morfemave. Këto përsiatje m’u shkaktuan nga kumbimi i vargjeve të Migjenit: “Një fryt qyshse piqet dihet se ku shkon/ qashtu edhe fmija n’bark të dheut mbaron”

E kam kundruar shpesh fjalën “qashtu”. Nganjëherë e kam marrë si konformim të poetit me të folurën e Pukës, ku pati shërbyer si mësimdhënës. Por më pas, duke mos qenë merakli të kacavarem pas citimesh, i kam besuar vetëm instinktit artistik dhe ndjenjës gjuhësore të poetit. Kësisoj jam munduar të vras mendjen dhe të bëj ca deduksione të miat, anipse mund të mos përputhen me stilet akademike. Kjo, sepse shumë mistere ndoshta më të mëdhatë ndodhen të fosilizuara në skutat dialektore. Pra “qashtu” është ndajfolja e mënyrës ‘ashtu’.

Ky lloj gjedhi morfologjik përbën një dukuri paradigmatike jo vetëm për ndajfoljet, por edhe për përemrat dëftorë. Konkretisht, përemrat dëftorë që fillojnë me ‘k’ tregojnë frymorë apo sende që ndodhen afër folësit (para syve të tij): ky, kjo, këta, këto. Ata që fillojnë me ‘a’ tregojnë frymorë e sende që ndodhen larg folësit: ai, ajo, ata, ato. Po kështu, ndajfoljet e mënyrës që fillojnë me ‘k’ tregojnë mënyrën e kryerjes së një veprimi që ka ndodhur a ndodh para syve të folësit, ndërsa me ‘a’, si në rastin e sipërpërmendur për dëftorët.

Të kthehemi te ‘qashtu’. Jemi përballë një përngjitjeje që ka përshkuar disa stade: ‘qe ashtu’, ku pjesëza treguese ‘qe’ është e barabartë me ‘ja’. Në përngjitje ‘e’-ja ka rënë dhe është aglutinuar vetëm ‘q’-ja “qashtu” Pra, ‘ja ashtu’, për ta bërë sa më konkret përshkrimin e mënyrës së veprimit. Por kemi edhe formën “njikshtu”, që tregon mënyrën e kryerjes së një veprimi para syve të folësit. Kjo ndajfolje për afër është përngjitje e një tjetër pjesëze treguese, relikt i së folmes së Shqipërisë së mesme, ‘nji’- ja, si në rastet “nji ku po ta them”, “nji ku ua thotë daja”. Tek disa ndajfolje sasie ‘q’-ja merr kuptim jo vetëm tregues, por edhe konkretizues dhe intensifikues thuajse hiperbolik. Por të realizosh një hiperbolë vetëm me një element morfematik ‘qe’,është tregues i një fuqie befasuese të një gjuhe të pajisur me mjete të paparashikueshme shprehëse. “E kishte dorën qekaq” (ja kaq).

ObserverKult

Lexo edhe:

ZIJA VUKAJ: NEOKLASICIZMI NË LETËRSINË TONË MUND TË TAKOHET VETËM TE NDRE MJEDA