“Zjerm” “ndez” Evropën/ Shqipëria kryeson sondazhin për fituesin e Eurovision 2025

Me nisjen e afërt të provave në qytetin Basel të Zvicrës, atmosfera e Eurovision 2025 po bëhet çdo ditë më elektrizuese. E ndërsa 37 vende përgatitën për të dhënë më të mirën në skenë, publiku ndërkombëtar ka dhënë sinjalin e parë të fortë: Shqipëria është pretendentja kryesore për të rrëmbyer trofeun këtë vit!

Sipas një sondazhi të organizuar nga portali i njohur Wiwibloggs, në të cilin morën pjesë 18.951 fansa nga e gjithë bota, grupi “Shkodra Elektronike” ka rrëmbyer zemrat e publikut me këngën “Zjerm”. Me 2.106 vota të grumbulluara – që përbëjnë 11.11% të totalit – Shqipëria renditet në vend të parë, duke kaluar favoritët e zakonshëm të garës.

Në vend të dytë qëndron Finlanda, përfaqësuar nga Erika Vikman me këngën “ICH KOMME” – një himn i lirisë seksuale dhe vetëpërfaqësimit, që ka mbledhur 1.969 vota (10.39%).

Surpriza e këtij edicioni, grupi suedez KAJ, renditet i treti me këngën “Bara Bada Bastu” – një dedikim unik ndaj kulturës nordike dhe dashurisë për saunën – me 1.620 vota (8.55%).

Rezultatet vijnë pas një sondazhi të mëparshëm ku Shqipëria ishte pozicionuar e dyta në gjysmëfinale. Por duket se një valë e re mbështetjeje ka ngritur ndjeshëm profilin e përfaqësuesve shqiptarë, që aktualisht shihen si potencialët më të fortë për fitoren e madhe.

Lista e vendeve të tjera ndjekëse përfshin Austrinë, Spanjën, Holandën, Izraelin dhe Francën – të gjitha me më pak se 7% të votave.

Ndërsa skena po ngrihet dhe provat po afrojnë, “Zjerm” duket se ka ndezur jo vetëm publikun shqiptar, por edhe fansat më të flaktë të Eurovisionit në të gjithë botën.

Kujtojmë gjithashtu që kënga “Zjerm” nga Shkodra Elektronike, që përfaqëson Shqipërinë në Eurovision këtë vit, është renditur ndër 20 performancat më të shikuara gjatë muajit prill në kanalin zyrtar të Eurovision Song Contest në YouTube.

ObserverKult


Lexo edhe:

“EUROVISION 2025″/ JA SE KUR DO TË PERFORMOJË SHQIPËRIA