Nga: Çedo Jakimovski
O ku ta gjej atë lumë të artë
në çfarë fshehtësie në cilin yll e mes cilit det
Zogu i zi më pëshpërit: ajo e vdekur të pret
larg prej nate në një dritë të pafund
Në rrugë kah ëndërra terrin së pari e takova
për mua trekëmbësh bëri në një dru prej ylli
i shndërruar në rrufe i këputa rrjetat e zeza
dhe hyra në pjesët e lulëzuara të ëndrrës
O fshehtësi e madhe edhe këtu të pash të shtrihesh
si dielli i vetmuar nën këmbanën e brustë të qiellit
Në zemër i marri i lumtur të këndon
e ti një zogu të vdekur i qeshesh
Deshta të të zgjoj por rrodhi një ujë i ri
i kthjelltë dhe i shërueshëm e më mori edhe mua
Ti sërish u nise kah liria e çuditshme
duke lundruar qetë në kurorën e blertë të vjollcave
I pastër u shtriva skaj teje e i qetë e lëshova fundin
dhe erdha me ty nëpër terr kah shkëlqimi.
Përktheu: Teki Dervishi
*Titulli i origjinalit: “Ofelia”
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA NAXHIJE GASHANI: PEIZAZH ËNDËRRIMI
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Naxhije Gashani:
DASHURISHT
Me brushën tënde ngjyrë blu
ngjyron qiellin tim me shi
befas i vesh një kostum të verdhë
reve
Pastaj ato nisin të vallëzojnë nën
notat e një pentagrami pranverak
Ti ecën drejt kopshtit tim të trëndafiltë
U merr erë petaleve të çdo gëzimi timit
Kurrë nuk bëhesh erë
e të fluturosh shtigjeve të ikjeve
Ti qëndron
Nuk le t’u bie tis monoton çasteve
Kurrënjëherë s’i vë korniza lirisë
Thellësisht, shpirtërisht, dashurisht
ti njeh portet e ndjenjave
Qetësisht, butësisht, ëmbëlsisht
di t’i vësh pentagrameve dëshirat
e mia të ruajtura
arkave me dryrët e vjeshtave
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult